7 argumenteve të ringjalljes se njeriut ne boten tjeter

Muslimanët besojnë se njerëzit do të ringjallen pas vdekjes për t’u gjykuar nga Allahu, për besimin dhe punët e tyre. Jeta tjetër nuk është vetëm një jetë shpirtërore, por shpirtërore dhe fizike. Disa prej argumenteve të ringjalljes janë:

  • Allahu thotë vetëm të vërtetën. Ai na ka lajmëruar në Kuran se do t’i ringjallë të gjithë njerëzit: “Allahu! Nuk ka hyjni tjetër të vërtetë përveç Atij. Ai do t’u mbledhë në Ditën e Kiametit, për të cilën nuk ka dyshim aspak! E kush është në fjalë më i vërtetë se Allahu?” [en Nisa: 86]. Jo vetëm kaq, por Allahu i ka konsideruar qafira, femohues ata që nuk besojnë ringjalljen pas vdekje: “Mohuesit e fesë kujtojnë se nuk do të ringjallen kurrsesi. Thuaju: “Po, për Zotin tim, me siguri që do të ringjalleni e pastaj do të njoftoheni për atë ç’keni bërë!” Dhe kjo është e lehtë për Allahu” [et Tegabun: 7].
  • Krijimi i parë është argument për krijimin e dytë. Përderisa Allahu e ka zënë fill krijimin e njeriut, Ai ka fuqi ta ringjallë dhe kjo është më e lehtë për të. Ne shikojmë çdo ditë fenomenin e rikrijimit dhe të gjallesave të reja të cilat vijnë në jetë: fëmijë që lindin, shpendë që dalin nga vezët, kafshë që i pjellin nënat e tyre, peshq që mbushin detin dhe lumenjtë. Të gjitha këto pra njeriu i shikon me sytë e vet, dhe megjithatë nuk e pranon faktin që një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe një herë tjetër pasi që Allahu ta ketë zhudukur jetën. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë” [err Rrum: 27].
  • Ai që ka fuqi të krijojë diçka të madhe ka fuqi të krijojë atë që është më e vogël se kjo gjë. Nuk është aspak racionale të akuzosh si të paaftë për të mbajtur diçka fare të vogël atë që ka mbajtur diçka të madhe. Po kështu është kur një njeri mund një burrë të fortë, atij nuk mund t’i thuhet: ti nuk mund të mundësh këtë njeri të dobët e të pafuqishëm! Ai që ka patur mundësi të ndërtojë një pallat, ka aftësi të ndërtojë një shtëpi të vogël. Ndër krijesat e Allahut ka të tilla që janë më të mëdha sesa njeriu, atëherë si mund t’i thuhet Atij që ka krijuar qiejt, trupat qiellorë dhe Tokën: ti nuk mund të krijosh krijesa më të vogla se këto! Allahu thotë: “Vallë, a nuk është i Zoti Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, t’i rikrijojë njerëzit. Po, s’ka dyshim që do t’i krijojë sërish. Ai është Krijuesi i çdo gjëje dhe i Gjithëdijshmi!” [ Jasin: 81]
  • Allahu ka fuqi t’i transformojë krijesat nga një gjendje në një tjetër. Ata që nuk besojnë ringjalljen, duke parë se si vdesin dhe treten njerëzit në tokë, mendojnë se ringjallja pasi njeriu shndërrohet në dhe është e pamundur. Duke folur për mosbesimtarë të tillë, Allahu thotë: “Ata thonë: “Vallë, pasi të tretemi nën tokë, përsëri do të ngjallemi”” [es Sexhde: 10]. Allahu ka bërë të qartë në shumë vende në Kuran se ka fuqi t’i transferojë krijesat nga një gjendje në një tjetër, ndaj dhe i vdes gjallesat e i ngjall, krijon dhe zhduk. Ai e shndërron të vdekurën në të gjallë dhe të gjallën në të vdekur. Zoti thotë: “Me të vërtet, Allahu është Ai që farën dhe bërthamën e bën të mugullojë. Ai nxjerr të gjallën prej të vdekurës dhe të vdekurën prej të gjallës. Ky është Allahu. Atëherë, përse i largoheni Atij? [el En’am: 95]. Allahu bën që prej farës së thatë e të ngurtë të dalë filizi i njomë e i gjelbërt i cila lulëzon dhe bën fruta, e më pas kjo bimë e njomë dhe gjelbërt jep fara të ngurta dhe të pajeta. Po ashtu nga shpendët e gjallë dalin vezët e pajeta dhe nga vezët e pajeta dalin shpendët që lëvizin e cicërojnë dhe që fluturojnë në hapësirë. Kalimi i njerëzve nga një gjendje në tjetrën: nga të pajetë në të gjallë dhe më pas nga vdekja në jetë është argument i madh mbi fuqinë e Allahut, një argument që i bën mendjet t’i nënshtrohen madhërisë dhe pushtetit të Allahut. Allahu thotë: “Si mund ta mohoni Allahun, ndërkohë që keni qenë të pajetë e Ai ju dha jetën?! Pastaj Ai do t’ju bëjë të vdisni, më pas do t’ju ringjallë e, në fund, do të ktheheni tek Ai?!” [el Bekare: 28].
  • Allahu ka informuar në Kuranë për ngjalljen e disa të vdekurve në këtë botë, në pse vende të sures el Bekare: 55-56, 73, 243, 259.
  • Allahu ka dhënë si shembull për Ringjalljen; ringjalljen e tokës me bimët. Ai thotë: “Andaj, shikoji gjurmët e mëshirës së Allahut, si e gjallëron tokën pas shkretimit të saj. Vërtet, Ai do t’i ringjallë edhe të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë” [err Rrum: 50].
  • Ringjallja e njerëzve për llogari dhe shpërblim është një kërkesë e Urtësisë dhe drejtësisë së Allahut. Allahu i krijoi njerëzit që ta adhurojnë. Ai dërgoi të dërguarit dhe zbriti librat që t’u tregojë njerëzve mënyrën se si duhet ta adhurojnë Atë. Ka njerëz që iu bindën Allahut dhe sakrifikuan për Të, por ka të tjerë që nuk iu bindën, bënë padretësi e ligësi, atëherë a do të ishte e arsyeshme që të vdiste i miri dhe i keqi, i drejti dhe i padrejti, e më pas Allahu të mos shpërblente të mirin për mirëbërjen dhe të keqin për keqbërjen?! Qafirat e të humburit mendojnë se gjithësia është krijuar kot, pa kuptim e pa qëllim dhe se nuk ka dallim ndërmjet përfundimit të besimtarit të drejtë dhe ndërmjet qafirit të prishur, as ndërmjet të devotshmit dhe ndërmjet të shthururit. Zoti thotë: “Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve; prandaj mjerë jobesimtarët kur të hidhen në zjarr! A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe keqbërësit në Tokë?! A t’i trajtojmë njësoj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!” [Sad: 27-28]. Ai gjithashtu thotë: “A menduat se ne u krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni ju te Ne?” [El Mu’minune: 115].

Read Previous

Fjale shume te bukura nga Profeti alejhi selam

Read Next

Si ta largosh mesyshin.