6 ditët e shevalit

0
2794

Ebu Ejub el Ensariu (radijAllahu anhu!) tregon se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Atij që e agjëron Ramazanin, pastaj e pason atë me (agjërim të) gjashtë ditëve të shevalit, i llogaritet sikurse agjërimi i tërë vitit.” E shënon Muslimi.

O ti besimtar!

Fjala e tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “që agjëron Ramazanin”, do të thotë e plotëson (përfundon) agjërimin e tij gjatë muajit Ramazan.

Fjala e tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “pastaj e pason atë” nënkupton se këto (gjashtë) ditë i agjëron pas

Ramazanit. Nga ky hadith përfitojmë dobi të shumta, prej të cilave theksojmë:

1. Nxitja për agjërimin e gjashtë ditëve nga muaji sheval, bazuar në fjalën e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “i llogaritet sikurse agjërimi i tërë vitit.”

2. Pëlqyeshmëria e agjërimit të këtyre gjashtë ditëve. Nga konteksti i hadithit bëhet e qartë se nuk ka dallim nëse këto ditë agjëron rresht ose të ndara. Pra, njeriu është i lirë të zgjedhë atë që i vjen më lehtë atij.
3. Mirësia e madhe e Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij: ua shumëfishon të mirat atyre.

4. Kush i agjëron këto gjashtë ditë para se të përfundojë ditët e lëna (me arsye) nga Ramazani, ai nuk e arrin (nuk e fiton) këtë shpërblim, ngase Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Atij që e agjëron Ramazanin, pastaj e pason atë”, pra, kush e agjëron të tërin (Ramazanin).

5. Kush nuk mund t’i agjërojë gjashtë ditët në muajin sheval, për shkak të agjërimit të ditëve të lëna nga Ramazani, le t’i agjërojë në muajin dhulkade, ngase dera e agjërimit vullnetar (nafile) është e gjerë. Prej dijetarëve që kanë këtë mendim është shejh Abdurrahman es Sadi (Allahu e mëshiroftë!). [1]
6. Agjërimi i këtyre ditëve është shenjë se Allahu i Lartësuar ia ka pranuar agjërimin e muajit Ramazan atij që agjëroi, sepse vazhdimësia në adhurim, pas përfundimit të adhurimit, është shenjë se Allahu i Lartësuar ka pranuar një adhurim të tillë.
[1] Shih: “El-Fetava Es-Sadijjeh”, f. 230.

Unejs Sheme