Në fjalët e lartpërmendura të profetit alejhi selam ka një vlerësim të përgjithshëm të punëve të mira dhe rëndësisë së tyre në këtë dhjetëditësh mirëpo disa punë të mira janë më të veçanta dhe ja çfarë janë veçuar prej tyre:
1- Tekbiri (fjala ALLAHU EKBER), tehlili (fjala LA ILAHE IL-LALLAH) dhe tahmidi (fjala EL-HAMDULILAH).
Ibn Umeri radiallahu anhu trgon se profeti alejhi selam ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë me të madhe te Allahu dhe as punët e mira të jenë më të dashura për të sesa këto dhjetë ditë prandaj shpeshtojeni në to: tehlilin, tekbrin dhe tahmidin” e transmeton Imam Ahmedi.
Hadithi i Ibn i Umerit nuk është edhe aq i saktë por e përforcon atë puna e disa sahabëve dhe e disa tabiinëve:
Imam Buhariu thotë: “Ibn Umeri dhe Ebu Hurejra radiallahu anhuma dilnin në treg në këto dhjetë ditë dhe bënin tekbire dhe njerëzit përcillnin tekbirin e tyre”.
Jezid bin Ebu Jezid thotë: “Kam parë Said bin Xhubeirin, Abdurrahman bin Ebu Lejla, Muxhahidin dhe të tjerë prej fukahave duke thënë në këto dhjetë ditë: ALLAUHU EKBER, ALLAHU EKBER, LA ILAHE IL-LALLAH, ALLAUHU EKBER, ALLAHU EKBER, UE LILAHIL-HAMD” e transmeton El-Firaberi.
Këto tekbire bëhen akoma më të forta kur të vijnë dy ditët e fundit e nënta dhe e dhjeta sepse ato janë edhe pjesë e festës siç tregon Ukbe bin Amir se profeti alejhi selam ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e kurbanit dhe tre ditët e teshrikut (janë quajtur kështu se në kohet e hershme në këto ditë thanin në diell mishin e kurbanit) janë festat tona, ne pasuesit e islamit.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.
2- Agjërimi i këtij dhjetëditëshi me përjashtim të ditës së dhjetë që është dita e kurbanit.
Disa prej grave të profetit alejhi selam kanë thënë: “Profeti alejhi selam agjëronte nëntë ditët e Dhulhixhes, ditën e Ashurasë, tre ditë në çdo muaj dhe të hënën e parë të çdo muaji dhe të enjten” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Ky agjërim bëhet akoma më i fortë për ata që nuk janë në haxh kur vjen dita e Arafatit siç tregon Ebu Katade El-Ensari radiallahu anhu se profeti alejhi selam është pyetur për agjërimin e ditës së Arafatit dhe ka thënë: “Fshin gjynahet e vitit të kaluar dhe të ardhshëm”. E transmeton Muslimi.
Agjërim e këtyre dhjetë ditëve me përjashtim të ditës së nëntë ditës së Arafatit e ka pas mohuar Aisha radiallahu anha duke thënë: “Nuk e kam parë kurrë të dërguarin e Allahut agjërueshëm në dhjetëditëshin e Dhulhixhes” e transmeton Muslimi.
Komentuesit e haditheve thonë se hadithi i Aishes nuk e hedh poshtë hadithin tjetër për njërën nga këto tre arsye:
E para: Hadithi i Aishes e mohon kurse hadithi tjetër e pohon dhe pohuesi është argument për mohuesin.
Imam Bejhakiut thotë: “Ai që pohon është ka më shumë përparësi se ai që e mohon duke qenë se përkrahet nga hadithi i Ibn Abasit”. Me fjalën e tij [hadithi i Ibn Abasit] ka për qëllim hadithin: “Puna e mirë nuk është më me vlerë në ndonjë ditë sesa në këto ditë…”
E dyta: Hadithi i Aishes radiallahu anha mohon vetëm agjërimin e të gjithë ditëve dhe nuk mohon agjërimin e disa ditëve.
Imam Neveviu thotë: “Dijetarët e interpretojnë këtë hadith kështu: fakti se ajo nuk e ka parë nuk të thotë me patjetër se ai nuk ka agjëruar sepse profeti -alejhi selam- qëndronte te ajo një ditë nga nëntë ditët dhe të tjerat te nënat e tjera të besimtarëve ose ndoshta ai agjëronte nganjëherë disa prej tyre dhe nganjëherë të gjitha dhe nganjëherë linte disa prej tyre për shkak të ndonjë udhëtimi apo sëmundje dhe kështu bashkohet mes haditheve”.
E treta: Profeti alejhi selam e linte nga njëherë punën nga frika se mos bëhet detyrë siç tregon vetë Aisha në një hadith tjetër: “Profeti alejhi selam e linte punën edhe pse donte ta bënte, nga frika se mos do e bëjnë njerëzit dhe më pas t’ju bëhej detyrë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
3- Kurbani ditën e dhjetë ditën e fundit të këtij dhjetëditëshi.
Kurbanet për Allahun janë një formë tjetër e adhurimit të tij dhe shpesh herë janë përmendur me namazin si në ajetin: “Falu për hir të zotit dhe bëj kurban” surat
u El-Keuther: 3. Ato kur vjen dita e dhjetë Dhul-Hixhes kanë akoma më shumë vlerë sepse kanë një domethënie tjetër veç faktit se janë forme adhurimi dhe ajo është: ndjekja e gjurmëve të profetit Ibrahim -alejhi selam- si simbol i adhurimit të Allahut një dhe sakrificës për të.
Profeti alejhi selam thoshte: “O ju njerëz, për çdo familje në çdo vit duhet një kurban” e transmeton Ebu Daudi, Termidhiu, Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.
Gjithashtu është transmetuar se profeti alejhi selam ka thënë: “Kush ka pasuri dhe nuk bën kurban, të mos i afrohet vendit të faljes së Bajramit” e transmeton Ahmedi, Ibn Maxhe, Hakimi dhe e saktëson sheikh Albani.
Shumë dijetar mendojnë se kurbani i Bajramit është detyrë për atë që ka mundësi dhe kjo është më e sakta sepse hadithet vijnë në formën urdhërore.
4- Haxhi (vizita e shtëpisë së Allahut) për atë që ka mundësi.
Haxhi është puna më e mirë që mund të kryejë njeriu në këto dhjetë ditë sepse vlera e tyre ka ardhur pikërisht nga haxhi.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon: “Ka ligjëruar një herë profeti -alejhi selam- dhe na ka thënë: O njerëz! Allahu ua ka bërë detyrë haxhin prandaj bëni haxh! Një burrë pyeti: Në çdo vit o i dërguari i Allahut? Profeti -alejhi selam- heshti dhe burri e përsëriti pyetjen tre herë. Atëherë profeti -alejhi selam- i tha: sikur të thoja: po do të bëhej detyrë. E nëse do të bëhej detyrë dhe nuk do ta bënit. E nëse nuk e bëni do të dënoheshit. Ai është detyrë një herë dhe nëse shto është punë vullnetare” e transmeton Muslimi, Ebu Daudi, Ibn Maxhe, Nesai etj.
Fjala e tij [sikur të thoja: po do të bëhej detyrë] tregon se përgjigja mund të ishte edhe me “Po” por ajo që e ka detyruar profetin -alejhi selam- të thotë “Jo” është fakti që të mos rëndonte kjo gjë mbi ymetin e tij. Atëherë ky hadith tregon se për mirësinë e përsëritjes së haxhit aq më tepër kur kjo gjë është saktësuar edhe në hadithe të tjera si hadithi i Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu- i cili tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Pasojeni haxhin me umre dhe umren me haxh sepse ato të dyja i fshijnë varfërinë dhe gjynahet siç fshin farka pisllëkun e hekurit, florit dhe sermit.
Dhe haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër veç xhenetit” e transmeton Nesai, Tirmidhiu Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.
Kjo punë duhej të ishte përmendur e para por e vonuam sepse haxhi është punë që kërkon mundësi të mëdha shëndetësore dhe financiare dhe ato mund të mos jenë të mundshme për të gjithë njerëzit madje shpesh herë edhe nëse është njëra nuk është tjetra dhe kështu nuk realizohet haxhi. Për të gjithë ata që kanë mundësi ta kryejnë këtë ibadet profeti -alejhi selam- ka përmendur një kufi që nuk është mirë të kalohet dhe thotë: “Allahu i madhëruar thotë: Ai rob të cilit i kam dhënë shëndet në trupin e tij dhe ia kam lehtësuar jetesën pastaj i kalojnë pesë vjet dhe nuk vjen te unë vizitor, i është penguar mirësia” e transmeton Ebu Jala, Taberanij, Bejhakiu dhe e saktëson sheikh Albani.
Shkroi: Dr Abdullah Nabolli