Namazi i duhasë
1- Mirësia e tij
2- Gjykimi i tij
3- Koha e tij
4- Numri i rekateve të tij dhe forma e tyre
Mirësia e namazit të duhasë
Për mirësinë e namazit të duhasë kanë ardhur disa hadithe, por unë po përmend vetëm hadithet e mëposhtme:
Nga Ebu Dherri përcillet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Çdo ditë në të cilën lind dielli, secili prej jush duhet të japë sadaka për çdo nyje (kockash) të trupit të tij. Në çdo tesbih (thënia ‘subhanallah’) ka sadaka, në çdo tehmid (thënia ‘elhamdulilah’) ka sadaka, në çdo tehlil (thënia ‘la ilahe il Allah’) ka sadaka, në çdo tekbir (thënia ‘Allahu ekber’)
ka sadaka, këshillimi për të mirën dhe ndalimi nga e keqja është sadaka dhe mjaftojnë si shlyerje për të gjitha këto, dy rekate që falen paradite.” Muslimi.
Ebu Derdaja dhe Ebu Dherri përcjellin nga i Dërguari i Allahut(salallahu alejhi ue selem) se Allahu i Madhëruar thotë: “ O biri i Ademit, fal për Mua në fillim të ditës katër rekate, që të të mjaftoj Unë për fundin e saj (ditës).” Tirmidhiu, Ahmedi, e saktësoi Albani dhe Ahmed Shakiri.
Nga Ebu Hurejra përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Faljen e namazit të duhasë e ruajnë vetëm ata që pendohen. Ai është namazi i të penduarve.”Ibn Huzejme, Hakimi, Taberaniu, e saktësoi Albani.
Gjykimi i namazit të duhasë
Hadithet e sipërpërmendura tregojnë se ky namaz është i pëlqyeshëm në kohën e duhasë (paradites), e gjithashtu ato tregojnë për lejimin e vazhdimësisë në kryerjen e tij, por nuk saktësohet ndonjë argument që tregon se ai është obligim.
Koha e namazit të duhasë
Koha e namazit të duhasë fillon me lindjen e diellit e vazhdon deri sa dielli të ngrihet në zenit (zeual). Koha më e mirë për faljen e tij është kur dielli bëhet i nxehtë.
Argumenti për çka përmendëm:
Hadithi i Ebu Dherrit dhe i Ebu Derdas tregojnë qartë se koha e tij fillon me fillimin e ditës: “…fal për mua në fillim të ditës katër rekate…”
Nga Enesi (radijallahu anhu) përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush e fal sabahun me xhemat,pastaj qëndron ulur duke bërë dhikër derisa të lindë dielli e pastaj fal dy rekate, ka shpërblimin e haxhit dhe të umres, të plotë, të plotë, të plotë.” Tirmidhiu. E saktësoi Albani.
Nga Ebi Umame përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut në xhami me xhemat dhe qëndron në të derisa të falë namazin e duhasë, ka shpërblimin e plotë të haxhit dhe të umres.” Taberaniu.
Në një përcjellje tjetër: “Kush e fal namazin e sabahut me xhemat dhe qëndron ulur duke bërë dhikër derisa të lindë dielli…” Taberaniu. I saktë, e cilësoi të mirë zinxhirin përcjellës të tij El-Hejthemiu dhe e saktëoi Albani.
Mbarimi i kohës së tij është zeniti (zeuali) sepse ky namaz është namaz i paradites.
Koha më e mirë për faljen e tij, është kur dielli bëhet më i nxehtë, siç përcillet nga Zejd bin Erkami, se ai pa disa njerëz të falnin namazin e duhasë dhe u tha: “A nuk e dini se falja e këtij namazi në kohë tjetër përveç kësaj, është më e mirë? I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue
selem) ka thënë : ‘Namazi i të penduarve është kur të vegjlit e devesë të ndjejnë nxehtësinë e diellit.’ Muslimi
Numri i rekateve të namazit të duhasë dhe forma e tyre
Lejohet që muslimani ta falë namazin e duhasë me dy, katër, tetë apo dymbëdhjetë rekate.
Nëse do, i fal ato dy nga dy, siç vjen në hadithin e Ebu Dherrit: “Çdo ditë që lind, secili prej jush duhet të japë sadaka për çdo nyje (kockë) të trupit të tij…dhe mjaftojnë si shlyerje për të gjitha këto, dy rekate që i fal paradite.”
Mund të falen katër rekate, siç vjen në hadithin e përcjellë nga Ebu Derda dhe Ebu Dherri nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), ku Zoti thotë: “Bir i Ademit, fal për Mua në fillim të ditës katër rekate që të të mjaftoj Unë për fundin e saj (ditës).” Tirmidhiu. U përmend pak më parë gjykimi i tij.
Mund të falen gjashtë rekate, siç vjen në hadithin e përcjellë nga Enes bin Maliku, ku tregohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) falte paradite (në duha) gjashtë rekate. Tirmidhiu. I saktë.
Mund të falen tetë rekate, siç përcillet në hadithin e Umi Hanit:
“Në vitin e çlirimit (të Mekës) erdhi (Umi Hani) te Profeti (salallahu alejhi ue selem), i cili ndodhej në vendin më të lartë të Mekës. Profeti (salallahu alejhi ue selem) shkoi te vendlarja e tij dhe Fatimja e mbuloi (me një copë nga sytë e njerëzve). Pasi mbaroi, e mori rrobën, u mbështoll me të dhe fali tetë rekate të namazit të duhasë.” Buhari, Muslimi.
Gjithashtu, mund të falen edhe dymbëdhjetë rekate.
Nga Ebu Derda përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush e fal (namazin) duhanë dy rekate, nuk shkruhet se është i pakujdesshëm, kush e fal me katër rekate, shkruhet se është adhurues, kush e fal me gjashtë rekate, u mjaftua atë ditë, kush e fal me tetë rekate, e shkruajti Allahu si të devotshëm dhe për atë që e fal
me dymbëdhjete rekate, ndërtoi Allahu një shtëpi në Xhenet. Çdo ditë dhe natë, Allahu u jep mirësi robërve të tij si sadaka dhe nuk i ka dhënë Allahu askujt prej robërve të tij mirësi më të madhe sesa që e udhëzon dikë për në dhikrin ndaj Tij.” Taberaniu. E saktësoi Albani.
Them: Me anë të këtyre haditheve dhe numrin e caktuar që ato kanë, kuptojmë fjalën e Aishes (radijallahu anha), kur Muadhi e pyeti se sa (rekate) falte i Dërguari i Allahut në namazin e duhasë dhe ajo iu përgjigj: “Katër rekate dhe shtonte aq sa dëshironte Allahu.” Muslimi.
Për faljen e tyre dy e nga dy, na tregon hadithi i Profetit (salallahu alejhi ue selem): “Namazi i natës dhe i ditës është dy e nga dy (rekate).”
Ndërsa imam Muslimi përcjell se ato falen katër rekate të pandara me selam, siç falen namazet katër rekatëshe dhe për këtë dëshmojnë edhe hadithet e Profetit (salallahu alejhi ue selem), ndër të cilët: “…fal për Mua në fillim të ditës katër rekate…” dhe: “…kush e fal me katër rekate, shkruhet se është adhurues…”.
(Marre nga libri: ” Bugjetu el-mutetaui fi saleti et-tetau”)