3 keshilla qe duhet ti zbatosh cdo dite

0
924

TRI KËSHILLA PËR JETËN E PËRDITSHME

1-T’i jemi mirënjohës Allahut të Madhëruar për të gjitha mirësitë që na ka falur, qofshin ato të dukshme apo të padukshme. Mirësitë e Allahut ndaj nesh janë të panumërta: ‘’A nuk e dini ju se All-llahu nënshtroi për të mirën tuaj çka në qiej e çka në tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta, e megjithatë prej njerëzve ka që polemizojnë në çështjen e All-llahut duke mos pasur as dituri, duke mos qenë i udhëzuar dhe duke mos pasur libër të ndritshëm.’’ (Lukman 20)  ‘’Dhe Ai ju dha nga të gjitha ato që i kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut ndaj jush, nuk do të arrini ta bëni dot’’ (Ibrahim 34) ‘’Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e ngritni zërin (me lutje).’’ (Nahl 53)

Mirënjohja dhe falënderimi për mirësitë është një prej shkaqeve të ruajtjes së mirësive dhe shtimit të tyre. ‘’Dhe (pëkujtoni) kur Zoti juaj njoftoi: “Nëse falënderoni, Unë do t’ua shtoj  të mirat!” (Ibrahim 7)

Mirënjohja për mirësitë shprehet nëpërmjet falënderimit me gjuhë por edhe nëpërmjet shfrytëzimit të mirësive në punë të mira. Si p.sh: Shfrytëzimi i pasurisë për nevojat vetjake dhe familjare, dhënia e zekatit, dhënia e lëmoshës, dhënia e borxhit…etj.  Shfrytëzimi i shëndetit dhe i gjymtyrëve të trupit për punë të dobishme si falja e namazit, agjërimi, kryerja e haxhit, ndihma fizike ndaj të tjerëve…etj. Të gjitha këto janë forma të mirënjohjes ndaj mirësive sepse në këto raste njeriu po i përdor mirësitë që i ka fal Zoti për qëllime të mira dhe nuk po i përdor për qëllime të dëmshme.

2-Përmirësimi i vetes: Besimtari duhet të jetë gjithmonë në përmirësim e sipër të vetes së tij. Si nga ana e moralit poashtu dhe nga ana e punëve të mira. Që të arrihet kjo ai duhet që ta ketë veten e tij në vëzhgim dhe mbikqyrje të vazhdueshme. Dhe duhet të jetë i organizuar dhe i sistemuar në çështjet e tij, e jo i shkujdesur dhe i pavëmendshëm. Prej urtësisë së orareve të namazit është organizimi i jetës dhe disiplinimi i besimtarit që të jetë i sistemuar dhe i organizuar në çështjet e tij. Prej urtësisë së agjërimit është që besimtari të jetë i vetpërmbajtur dhe i ndershëm. Prej urtësisë së zekatit dhe lëmoshës është që besimtari të jetë bujar dhe human. Kështuqë besimtari duhet që të organizohet për përmirësimin e sjelljes duke e frenuar veten e tij nga mëkatet si përgojimi,theshethemet,shpifjet, paragjykimet, arroganca, fyerja, ofendimi, përbuzja,tallja e duke e disiplinuar veten me vetpërmbajtje,ndershmëri dhe devotshmëri. Si dhe të organizohet për përmirësimin e punëve të mira duke qenë i përpiktë në radhë të parë me detyrat fetare dhe shoqërore, e më pas të ketë një program për përmirësim të mëtejshëm si leximi i një libri, leximi dhe mësimi i pjesëve të Kuranit përmendësh, pjesëmarrja në mësime, pjesëmarrja në veprimtari bamirësie,pjesëmarrja në namazet e xhenazeve, vizita e të sëmurëve…etj.

3-Shtimi i istigfarit: Istigfari,kërkimi i faljes është virtyt që Allahu e pëlqen. Sa do të kujdesshëm dhe të vëmendshëm që mund të jemi, ne jemi njerëz dhe kemi gabime dhe të meta. Prandaj istigfari duhet të jetë pjesë e përditshmërisë sonë. Enesi –Allahu qoftë i kënaqur me të- ka treguar se ka arritur t’i numëronte Profetit –Paqja qoftë mbi të-deri në njëqind istigfare në një tubim. Në fund të sures Nasr, e cila u shpall për të njoftuar Profetin -Paqja qoftë mbi të- për sosjen e misionit të tij dhe afrimin e kohës së vdekjes, Profeti -Paqja qoftë mbi të- u urdhërua që të madhërojë Allahun dhe të bëjë istigfar,kërkojë falje. Profeti- Paqja qoftë mbi të-pas çdo namazi e kishte traditë që të bënte tri herë istigfar.

Istgfari ka mirësi të shumta ndër të cilat janë: Pohimi i të metave dhe dobësisë para Zotit. Shtimi i rrizkut dhe mirëqenies: ‘’O populli im, kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe pendohuni tek Ai, Ai ju lëshon shi me bollëk, dhe fuqisë suaj i shton fuqi, e mos refuzoni të bëheni mëkatarë!”(Hud 52)  Është garanci prej ndëshkimit të Zotit: ‘’Por All-llahu nuk do t’i dënojë ata, derisa ti (Muhammed) je në mesin e tyre dhe All-llahu nuk do t’i dënojë, derisa ata kërkojnë falje (istigfarë).’’ (Enfal 33)

Përgatiti Rexhep Milaqi