3 këshilla nga të devotshmit

Malik bin Dinar[1] (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Njerëzit e devotshëm porositnin me tri gjëra: me burgosjen e gjuhës, me shtimin e istigfarit (kërkimin e faljes tek Allahu) dhe veçimin nga njerëzit.[2]

 

Dobitë që përfitohen:

 

E para: Feja është këshillë dhe këshilla është prej fesë. Siç ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Feja është këshillë.”[3]

 

E dyta: Këshilla është prej cilësive të fitimtarëve. Allahu i Lartësuar ne librin e Tij thotë: “Pasha kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.[4] Hafidh Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Allahu i Lartësuar betohet se çdo njeri është i humbur, përveç atij që cilësohet me këto katër cilësi:

  1. Besimi.
  2. Vepra e mirë.
  3. Këshillimi për të vërtetën.
  4. Këshillimi për të qenë i durueshëm në të vërtetën.[5]

 

E treta: Rreziku i gjuhës. Me anë të gjuhës njeriu shqipton (shpreh) dy dëshmitë dhe me këtë hynë në Islam. Me anë të gjuhës njeriu shqipton ndonjë fjalë kufri dhe del me këtë nga Islami. Allahu i Lartësuar thotë: “Por, në të vërtetë, ata thanë fjalën e mosbesimit, mohuan pas (pranimit të) Islamit.”[6] Për shkak të gjuhës njeriu hynë në Xhenet. Një burr tha: O i Dërguari i Allahut! Filan grua përmendet për agjërimin e pakët të saj, të sadakasë dhe namazit (vullnetar) të saj, por ajo nuk i lëndon fqinjët e saj me gjuhën e saj. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Ajo është në xhenet.”[7] Për shkak të gjuhës njeriu hynë në zjarr. Një burri tha: O i Dërguari i Allahut! Filan grua përmendet për namazin e shumtë (fal shumë nafile), të sadakasë dhe agjërimit të saj (vullnetar), porse ajo i lëndon (mundon) fqinjët e saj me gjuhën e saj. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Ajo është në zjarr.”[8] Sa ka prej muslimanëve që falen, madje dhe në safin/rreshtin e parë, porse i lëndon njerëzit, qoftë dhe brenda në xhami, me gjuhën e tij?! Frikësoju Allahut, o rob i Allahut, në lidhje me gjuhën tënde, ngase çështja e saj është shumë e rrezikshme. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shumica e gabimeve të birit të Ademit janë nga gjuha e tij.”[9]

 

E katërta: Kush e frenon/burgos gjuhën, shpëton, e kush e lëshon, shkatërrohet. Seid bin Xhubejr (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: E kam parë Ibën Abasin ta kapte gjuhën e tij dhe thoshte: “Fol mirë që të fitosh ose përndryshe hesht e të shpëtosh para se të bëhesh pishman[10]

 

E pesta: Vlera e shtimit të istigfarit. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Lum për atë që gjen në regjistrin e punëve të tij shumë istigfar (kërkim falje tek Allahu).[11]

 

E gjashta: Istigfari është prej shkaqeve të zgjerimit të gjoksit dhe shijimit të ëmbëlsisë së besimit. Dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kush sheh se nuk po i zgjerohet gjoksi, nuk po e arrin ëmbëlsinë e besimit dhe dritën e udhëzimit, le të shtojë pendimin e istigfarin (kërkimin e faljes tek Allahu).”[12]

 

E shtata: Veçimi nga njerëzit në kohë trazirash për të ruajtur fenë, e cila është gjëja më e shtrenjtë. Porse “muslimanët ndryshojnë nga njëri-tjetri, së pari nga besimi i tyre, pastaj nga koha dhe nga vendi i tyre. Kush është me besim të fortë dhe nuk ka frikë për veten e tij se mund të devijojë, në akiden apo sjelljen e tij, më e mira për të është që të përziehet me muslimanët dhe të mos ndahet prej tyre.  Për këtë kemi tekst të qartë, në fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që e transmeton Tirmidhiu e të tjerë prej autorëve të “Suneneve” nga Abdullah bin Umer bin el-Hatabi radijAllahu anhu, i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Besimtari i cili përzihet me njerëzit dhe i duron dëmet e tyre, është më i mire se ai që nuk përziehet me ta dhe nuk duron në dëmet e tyre.”[13]

 

Shkëputur nga “Perla dhe margaritarë nga dijetarët tanë”

 

Përgatiti: Unejs Sheme

[1] Ai është Ebu Jahja Malik bin Dinar. Ai u lind në kohën e Abdullah bin Abasit radijAllahu anhu dhe është prej tabiinëve dhe jo prej sahabëve, siç mendojnë disa.

[2] “El-Hiljeh” (2/277)

[3] Shënon Muslimi (55)

[4] El-Asr, 1-3

[5] “Lataiful-Mearif”, vell. 1

[6] Et-Teube, 74

[7] Hadith autentik. “Sahihu et-Tergib uet-Terhib” (2560)

 

[8] Hadith autentik. “Sahihu et-Tergib uet-Terhib” (2560)

[9] Hadith i mirë (hasen). “Sahihul-Xhami” (1201)

[10] “Ez-Zuhd” (236)

[11] “Sahihul-Xhami” (3930)

[12] “El-Fetaua” (5/62)

[13] “Es-Sahihah” (939). Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “El-Huda uen-Nur” (760)

Read Previous

LUTJA PËR LARGIMIN E SHQETËSIMIT DHE SHLYERJEN E BORXHIT

Read Next

Mësojani të mirën vetes dhe familjes suaj