18 dobi nga sureja el Ihlas!

0
1918

18 dobi nga sureja el Ihlas!

Dobi nga sureja el Ihlas;

1. E rradhitur në Mus’haf me nr 112.

2. E zbritur në Meke.

3. Posedon 4 ajete të shkurtëra me porosi dhe mësime jetësore në aspektin e besimit Islam, konkretisht Njëshmërinë e të adhuruarit të vetëm me të drejtë të kësaj gjithësie.

4. Shkaku i zbritjes së kësaj sure ishte se politeistët jobesimtarë pyetën të dërguarin e Allahut për origjinën(prejardhjen) e Allahut, e pastaj Allahu e zbriti këtë sure si përgjigje të pyetjes së tyre.

5. Ndryshe emërtohet edhe me emra të tjerë:

a) Sureja el Ihlas(sinqeriteti),

b) Sureja KulhuvaAllahu Ehad(Allahu është Një dhe i Vetëm),

c) Sureja el Esas(Themeli, Baza),

d) Sureja et Teuhid(Njëshmëria),
dh) Sureja es Samed(Ai të Cilit i drejtohen krijesat për çdo nevojë), saqë disa dijetarë të tefsirit kanë cekur rreth 20 emra të kësaj sure, ne po mjaftohemi me më kryesorët.

6. Kur i dërguari i Allahut shtrihej në shtrat për të fjetur i mblidhte duart, pastaj fryente në to(duke e shoqëruar frymën me fare pak pështymë) dhe lexonte suret: Ihlas, Felek dhe Nas, pastaj pas fryerjes me të brendshmet e duarëve e fërkonte trupin e tij aq sa mundte, duke filluar prej kokës, fytyrës dhe pjesës së përparme të trupit dhe këtë e përsëriste tre herë.

7. Ishte sure e dashur në mesin e shokëve të resulullahut, e lexonin shpeshherë në namazet e tyre.

8. Surej el Ihlas është e barabartë me një të tretën e Kuranit.

9. E tërë sureja na thekson Njëshmërinë e Allahut, na mëson se Ai është i pastër nga çdo e metë, nuk ka prindër e as fëmijë, nuk ka nevojë për asgjë, Ai është i Pari, i Cili nuk ka pasur fillim dhe para të Cilit nuk ka pasur asgjë si dhe është i Fundit, i Cili nuk ka mbarim dhe pas të Cilit nuk ka asgjë.
Çdo krijesë është nevojtare për Të, ndërsa Ai është i pavarur, i panevojshëm për krijesat e Tij, i Lartësuar dhe i Madhëruar është Ai.
Ky Zot, me gjithë këto cilësi të bukura, të përsosura, a nuk meriton të adhurohet i vetëm dhe vetëm Atë ta synojmë në çdo çështje tonën?

10. Asgjë nuk i ngjason Allahut, Ai është i Dëlirë, i Pastër dhe larg të gjitha të metave dhe përngjasimeve.
Le të ngulisim këtë thellë në vetët tona.

11. Madhëroje Allahun dhe orvatu maksimum ta vlerësosh ashtu siç i takon Atij.

12. Allahut nuk i ngjason asgjë dhe asnjë krijesë, përfshirë Qenien, veprimet, emrat dhe cilësitë e Tij.

13. Ti mohojmë Allahut çdo mangësi, Atij nuk i takon asgjë e keqe a e ligë, sepse Ai është i Gjithëpërsosuri, i Patëmeta.

14. Allahu nuk ka as fëmijë as prindër. Ai është i pastër nga çdo e metë. Nga Madhështia e Tij e përkryer, Ai nuk ka nevojë për asgjë.

15. Ti lidhim zemrat tona vetëm me Allahun, pasiqë nga Ai vjen tërë mirësia dhe prej Tij largohet e gjithë ligësia.

16. Allahu është i veçuar me njëshmërinë e Tij. Është Një, i Vetëm e i Pashoq në Qenien, në Emrat dhe Cilësitë e Tij.

17. Vetëm Allahu është Ai të Cilit i drejtohen krijesat për çdo nevojë, meqenëse është i Fuqishëm dhe ka mundësi tua plotësojë kërkesat e tyre. Është Ai që nuk ka nevojë për asgjë, por të gjitha krijesat kanë nevojë për Të.

18. Ai as ka lindur kë e as është i lindur nga dikush, është i Vetëm, Një, i Veçuar me njëshmërinë e Tij, nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij.

Përmblodhi dhe përshtati;
Hoxhë Suad Shabani