13 menyra si të mbrohesh nga mësyshi dhe magjia

Si të mbrohesh nga mësyshi, magjia dhe xhindët

 

Për të qenë i mbrojtur nga mësyshi, magjia dhe xhindët duhet të ndjekësh udhëzimet e mëposhtme:

1- Të pranosh me bindje besimin Islam, bazat e së cilit janë gjashtë:

Së pari, besimi në një Zot të vetëm, i Cili nuk është i ngjashëm me asgjë. Ai nuk ka as bir, as partner dhe askush përveç Tij nuk ka të drejtë të adhurohet. Atij i përkasin emrat më të bukur dhe cilësitë më të përkryera. Askush nuk ndan me Të zotërimin dhe cilësitë e Tij. Në Kuran, Zoti e përshkruan veten e Tij duke thënë: “Thuaj: Ai, Allahu është një! Allahu është Ai, të cilit çdo krijesë i dretohet për çdo nevojë. Ai nuk ka lindur askënd dhe nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë me të” [112: 1-4]. Allahu është i Pafillim, i Pambarim, i Gjallë dhe i përjetshëm. Ai është më i madhi, më i larti dhe më i bukuri. Askush dhe asgjë veç Allahut nuk meriton të adhurohet. Zoti thotë në Kuran:

“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë”. [el Fatiha: 5].

“O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat”. [el Bekare: 21].

“Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë në adhurim” [en Nisa: 36].

“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë”. [Edh Dharijat: 56].

Allahu është i plotfuqishmi, Krijuesi, Sovrani dhe mbajtësi i gjithçkaje. Të gjitha çështjet janë në dorë të Tij. Ai nuk ka nevojë për asgjë e të gjitha krijesat varen nga Ai për çdo gjë. Ai është dëgjuesi dhe shikuesi i gjithçkaje. Ai e din çdo gjë. Dija e tij përfshin të gjitha gjërat, të fshehtat e të dukshmet. Ai di gjithçka që ka ndodhur, që do të ndodhë dhe se si do të ndodhë. Asgjë nuk mund të ndodhë pa lejen e Tij. Çfardo që Ai dëshiron, bëhet e çfarëdo që Ai nuk e dëshiron nuk mund të bëhet kurrë. Vullneti i Tij është mbi vullnetin e çdo krijese. Ai ka fuqi për çdo gjë dhe është i aftë për të bërë çdo gjë. Ai është mëshirues dhe mëshirbërës. Zoti nuk është i padrejtë. Të gjitha urdhërat dhe veprimet e Tij mbështeten në Urtësinë dhe Dijen e Tij. Ai kurrë nuk bën gabime. N.q.t. se dikush do diçka prej Tij duhet t’ia kërkojë atë Atij drejpërsëdrejti pa ndërmjetësim. Allahu thotë në Kuranë:

“Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua (pa ndërmjetësues)” [ Bekare: 186].

“Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” [el Gafir: 60].

“Ata adhurojnë në vend të Allahut atë që as nuk u bën dëm, as nuk u sjell dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu”! Thuaj: “A po i tregoni Allahut për diçka që Ai nuk e di në qiej dhe në Tokë?! I Dëlirë dhe i Lartësuar është Ai nga gjithçka që ia shoqërojnë Atij në adhurim!” [ Junus: 18].

“Sa për ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij, duke thënë: “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu”, Allahu me siguri që do t’i gjykojë për mospajtimet që kanë patur. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e mohues” [ez Zumer: 3].

Islami e mohon kategorikisht çdo lloj krahasimi të Zotit me krijesat, përfshi këtu edhe krahasimin me njeriun, pasi Krijuesi ndryshon nga krijesat. Allahu thotë në Kuran:

“Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha”.

Zoti është i Latësuar e i Madhëruar. Ai ndodhet në lartësi jashtë dhe përtej të gjitha krijesave. Ai është larg prej çdo mangësie. Atë as nuk  mund ta kufizojnë krijesat dhe as nuk mund ta përfshijnë. Allahu thotë: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet madhërinë dhe fuqinë e Allahut. Në ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij. Ai është i pastër dhe larg atyre që ia shoqërojnë në adhurim.” [Ez Zumer: 67].

Allahu nuk lodhet kurrë, nuk përgjumet dhe nuk fle kurrë. Ai thotë në Kuranë:

“Allahu! Nuk ka hyjni tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë” [el Bekare: 255].

Së dyti, besimi në ekzistencën e melaikeve (ëngjëjve). Melaiket janë krijesa të nderuara të krijuara prej drite. Ata adhurojnë vetëm Zotin, i binden Atij dhe veprojnë vetëm me urdhërin e Tij. Një prej melaikeve është Xhibrili, i cili i transmetoi Muhamedit a.s. Kuranin për njëzet e tre vjet rresht.

Së treti, besimi në librat e shpallur të Zotit. Muslimani beson se Zoti u shpalli të dërguarve të Tij libra si argumente për njerëzimin dhe si udhëzim për ta. Midis këtyre librave është Kurani, i cili iu shpall të Dërguarit Muhamed a.s. Të gjithë librat veç Kuranit me kalimin e kohës janë ndyshuar nga duart e njerëzve, ndërsa Kurani është i pandryshueshëm, sepse Allahu ka garantuar mbrojtjen e tij nga çdo ndryshim apo deformim. Zoti thotë: “Ne e shpallëm Kuranin dhe Ne do ta mbrojmë atë” [el Hixhër: 9].

Së katërti, besimi në të dërguarit e Zotit. Muslimani beson në të dërguarit e Zotit duke filluar me Ademin, Nuhun, Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Ja’kubin, Musain dhe Isain (Jezusin) e duke përfunduar me Muhamedin a.s i cili ishte i dërguari i fundit i Zotit. Për faktin që Muhamedi a.s është i dërguari i fundit i Zotit Allahu thotë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu e di çdo gjë” [el Ahzab: 40]. Të dërguarit e Zotit ishin njerëz të zakonshëm. Ata nuk kishin cilësi hyjnore dhe as nuk meritojnë të adhurohen përkrah Allahut. Zoti i drejtohet Muhamedit a.s në Kuranë:

“Thuaj: “Unë jam vetëm një njeri si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet! [el Kehf: 110].

“Thuaj: “Unë nuk mund të sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe” [el A’raf: 188]. Përderisa Muhamedi i cili është njeriu më i mirë dhe më i nderuar, nuk ka pasur cilësi hyjnore, nuk e dinte të fshehtën, nuk zotëronte dëm e dobi qoftë edhe për vetveten, nuk mund të shëronte, nuk mund të jepte lumturi, qetësi, begati, bollëk e rrizk askujt, nuk meritonte të adhurohej e as të kërkohej prej tij, atëherë si mund të hyjnizohen e të adhurohen tyrbet dhe të ashtuquajturat vende të mira apo të ashtuquajturit njerëz të mirë, dhe si mund t’u atribuhen atyre gjëra të tilla e të kërkohen prej tyre? Vërtet, ata që shkojnë e kërkojnë shërim, qetësi begati, fëmijë e lumturi prej tyrbeve, teqeve, të ashtuquajturave vende të mira, të ashtuquajturve njerëz të mirë janë në humbje të sigurt. Zoti thotë: “Kush është më i humbur se ai, i cili, në vend të Allahut, u lutet atyre që nuk mund t’u përgjigjen deri në ditën e Kiametit e që janë krejt të pavetëdijshëm ndaj lutjes së tyre?!” [el Ahkaf: 5-6].

Së pesti, besimi në botën tjetër. Muslimanët besojnë se njerëzit do të ringjallen pas vdekjes për t’u gjykuar nga Allahu, për besimin dhe punët e tyre. Jeta tjetër nuk është vetëm një jetë shpirtërore, por shpirtërore dhe fizike. Disa prej argumenteve të ringjalljes janë:

  • Allahu thotë vetëm të vërtetën. Ai na ka lajmëruar në Kuran se do t’i ringjallë të gjithë njerëzit: “Allahu! Nuk ka hyjni tjetër të vërtetë përveç Atij. Ai do t’u mbledhë në Ditën e Kiametit, për të cilën nuk ka dyshim aspak! E kush është në fjalë më i vërtetë se Allahu?” [en Nisa: 86]. Jo vetëm kaq, por Allahu i ka konsideruar qafira, femohues ata që nuk besojnë ringjalljen pas vdekje: “Mohuesit e fesë kujtojnë se nuk do të ringjallen kurrsesi. Thuaju: “Po, për Zotin tim, me siguri që do të ringjalleni e pastaj do të njoftoheni për atë ç’keni bërë!” Dhe kjo është e lehtë për Allahu” [et Tegabun: 7].
  • Krijimi i parë është argument për krijimin e dytë. Përderisa Allahu e ka zënë fill krijimin e njeriut, Ai ka fuqi ta ringjallë dhe kjo është më e lehtë për të. Ne shikojmë çdo ditë fenomenin e rikrijimit dhe të gjallesave të reja të cilat vijnë në jetë: fëmijë që lindin, shpendë që dalin nga vezët, kafshë që i pjellin nënat e tyre, peshq që mbushin detin dhe lumenjtë. Të gjitha këto pra njeriu i shikon me sytë e vet, dhe megjithatë nuk e pranon faktin që një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe një herë tjetër pasi që Allahu ta ketë zhudukur jetën. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë” [err Rrum: 27].
  • Ai që ka fuqi të krijojë diçka të madhe ka fuqi të krijojë atë që është më e vogël se kjo gjë. Nuk është aspak racionale të akuzosh si të paaftë për të mbajtur diçka fare të vogël atë që ka mbajtur diçka të madhe. Po kështu është kur një njeri mund një burrë të fortë, atij nuk mund t’i thuhet: ti nuk mund të mundësh këtë njeri të dobët e të pafuqishëm! Ai që ka patur mundësi të ndërtojë një pallat, ka aftësi të ndërtojë një shtëpi të vogël. Ndër krijesat e Allahut ka të tilla që janë më të mëdha sesa njeriu, atëherë si mund t’i thuhet Atij që ka krijuar qiejt, trupat qiellorë dhe Tokën: ti nuk mund të krijosh krijesa më të vogla se këto! Allahu thotë: “Vallë, a nuk është i Zoti Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, t’i rikrijojë njerëzit. Po, s’ka dyshim që do t’i krijojë sërish. Ai është Krijuesi i çdo gjëje dhe i Gjithëdijshmi!” [ Jasin: 81]
  • Allahu ka fuqi t’i transformojë krijesat nga një gjendje në një tjetër. Ata që nuk besojnë ringjalljen, duke parë se si vdesin dhe treten njerëzit në tokë, mendojnë se ringjallja pasi njeriu shndërrohet në dhe është e pamundur. Duke folur për mosbesimtarë të tillë, Allahu thotë: “Ata thonë: “Vallë, pasi të tretemi nën tokë, përsëri do të ngjallemi”” [es Sexhde: 10]. Allahu ka bërë të qartë në shumë vende në Kuran se ka fuqi t’i transferojë krijesat nga një gjendje në një tjetër, ndaj dhe i vdes gjallesat e i ngjall, krijon dhe zhduk. Ai e shndërron të vdekurën në të gjallë dhe të gjallën në të vdekur. Zoti thotë: “Me të vërtet, Allahu është Ai që farën dhe bërthamën e bën të mugullojë. Ai nxjerr të gjallën prej të vdekurës dhe të vdekurën prej të gjallës. Ky është Allahu. Atëherë, përse i largoheni Atij? [el En’am: 95]. Allahu bën që prej farës së thatë e të ngurtë të dalë filizi i njomë e i gjelbërt i cila lulëzon dhe bën fruta, e më pas kjo bimë e njomë dhe gjelbërt jep fara të ngurta dhe të pajeta. Po ashtu nga shpendët e gjallë dalin vezët e pajeta dhe nga vezët e pajeta dalin shpendët që lëvizin e cicërojnë dhe që fluturojnë në hapësirë. Kalimi i njerëzve nga një gjendje në tjetrën: nga të pajetë në të gjallë dhe më pas nga vdekja në jetë është argument i madh mbi fuqinë e Allahut, një argument që i bën mendjet t’i nënshtrohen madhërisë dhe pushtetit të Allahut. Allahu thotë: “Si mund ta mohoni Allahun, ndërkohë që keni qenë të pajetë e Ai ju dha jetën?! Pastaj Ai do t’ju bëjë të vdisni, më pas do t’ju ringjallë e, në fund, do të ktheheni tek Ai?!” [el Bekare: 28].
  • Allahu ka informuar në Kuranë për ngjalljen e disa të vdekurve në këtë botë, në pse vende të sures el Bekare: 55-56, 73, 243, 259.
  • Allahu ka dhënë si shembull për Ringjalljen; ringjalljen e tokës me bimët. Ai thotë: “Andaj, shikoji gjurmët e mëshirës së Allahut, si e gjallëron tokën pas shkretimit të saj. Vërtet, Ai do t’i ringjallë edhe të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë” [err Rrum: 50].
  • Ringjallja e njerëzve për llogari dhe shpërblim është një kërkesë e Urtësisë dhe drejtësisë së Allahut. Allahu i krijoi njerëzit që ta adhurojnë. Ai dërgoi të dërguarit dhe zbriti librat që t’u tregojë njerëzve mënyrën se si duhet ta adhurojnë Atë. Ka njerëz që iu bindën Allahut dhe sakrifikuan për Të, por ka të tjerë që nuk iu bindën, bënë padretësi e ligësi, atëherë a do të ishte e arsyeshme që të vdiste i miri dhe i keqi, i drejti dhe i padrejti, e më pas Allahu të mos shpërblente të mirin për mirëbërjen dhe të keqin për keqbërjen?! Qafirat e të humburit mendojnë se gjithësia është krijuar kot, pa kuptim e pa qëllim dhe se nuk ka dallim ndërmjet përfundimit të besimtarit të drejtë dhe ndërmjet qafirit të prishur, as ndërmjet të devotshmit dhe ndërmjet të shthururit. Zoti thotë: “Ne nuk e kemi krijuar kot qiellin, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre. Kjo është hamendja e jobesimtarëve; prandaj mjerë jobesimtarët kur të hidhen në zjarr! A t’i trajtojmë njëlloj ata që besojnë e bëjnë vepra të mira dhe keqbërësit në Tokë?! A t’i trajtojmë njësoj njerëzit e devotshëm dhe njerëzit e mbrapshtë?!” [Sad: 27-28]. Ai gjithashtu thotë: “A menduat se ne u krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni ju te Ne?” [El Mu’minune: 115].

Besimi në botën tjetër përmban gjërat e mëposhtme:

E para: Besimi i ringjalljes pas vdekjes.

E dyta: Besimi në llogarinë dhe shpërblimin. Njeriu atje do të merret në llogari

për punët që ka bërë dhe do të shpërblehet sipas tyre: nëse ka punuar mirë, do të shkojë në xhenet e nëse ka punuar keq, do të shkojë në zjarr.

E treta: Besimi në ekzistencën e xhenetit dhe të zjarrit. Xheneti është vendi i begatshëm të cilin Allahu përgatiti për të banuar në të besimtarët, ndërsa zjarri (xhehenemi) është vendi i ndëshkimit të cilin Allahu e ka përgatitur për kafirat e të padrejtit.

Së pesti, besimi në kader. Kaderi është caktimi i Zotit. Besimi në cacktimin e Zotit nuk do të thotë se njeriu nuk ka vullnet të lirë për kryerjen e veprave. Përkundrazi, Zoti u ka dhënë  njerëzve vullnet të lirë. Kjo do të thotë se ata mund të zgjedhin midis së mirës dhe të keqes dhe për këtë zgjedhje ata janë përgjegjës. Besimi në kader përshin katër gjëra:

  • Zoti di gjithçka, të shkuarën, të tashmen e të ardhmen.
  • Zoti ka shkruar gjithçka që ka ndodhur, që ndodh e që do të ndodhë.
  • Çfarëdo që Zoti dëshiron të ndodhë, ndodh e çfarëdo që Ai nuk dëshrion të ndodhë, nuk ndodh.
  • Zoti është Krijuesi i çdo gjëje.

2- Të pranosh dhe të zbatosh pesë shtyllat e Islamit:

Shtylla e parë: Të pranosh dhe të deklarosh dëshminë “La ilahe il-lallah, Muhamed rresulullah”, që përkthehet në shqip: “Nuk ka hyjni tjetër përveç Allahut, dhe Muhamedi është i dërguari i Tij”, e që do të thotë:  Askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, dhe Muhamedi është i dërguari i Tij. Kjo dëshmi është shtylla më e rëndësishme e Islamit. Përmbajtja e saj është thelbi i fesë Islame, pasi thelbi i fesë i Islame është të adhurohet Zoti një i vetëm dhe të mos i bëhet shok në adhurim. Të gjithë të dërguarit i kanë ftuar njerëzit të adhurojnë vetëm Zotin dhe të mos i bëjnë shok Atij në adhurim. Edhe librat qiellorë janë shpallur po për këtë qëllim. Madje qëllimi i krijimit të njeriut është të adhurojë vetëm Zotin, që do të thotë: të jetësojë dëshminë ‘la ilahe il-lallah’. Argumenti që vetëm Allahu meriton të adhurohet qëndron në faktin se Ai është Krjuesi i çdo gjëje, Ai është Sunduesi i çdo gjëje, vetëm Ai i furnizon krijesat dhe vetëm Ai i rregullon punët e tyre, ndërsa të tjerët veç Allahut as nuk krijojnë, as nuk furnizojnë dhe as nuk mund të mënjanojnë ndonjë dëm apo të sjellin ndonjë dobi, kështu që nuk meritojnë të adhurohen. E thënë ndryshe, krijimi, furnizimi, sundimi, mënjanimi i dëmeve, sjellja e dobive, shërimi, qetësimi i zemrave dhe i shpirtrave, ngjallja dhe vdekja e krijesave janë veti hyjnore, janë veçori hynore, kështuqë nëse njeriu do t’ia atribuonte ato diçkaje tjetër përkrah Allahut apo nëse do t’i kërkonte prej diçkaje tjetër veç Allahu, ai do ta hyjnizonte atë gjë. T’ia kushtosh gjëra të tilla dikujt tjetër veç Allahut ose t’i kërkosh prej dikujt tjetër veç Allahut, do të thotë ta bësh zot, pasi ato janë gjëra që i përkasin vetëm Zotit. Nga kjo del qartë se ai që ia kushton gjëra të tilla diçkaje tjetër veç Allahut, ose i kërkon ato prej diçkaje tjetër veç Allahut, i bën shok Allahut, Zotit të vërtetë. Allahu thotë në Kuran:

“Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte hyjni të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe toka do të shkatërroheshin. I lartë dhe i pastër është Allahu, Zoti i Fronit, nga çka ia veshin Atij”. [El Enbija: 22].

“Thuaj (o Muhamed): “Lavdia e falenderimi i përkasin Allahut dhe shpëtimi qoftë për robërit e Tij të zgjedhur. Kush është më i mirë, Allahu apo ata që ia shoqërojnë Atij në adhurim?! A hyjnitë tuaj janë më të mirë apo Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe lëshon për ju nga qielli ujë, me të cilin krijon kopshte të mrekullueshme?! Ju nuk mund t’i bëni pemët të rriten pa këtë ujë. A i ka bërë këto gjëra ndonjë hyjni tjetër krahas Allahut, në mënyrë që ta adhuroni? Jo, por ata janë njerëz që barazojnë të tjerë me Allahun duke i adhuruar e duke i madhëruar! A perënditë tuaj janë më të mirë apo Allahu i Cili e ka bërë Tokën të përshtatshme për të qëndruar e për t’u stabilizuar mbi të, ka bërë në Tokë lumenj, ka vendusur në të edhe male për të mos u luhatur dhe ka bërë midis dy deteve pengesë që të mos përzihen ujërat e kripura me ujërat e ëmbla. A ka ndonjë hyjni tjetër krahas Allahut që i bën këto gjëra? (Atëherë, si i bën shok Allahut të tilë që  as nuk dëmtojnë e as nuk mund të sjellin dobi?) Jo, kurrë! Por shumica e tyre nuk dinë. A adhurimi i të tjerëve veç Allahut është më mirë apo adhurimi i Allahut i Cili i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut perëndi tjetër?! Sa pak që reflektoni! A ka më të mirë se Ai që ju rrëfen rrugën në errësirat e tokës dhe të detit dhe ju çon erërat si lajmëtare ttë mëshirës së Tij? Vallë, a ka ndonjë perëndi tjetër krahas Allahut? I Lartë e i Dëlirë është Allahu nga çdo gjë që ia shoqërojnë në adhurim. A ka më të mirë se Ai, që ze fill krijimin dhe pastaj e ripërtërit atë, që ju jep mjete jetese nga qielli dhe toka?! Vallë, a ka krahas Allahut hyjni tjetër? Thuaj (o Muhamed): “Sillni provat tuaja, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiej apo në Tokë, nuk e di Gajbin (të fshehtën , të panjohurën) dhe as nuk do ta dijë se kur do të ringjallet” [En Neml: 59- 65].

Pa pranimin dhe pa deklarimin e dëshmisë ‘La ilahe il-lallah, Muhamed rresulullah’ njeriu nuk mund të quhet musliman.

Fjala ‘la ilahe ilallah’ përmban dy gjëra:

 

1- Të mohosh adhurimin e çdo gjëje tjetër veç Allahut.

2- T’ia pohosh dhe t’ia kushtosh adhurimin vetëm Allahut.

 

Kështu, vetëm Allahu meriton të adhurohet dhe asgjë tjetër veç Tij. Të gjitha ibadetet (adhurimet) duhet t’ia kushtojmë vetëm Allahut, si: dashuria[1], frika, përulësia, mbështetja, shpresa, lutja, kërkimi i ndihmës, kërkimi i mbrojtjes, kërkimi i shpëtimit, kërkimi i mjeteve të jetesës, kërkimi i fëmijës, kërkimi i shërimit, namazi, sexhdja, kurbani. Nëse njeriu i kushton ndonjë ibadet dikujt a diçkaje tjetër veç Allahut, ai bie ndesh me këtë dëshmi, kështu që nuk mund të quhet mysliman. Njësimi i Allahut në adhurim, është pikërisht kuptimi i fjalës ‘la ilahe il-lall-llah’, ndërsa idhujtaria (t’i bësh shok Zotit) është ajo të cilën e mohon kjo fjalë. Shirku (idhujtaria) do të thotë që t’i kushtosh ndonjë adhurim ose ndonjë vepër a veti hyjnore dikujt a diçkaje tjetër veç Allahut. Fjala vjen:

  • nëse i lutesh dikujt a diçkaje tejtër veç Allahut, i ke bërë shok Allahut në adhurim,
  • nëse kërkon shërim, mbrojtje, mjete jetese, fëmijë, qetësi, begati, lumturi etj. nga dikush a diçka tjetër veç Allahut, i ke bërë shok Atij,
  • nëse beson ose mendon se diçka tjetër veç Allahut, siç janë tyrbet, të ashtuquajturat vende të mira, të ashtuquajturit njerëz të mirë, hajmalitë etj., mund të të shërojnë, të të mënjanojnë dëmet, të të sjellin dobi, ose të t’i bëjnë punët mbarë, – i ke bërë shok Zotit, pasi këto gjëra i bën vetëm Allahu. Ato janë vepra hyjnore.
  • Nëse frikësohesh nga tyrbet, teqet, vendet e ashtuquajtura të mira apo njerëzit e ashtuqujtur të mirë, se mund të të bëjnë ndonjë dëm, të të privojnë nga ndonjë e mirë, ose të të gjejë ndonjë e keqe prej tyre, kur nuk u shërbën atyre ose kur nuk jep diçka për to a për shërbëtorët e tyre, kjo do të thotë t’i bësh shok Allahut, pasi një frikë të tillë njeriu duhet ta ketë vetën nga Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk i mjafton Allahu robi të Vet?! Ata të frikësojnë ty (o Muhamed) me zota të tjerë, përveç Tij. Atë që Allahu e shpie në humbje, nuk mund ta udhëzojë kush” [Zumer: 36].
  • Nësedikush mbështetet tek një i vdekur, një teqe, një vend i ashtuquajtur i mirë apo një njeri i ashtuqujtur i mirë për arritjen e ndonjë dobie ose për mënjanimin e ndonjë dëmi, ai e ka bërë atë perëndi përkrah Allahut, e për pasojë quhet idhujtarë, ngaqë ka hyjnizuar një krijesë. Allahu thotë: “Në qoftë se jeni besimtarë, atëherë mbështetuni vetëm tek Allahu” [el Maide: 23]. Po ashtu thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai” [Et Talak: 3]. Nga këto dy ajete del se duhet ta lidhësh zemrën veçse me Allahun, pasi Ai t’i rregullon të gjitha punët.
  • Nëse bën kurban për tjetërkënd veç Allahut, bën shirk. Allahu thotë: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. El En’am: 162-163]. Muhamedi a.s. thotë: “Allahu e mallkoftë atë që ther për dikë tjetër veç Allahut”.

Përfundimisht, kur njeriu i kushton dikujt a diçaje krahas Allahut ndonjë adhurim, qoftë prej

adhurimeve të larpërmendura dhe qoftë prej adhurimeve të papërmendura këtu, bën fajin më të madh dhe padrejtësinë më të madhe, pasi i bën shok Allahut.

 

Shtylla e dytë: Të kryesh faljen (namazin) pesë herë në ditë. çdo namaz nuk merr

më shumë se pak minuta për t’u kryer. Namazi në Islam është lidhje direkte mes adhuruesit dhe Zotit e nuk ka ndërmjetësues midis tyre. Në namaz, njeriu gjen qetësinë shpirtërore, prehjen dhe kënaqësinë e Zotit. Për besimtarin namazi është një mundësi e mirë për t’i bërë lutje Allahut dhe për t’i kërkuar të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër. Namazi është një punë që e fisnikëron dhe e përsos njeriun. Zoti ka premuar që t’i bëjë banorë të xhenetit ata që e falin namazin rregullisht, kurse ata që nuk falin namazin rrezikojnë të privohe nga hyrja në xhenet.

Shtylla e tretë: Të japësh zekatin.

Shtylla e katërt: Të agjërosh Ramazanin.

Shtylla e pestë: Të kryesh haxhin në Mekë.

 

3- T’i lutesh Allahut të të mbrojë nga keqbërja e smirëziut dhe magjistarit, sidomos duke lexuar suren el Felek dhe suren en Nass.

4- Të kryesh detyrat fetare dhe të heqësh dorë nga ndalesat fetare.

5- Të mos ankohesh prej smirëziut dhe as prej atij që bën magji, por të bësh durim, duke iu mbështetur Allahut dhe duke kërkuar ndihmë vetëm prej Tij. Kjo gjë vlen edhe për atë që ka rënë mësysh ose që është prekur nga magjia. Allahu ka premtuar se do t’i ndihmojë durimtarët. Durimtarët gjithmonë dalin fitimtarë. Në rast se i bën ballë smirëziut dhe magjistarit me durim, keqbërja e këtij të fundit do të shndërrohet në shigjeta që ai i gjuan drejt vetvetes.

6- Të mos mendosh fare rreth smirëziut e magjistarit dhe të mos keshë frikë prej tyre. Përpiqu të shmangësh çdo lloj mendime që të shkon nëpër mend lidhur me smirëziun apo magjistarin. Sepse kur mendon rreth tyre dhe të zë frika, është njëlloj sikur del para armikut, e për pasojë ai të kap dhe të dëmton, ndërsa kur nuk mendon fare për të e as të shqetëson puna e tyre është njëlloj sikur i shmangesh armikut, duke bërë kështu që ai të mos ta ketë të mundur të të kapë. Kjo është ndër mënyrat më të mira për mënjanimin e dëmit të smirëziut dhe të magjibërësit. Kjo gjithashtu vlen edhe për atë që ka rënë mësysh ose është prekur nga magjia. Rekomandohet që edhe këta të fundit të mos merren me keqbërësin dhe të mos mendojnë rreth tij, pasi kjo do t’i ndihmonte të qetësoheshin sa më shpejt. Por mendimet rreth smirëziut dhe magjistarit mund t’i mënjanosh vetëm kur zemrën e ke të mbushur me besimin në Allahun dhe të lidhur vetëm me Të.

7- Ta duash fort Allahun, të përulesh para Tij me gjithë zemër, të jeshë i kenaqur me Allahun dhe ato që Ai të ka dhënë, t’i kryesh punët e mira (ibadetet) vetëm për Allahun, duke kërkuar shpërblimin e Tij, dhe jo për ndonjë interes të kësaj bote. Dashuria për Allahun, përkushtimi dhe përulësia ndaj Tij në zemrën tënde duhet të zënë vendin e ëndërrimeve e mendimeve për kënaqësitë e kësaj bote, e cila pa më të voglin dyshim do të zhduket. Nëse arrin këtë gradë kurrësesi nuk mund të ketë pushtet shejtani mbi ty, pasi Allahu thotë: “Shejtani, në të vërtetë, nuk ka kurrëfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. Pushteti i shejtanit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut” [En Nahl: 99- 100].

8- Të japësh lëmoshë dhe të bësh mirë. Mirëbërja ka një ndikim të çuditshëm në mënjanimin e belasë dhe të mësyshit. Për efektin e mirëbërjes në shmangien e syrit të keq dhe largimin e streseve dëshmon përvoja e popujve që në të kaluar e deri më sot. Syri i keq puthuajse nuk e prek mirëbërësin, por edhe nëse e prek, ai do të shërohet dhe do të dalë me sukses prej tij, pasi Allahu e ndihmon mirëbërësin. Mirëbërja dhe lëmosha janë si një mburojë nga dëmet. Për mbrojtjen e mirësive dhe begative që të ka dhënë Allahu duhet të jeshë mirënjohës ndaj Tij, duke bërë mirë e duke dhënë lëmoshë. Kështu, ai që jep lëmoshë dhe ai që bën mirë është njësoj si ai që përdor një ushtri e cila lufton për mbrojtjen e tij, dhe vetë fle i qetë në shtrat. Një njeri që ka një armik dhe nuk ka ushtarë për ta mbrojtur, rrezikon që ta zëjë armiku, qoftë edhe pas një kohe. Përparësi për mirëbërje kanë prindërit, gjyshi e strëgjyshi, gjyshja, fëmijët, vëllezërit, motrat, nipërit e mbesat, xhaxhallarët, hallat, dajallarët, tezet dhe i tërë farefisi sipas afërsisë së tyre. Si mund të jetë i mbrojtur nga fatkeqësitë dhe të këqijat një njeri që ka braktisur prindërit e vet, që nuk i mban financiarisht, nuk u shërben, nuk i strehon, që i keqtrajton e që komunikon ashpër me ta! Një njeri të tillë pa dyshim rrezikon ta kapë një dënim i afërt nga Allahu, pasi mosrespektimi i prindërve është një ndër gjynahet për të cilat dënimi mund të vijë shumë shpejt. Në fakt, sa më mirëbërës që të jetë njeriu aq më të kënaqshme e më të lumtur do ta bëjë jetën. Bujaria është pa diskutim ndër faktorët që të japin kënaqësi e qetësi shpirtërore.

9- Ta shuash zjarrin e smirëziut duke i bërë mirë. Në fakt, mirëbërja ndaj atij që të bën keq është ndër gjërat më të vështira, por nëse arrin ta bësh një gjë të tillë do të arrish ta shuash zjarrin që valon brenda shpirtit të smirëziut.

10- Të heqësh dorë menjëherë nga gjynahet, si konsumimi i alkoolit, imoraliteti, kamata, vjedhja, hilja e mashtrimi në shitblerje, rryshfeti, kundërshtimi i prindërve, veshjet ekstravagante etj. Të pendohesh për të kaluarën tënde me gjynahe dhe të vendosësh se nuk do t’i bësh më në të ardhmen.

11- Të bësh dhikrin ditor, duke e lexuar rregullisht nga libri ‘Mburoja e muslimanit’. Në mënyrë të veçantë të lexosh rregullisht ‘ajetul Kursijj’, suren el Ihlas, el Felek dhe en Nass.

12- Të lexosh e të dëgjosh sa më shumë Kuran dhe të këshillosh edhe familjen që të bëjnë të njëjtën gjë. Është e nevojshme që leximin e Kuranit ta shoqërosh edhe me leximin e përkthimit të tij në gjuhën shqipe. Efektin e leximit të Kuranit do ta gjejë vetëm ai që e lexon me bindje dhe përkushtim.

[1] Flitet për dashurinë e adhurimit, siç është dashuria që kanë besimtarët e vërtetë për Allahun apo dashuria që kanë idhujtarët për hyjnit e idhujt e tyre, dhe jo për dashurinë e natyrshme, siç është dashuria për të afërmit, gruan e tjerë. Edhe fjala ‘frikë’ shonën frikën nga tyrbet, idhujt e të tjera të ngjashme me to, dhe jo për frikën e natyrshme, si nga bishat etj. Në këtë kontekst duhet të kuptohet edhe termi shpresë.

Read Previous

Mbaji gjithmon me vete keto kater keshilla madheshtore.

Read Next

Kur të të shtohen brengat dhe preokupimet ne kete jete, shpeshto këtë thënien