10 vepra që shpërblehen me “një shtëpi në xhennet”

0
2030

Vepra që shpërblehen me “një shtëpi në xhennet”

1. Plotësimi i zbrazëtirave të safave në namaz
Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e plotëson një zbrazëtirë (mes safave), Allahu ia ndërton një shtëpi në xhennet dhe e ngre në shkallë të lartë”. Hadith i vërtetë, saktësuar nga Muhamed Nasirudin Albani në “Silsileti el ehadith es sahiha”, 4/515, nr. 1892.

2. Vizita e të sëmurit dhe vizita e vëllait për hir Allahut
Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush viziton një të sëmurë apo ndonjë vëlla të tij (në fe) për Allahun, thërret një thirrës (melek) dhe thotë: “Qofsh bekuar ti dhe ecja jote drejt të mirave të ahiretit (duke u lutur për të për të mirat e dunjasë dhe ahiretit), (se me këtë vepër) ke përgatitur një shtëpi në xhennet.”

3. Falja e sunneteve (para dhe pas farzeve)
Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Çdo musliman që merr abdest në formën më të përkryer, pastaj fal dymbëdhjetë rekate sunnete (vullnetare), shtesë namazeve të obliguara (farzeve), vetëm se Allahu do t’ia ndërtojë atij një shtëpi në xhennet”. Hadithi i vërtetë, “Sahih el Xhami’i”, 5736.

4. Ndërtimi i xhamisë për hir të Allahut
Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush ndërton xhami duke mos dëshiruar syefaqësi e as lëvdatë, Allahu do t’ i ndërtojë një shtëpi në xhennet.” Hadith i vërtetë, i saktësuar nga Muhamed Nasirudin Albani në “Silsileti el ehadith es sahiha”, 7/1185, nr. 3399.

5. Leximi i sures Ihlas (Kulhuvallahu Ehad) dhjetë herë
Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush lexon “Kulhuvallahu Ehad” dhjetë herë, Allahu ka për t’ia ndërtuar atij një shtëpi në xhennet.” Hadith i mirë, i vlerësuar nga Muhamed Nasirudin Albani në “Silsiletu el ehadith es sahiha, 2/136, nr. 589.

6. Lutja e hyrjes në treg
Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush hyn në treg dhe thotë “La ilahe ilAllah vahdehu la sherike leh, lehul Mulku ve lehul Hambu juhji ve jumit ve huve hajun la jemut, bijedihi el hajru ve huve ala kuli shej’in kadir” (shqip: S’ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut, Një dhe të Pashoq; Atij i takon sundimi dhe vetëm Atij i takon falënderimi. Ai jep jetë dhe vdekje, ndërsa Ai është i gjallë që nuk vdes kurrë. Në Dorën e Tij është e mira (hairi) dhe mbi çdo send Ai është i plotfuqishëm”).
Allahu i shkruan atij një milion të mira, ia fshin një milion të këqija, e ngre një milion shkallë dhe i ndërton atij një shtëpi në xhennet.” Hadith i mirë, i vlerësuar nga Muhamed Nasirudin Albani në “Sahih el Xhami’i”, 2/1080, nr. 6231.

7. Lënia e polemikave, edhe nëse je në të drejtë.

8. Lënia e gënjeshtrës edhe kur bën shaka.

9. Edukata e mirë.
Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Unë jam garantues i një shtëpie përreth (fund) xhennetit për atë person që lë polemikën edhe kur është në të drejtë, (jam garantues) i një shtëpie në mes të xhennetit për atë person që lë gënjeshtrën edhe kur është duke bërë shaka, (dhe jam garantues) i një shtëpie në xhennetin më të lartë për atë person që është pajisur me edukatë të mirë.” Hadithi është i mirë, i vlerësuar nga Muhamed Nasirudin el Albani, “Silsiletu el ehadith es sahiha”, 1/552, nr. 273.

10. Falja e namazit të duhasë katër rekate si dhe falja e katër rekateve para namazit të drekës. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Kush fal namazin e duhasë katër rekate dhe fal katër rekate para namazit të drekës, i ndërtohet një shtëpi në xhennet.” Hadithi i mirë, e ka vlerësuar Muhamed Nasirudin el Albani, “Silsileti el ehadith es sahiha”, 5/461, nr. 2349.

Unejs Murati-Daku