Pyetje – përgjigje që na njohin me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të!)
- Pyetja e gjashtëmbëdhjetë: Cili është Profeti ynë?
Përgjigjja: Muhamedi (Paqja qoftë mbi të!), i Dërguari i Allahut.
- Pyetja e shtatëmbëdhjetë: Çfarë kuptojmë me fjalët ‘Muhamedi i Dërguari i Allahut’? Çfarë na obligon kjo fjalë?
Përgjigjja: Kjo do të thotë se: Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin si mëshirë për mbarë njerëzimin, e njëkohësisht si përgëzues për punëmirët dhe qortues për keqbërësit.
Duke e pohuar këtë, ne obligohemi që:
– Të besojmë çdo gjë për të cilën ai na ka lajmëruar.
– Të jemi të dëgjueshëm në lidhje me çfarë ai na ka urdhëruar.
– Të distancohemi nga çfarë ai na ka ndaluar dhe ka tërhequr vërejtje.
– Ta adhurojmë Allahun vetëm sipas mënyrës që ai na ka mësuar.
- Pyetja e tetëmbëdhjetë: A e di emrin e plotë të Profetit tonë, duke përmendur emrin e babait dhe gjyshit të tij?
Përgjigjja: Ai është Muhamed bin Abdilah bin Abdilmutalib
- Pyetja e nëntëmbëdhjetë: Kush është njeriu të cilin duhet ta duam më tepër se çdokënd tjetër? Cili është argumenti?
Përgjigjja: Ai është i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!). Argument për këtë është fjala e tij: “Asnjëri prej jush nuk do ta ketë besimin të plotë derisa unë të jem për të më i dashur sesa prindi i tij, fëmija i tij apo mbarë njerëzimi.”[1]
- Pyetja e njëzetë: Kur lindi Profeti (Paqja qoftë mbi të!) dhe në cilin vend?
Përgjigjja: Lindi në qytetin e Mekës, në vitin 570, i cili njihet si ‘Viti i Elefantit’[2].
- Pyetja e njëzetenjëtë: Në çfarë moshe i erdhi Profetit shpallja hyjnore?
Përgjigjja: Kur ai ishte dyzet vjeç
- Pyetja e njëzetedytë: Sa vite qëndroi Profeti (Paqja qoftë mbi të!) në Mekë, që nga momenti i fillimit të shpalljes e deri kur u detyrua të emigronte?
Përgjigjja: Trembëdhjetë vite.
- Pyetja e njëzetetretë: Në cilin vend emigroi Profeti (Paqja qoftë mbi të!)?
Përgjigjja: Në Medine.
- Pyetja e njëzetekatërt: Sa vite jetoi Profeti (Paqja qoftë mbi të!) në Medine, pas hixhretit (emigrimit)?
Përgjigjja: Dhjetë vite.
- Pyetja e njëzetepestë: Cilat kemi për qëllim kur themi ‘nënat e besimtarëve’?
Përgjigjja: Bashkëshortet e profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi të!).
- Pyetja e njëzetegjashtë: Kur ndërroi jetë Profeti (Paqja qoftë mbi të!), në cilin vend dhe në çfarë moshe?
Përgjigjja: Ndërroi jetë në Medine, dhjetë vjet pas hixhretit në moshën 63 vjeçare.
- Pyetja e njëzeteshtatë: Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush dërgon salavat për mua një herë… Përgjigjja: … Allahu do të dërgojë për të dhjetë herë.”[3]
[1] E transmeton Buhariu me nr 15, nga Enes bin Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).
[2] Njihet me këtë emërtim, për shkak se në atë vit një sundimtar etiopias i cili quhej Abraha formoi një ushtri me të cilën u nis për të shembur Qaben dhe në krye të saj kishte vënë një elefant gjigand. Allahu i Madhëruar e mori në mbrojtje faltoren e lashtë (Qaben) duke e shkatërruar ushtrinë e Abrahas, ashtu siç përmendet në Kuran, në suren Fil.
[3] E transmeton Muslimi me nr 408, nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).