Nuk lejohet që njeriu të flasë rreth fesë së Allahut pa dije.

0
399

Nuk lejohet që njeriu të flasë rreth fesë së Allahut pa dije.

Ç’këshillë do t’u jepje njerëzve, të cilët ftojnë për tek Allahu, u bëjnë vizita atyre dhe i thërrasin për në xhami, ndërkohë që disa prej tyre nuk kanë aspak dije?
Përsa i përket mënyrës se si duhen ndrequr njerëzit, mendoj se duhet të ndiqen mjetet më të përshtatshme, nëse ky mjet nuk është i ndaluar, sepse për mjetet në vetvete nuk ka ndonjë gjykim, por ato gjykohen sipas qëllimeve.
Mjetet e ndaluara nuk lejohet të përdoren. Si për shembull ai që përdor këngën dhe vallen për të mbledhur njerëzit, me qëllim që t’i ftojnë për tek Allahu. Kjo është e ndaluar dhe nuk bën dobi. Allahu i Madhëruar nuk e ka vendosur shërimin e umetit në atë që Ai e ka ndaluar. Pra mjetet për të ftuar në rrugë të Allahut lejohen përderisa nuk janë të ndaluara, sepse vetë mjeti nuk është adhurim, por rrugë që të çon për tek qëllimi i duhur. Konkretisht, me vizitat që u bëjnë njerëzve duke lexuar diçka prej Kuranit dhe haditheve të Profetit (alejhi selam), apo dalin së bashku me qëllim që t’i mësojnë , padyshim se kjo është një gjë e mirë .
Ndërsa përsa i përket faktit se ata flasin pa dije, kjo nuk i lejohet askujt! Është e ndaluar që dikush të flasë për fenë e Allahut pa dije. Allahu i Madhëruar ka thënë :
“Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapura ose të fshehta, gjynahet, dhunimin pa të drejtë , t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrëfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.”
(A’raf, 33)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar ka thënë :
“Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtetë , dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjitha këto do të meren në përgjegjësi.”
(Isra, 36)
Dua t’u tërheq vëmendjen për diçka. Shumë prej atyre që predikojnë kur këshillojnë , perdorin hadithe të cilat nuk janë autentike, të cilat janë hadithe të dobëta ose të trilluara. Këta njerëz pretendojnë se vetëm me anë të këtyre haditheve i bëjnë për vete njerëzit. Natyrisht që ky është një gabim i madh. Hadithet, të cilat janë autentike nga Profeti (alejhi selam), po kështu edhe Kurani, janë të mjaftueshme dhe nuk është aspak nevoja të përdorim gjëra të pasakta.

(Shkëputur nga libri i shejh Uthejminit “Rigjallërimi Islam)