Mos e mbyll diten tende pa ber nje veper te mire

0
1529

Kjo është dita jote

Kur të zgjohesh në mëngjes, mos e prit mbrëmjen, se ndoshta kjo ditë e jotja është e fundit dhe s’të pret koha të mendosh për të djeshmen që kaloi, e as për të nesërmen që akoma s ka ardhur. Kjo ditë që rrezet e diellit të saj të ngrohin dhe arrite t’ia shikosh dritën është vetëm e jotja. Jeta jote është një ditë e vetme, në mëngjes ngjallesh e në mbrëmje vdes, dhe nuk kthehesh më. Pra mos e humb këtë ditë që peshon sa jeta, bëhu i kujdesshëm brenda këtyre orëve të kufizuara, dhe vepro me seriozitet,adhuroje Krijuesin dhe fale namazin me kujdes, lexo Kur’anin e
shenjtë dhe me vëmendje të plotë shih ç’kërkohet prej teje.

Ji i kompletuar me trup, me zemër dhe me mend kur ta përkujtosh Allahun e të qëndrosh përpara Tij, peshoji veprat tuaja dhe vështro se cila anë të rëndon më tepër, krijo moral të lartë për veten tënde dhe pajtohu me atë që Allahu caktoi për ty, përpiqu të bësh mirë për të tjerët, se vetëm sot je i gjallë, pra shfry-
tëzoje rastin e fundit…!

Nga orët e kësaj dite vepro mirë dhe nxjerr dobi për veten tënde, sikur të ishin vite, dhe nga minutat e orëve të saj kërkoji falje Allahut për mëkatet e tua sikur të ishin muaj; përgatitu për herën e fundit sikur do të udhëtosh
në mbrëmje. Jeto edhe sot dhe qëndro i buzëqeshur, i qetë e i butë, kënaqu me atë që të erdhi nga Allahu i Madhëruar, kënaqu me fëmijët e tuaj, bashkëshorten tënde, me familjen dhe shtëpin tënde se edhe sot i keni para syve, mos hidhëro askënd në momentin e fundit, se nuk kthehesh e as nuk i sheh më në këtë botë.

“Merr atë që të dhashë dhe bëhu mirënjohës”
(Kur’an 7:144).

Nëse sot ke ngrënë ushqim të shijshëm, të ngrohtë, a të dëmton ushqimi i djeshëm i thatë e i ftohtë, apo ushqimi i të nesërmes që s’e di se si do jetë?! Kur sot pive ujin e freskët, të pastër e të ëmbël, pse brengosesh për ujin e turbulluar e të njelmët që pive dje?!

Kij besim në vetvete e le të jetë e qartë kjo ditë për ty. Kur t’i drejtohesh ndërgjegjes sate e ti flasësh dhimbshëm, thuaj: Vetëm për sot do t’i korigjoj fjalët që m’i nxjerr goja, e nuk do shqiptoj fjalë të ndyta, sharje, fyerje, përgojime. Vetëm sot do t’i kushtoj rëndësi pastërtisë trupore, dhe do të jem i matur në të ecur, në lëvizje dhe fjalë, se nesër s’do të jem. Për këtë ditë jetoj, sot do t’i bëj vend në zemër dobisë, do të mbjell në të dashurinë, sinqeritetin, drejtësinë ndaj vetes dhe të tjerëve, ndërsa drurit të së keqes, arrogancës, xhelozisë, e kokfortësisë do ia këpus degët dhe gjembat, e do ta ç’rrënjos.

Vetëm për sot do të jetoj dhe do u ofroj të mirën të tjerëve, do ta vizitoj të sëmurin, ushqej të uriturin, ndihmoj të dobtin, qëndroj pranë të ngratit që i është bërë padrejtësi, nderoj dijetarin, mëshiroj të voglin, respektoj plakun.

Vetëm për ty o e sotme jetoj, e nuk të kujtoj ty o ditë e djeshme e të humbi të sotmen, se ti shkove dhe përfundove, rrezet e tua perënduan si ato të diellit.
Nuk lotoj për ty, e as nuk të ëndërroj, se ti na lë dhe ike prej nesh, e s’do të kthehesh më kurrë. Ty o ditë e nesërme që gjendesh në botën e panjohur nuk të jetoj në ëndërra, e as ta dhuroj veten me gjëra të paqarta, sepse ti s’je asgjë, pasi ende nuk ke arritur, e as që je e përmendur! Për ditën tënde o njeri, rezervo
vepra në fjalorin e lumturisë..