Cilat janë tri parimet që një person duhet t’i njohë? Thuaj:

0
2545

Nëse pyetesh se cilat janë tri parimet që një person duhet t’i njohë? Thuaj: njeriu duhet të njohë Zotin e tij, fenë e tij dhe të dërguarit e tij Muhamedin (salAll-llahu alejhi ue selem).

Nëse të thuhet: Kush është Zoti yt? Thuaj: Zoti im është Allahu, i Cili me mirësitë e Tij kujdeset për mua dhe të gjitha botët (gjithësinë). Ai është i Adhuruari im, nuk kam të adhuruar tjetër përveç Tij. Argument për këtë është fjala e Allahut: “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve”. (El-Fatiha, 1). Çdo gjë tjetër përveç Allahut është botë (krijesë). Edhe unë jam një prej krijesave.

Kështu nëse të thuhet: Mbi ç’bazë e njohe Zotin tënd? Atëherë thuaj: E kam njohur me anë të shenjave dhe krijesave të Tij. Nga shenjat e Tij janë: nata dhe dita, dielli dhe hëna, ndërsa nga krijesat e Tij janë: shtatë qiejt, shtatë tokat dhe çdo gjë që është në to e midis tyre. Argumentim për këtë është fjala e Allahut: “Nga shenjat e Tij janë nata dhe dita, dielli dhe hëna; mos i bëni sexhde, as diellit dhe as hënës, bëjini sexhde vetëm Allahut që i ka krijuar ato.” (Fusilet, 37). Po ashtu fjala e Allahut: “Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë e pastaj u lartësua mbi Arsh. Ai me natën mbulon ditën që ndjek me të shpejtë mbulimin e dritës. Dielli, hëna dhe yjet janë nën sundimin e Tij. Vërtet Atij i përket krijimi, rregullimi i punëve të krijesave, urdhërimi dhe ligjvënia. I Madhëruar qoftë Allahu, Zoti i botëve!” (Arafë, 54). Zot është i Adhuruari. Argument për këtë është fjala e Allahut: “O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të bëheni të përkushtuar. I Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin e ka ndërtuar me përsosmëri, i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si furnizim për ju. Prandaj mos i vini shokë Allahut, duke e ditur!” (Bekare, 22-23).

Ibnu Kethiri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Krijuesi i këtyre gjërave është Ai që meriton të adhurohet”.

Llojet e adhurimit që ka urdhëruar Allahu si: Islami (dorëzimi dhe nënshtrimi ndaj Allahut), imani (besimi i vërtetë  i cili përfshin besimin e drejtë në zemër, pohimin e besimit me gjuhë dhe veprimin sipas mësimeve të Islamit), ihsani (përsosja e adhurimit), lutja, frika, varja e shpresës për të arritur atë që dëshiron, mbështetja, dëshira për arritjen e shpërblimit të Zotit, tmerri prej dënimit të Zotit, përulja (devocioni ndaj Zotit), droja, kthimi me pendim, kërkimi i ndihmës, kërkimi i mbrojtjes, kërkimi i shpëtimit, kurbani, zotimi, të gjitha këto dhe të tjera adhurime që Allahu ka urdhëruar, duhen bërë vetëm për Allahun e Madhërueshëm. Argument për këtë është thënia e Allahut: “Xhamitë janë për adhurimin e Allahut, prandaj mos iu lutni askujt krahas Allahut!” (Xhin, 18).

Ai që drejton ndonjë nga adhurimet dikujt tjetër veç Allahut, është mushrik, mohues (kafir). Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Ai që krahas Allahut lut zot tjetër, duke mos pasur kurrfarë prove për këtë, me siguri do të japë llogaria vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për mohuesit.” (Mu’minun, 117).

Në një hadith transmetohet: “Duaja është palca e adhurimit”.[1] Argument është fjala e Allahut: “Zoti juaj ka thënë: ‘Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem. Me të vërtetë, ata që nga mendjemadhësia nuk duan të më adhurojnë Mua, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar.” (Gafir, 60).

Argumenti që vërteton se frika është adhurim është fjala e Allahut: “Ju mos kini frikë prej atyre, por frikësohuni vetëm prej Meje, nëse jeni besimtarë.” (Ali Imran, 175).

Argumenti që vërteton se varja e shpresës për të arritur atë që dëshiron është adhurim është fjala e Allahut: “… kushdo që shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë asnjë në adhurim Zotit të vet.” (Kehf, 110).

Argumenti që vërteton se mbështetja te Allahu është adhurim është fjala e Allahut: “Vetëm tek Allahu mbështetuni, nëse jeni besimtarë.” (Maide, 23). Gjithashtu Allahu (subhanehu ue teala) thotë: “… dhe kujtdo që mbështetet tek Allahu, Ai do t’i mjaftojë …” (Talak, 3).

Argumenti që vërteton se dëshira për arritjen e shpërblimit të Zotit, tmerri (nga dënimi i Zotit) dhe përulja (devocioni) janë adhurime është fjala e Allahut: “Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe na luteshin, me dëshirë dhe frikë. Ata ishin të përulur dhe respektues ndaj Nesh.” (El-Enbija, 90).

Argument i drojës është fjala e Allahut: “Prandaj, mos u keni dronë atyre, por më keni dronë vetëm Mua.” (El-Bekareh, 150).

[1] Hadithi është i dobët, por kuptimin e ka të saktë.

 

Libri:Tri Parimet e Besimit Islam

Muhamed Ibën Abdul Uehab