Celësat e të mirës dhe të keqes

0
1628

Transmetohet nga Enes ibn Malik -Allahu qoftë i kënaqur me të- se ka thënë:  I dërguari i Allahut -paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të- ka thënë:
“Ka prej njerëzve që janë çelësa të mirësive dhe dryna të së keqes. E ka prej njerëzve që janë çelësa të të keqes dhe dryna të mirësive. I begatë është ai që Allahu çelësat e mirësive ia ka mundësuar të jenë në dorën e tij, e mjerë për atë që Allahu çelësat e të këqijave i ka lënë në dorën e tij”.
[Transmeton Ibn Maxhe nr: 237, shejh Albani e ka konsideruar si hadith “hasen” (të mirë) në “Sahih Ibn Maxhe” nr: 194].

Ai që dëshiron të jetë nga ata që posedojnë çelësat e të mirave e të jenë dryna të së keqes dhe të meritojnë mirënjohjen, le të kenë parasysh këto gjëra:

1-Sinqeritetin me Allahun e Lartësuar në fjalët dhe veprat e tij. Sepse sinqeriteti është baza e çdo mirësie dhe prej tij buron çdo gjë me vlerë.Duaja dhe shpeshtimi i lutjeve drejtuar Allahut të Lartësuar që t’i japë sukses në këtë punë.

2-Lutja është çelësi i çdo të mire, e Allahu është Bujar nuk e kthen askënd që i lutet Atij, e as nuk e zhgënjen besimtarin që Atë e thërret.

3-Të jetë kërkues i zellshëm i diturisë, sepse dituria e fton njeriun në punë të mira dhe të vyera, si dhe e ruan atë nga gjërat e irrituara e gjynahet e mëdha.

4-T’i përkushtohesh adhurimit të Allahut të Lartësuar, sidomos ato adhurime që janë obligative e në veçanti namazit, sepse namazi e ndalon njeriun nga gjërat e këqija e të urryera.

5-Të zbukurohesh me morale të larta dhe të vyera, e të largohesh nga moralet e ulëta e të kota.

6-Të shoqërohesh me njerëzit e mirë e të rrish me ta, sepse vende të tilla janë të rrethuara me melaike dhe të përfshira me mëshirë. Si dhe të largohesh nga njerëzit e këqinj dhe vendtubimet e tyre, sepse ato vende janë streha e shenjtanëve.

7-Përkujtoje vdekjen dhe qëndrimin përpara Zotit të gjithësisë. Atë ditë ku i miri do të shpërblehet me të mirë e i keqi me të keqe. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai i cili vepron një të mirë sado të vogël, do ta gjejë atë. E ai i cili punon një të keqe sado të vogël, do ta gjejë atë”. [Zulzile: 7-8].

E shtylla e gjithë kësaj është dëshira që ka njeriu për të vepruar mirë, e për tu bërë mirë të tjerëve. Aty ku ndodhet dëshira, qëllimi dhe vendosmëria, mbështetja tek Allahu e kërkimi i ndihmës prej Tij, si dhe të veprohen punët ashtu siç duhen, atëherë me lejen e Allahut të Lartësuar do të jesh prej atyre që posedojnë çelësat e mirësisë dhe që janë dryna të të keqes.

Allahu i Lartësuar kujdeset për robërit e Tij, u jep sukses atyre e ia mundëson kujt të dëshirojë, vërtetë Ai është Dhuruesi më i mirë!

Shkroi:

Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el Beder

Përktheu: Ylli Rama

©xhamiambret.com