Meqë nënshtrimi i tërësishëm i vullnetit ndaj Zotit paraqet thelbin e adhurimit, mesazhi themelor i fesë hyjnore, Islamit, është adhurimi vetëm i Zotit.
Gjithashtu kjo kërkon shmangien e adhurimit drejtuar çdo personi vendi ose gjëje, me përjashtim të Zotit. Duke qenë se çdo gjë përveç Zotit,
Krijuesi i të gjitha gjërave, është krijim i Zotit, mund të thuhet se Islami në thelb e largon njeriun nga adhurimi i krijimit dhe e fton të adhurojë vetëm Krijuesin. Ai është i vetmi që e meriton adhurimin e njeriut, sepse vetëm me vullnetin e Tij lutjet plotësohen.
“Dhe kur Allahu tha: “O Isa, bir i Merjemes, a ti njerëzve u the: “Më adhuroni mua dhe nënën time dy zota pos Allahut?” (Isai) Tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua të them atë që s’është e vërtetë.” (Maide, 116).
“Është shkruar: “Adhuro Perëndinë, Zotin tënd dhe shërbeji vetëm Atij.” (Luka, 4:8).
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti kërkojmë ndihmë.”(Fatiha, 4)
“Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni mua, Unë ju përgjigjem.”(Gafir, 60)
Ia vlen të theksohet se mesazhi bazë i Islamit (pra, adhurimi vetëm i Zotit) gjithashtu proklamon se Zoti dhe krijimi i Tij janë veçmas nga njëri-tjetri. Zoti as nuk është i barabartë me krijimin e Vet e as pjesë e tij si dhe krijimi i Tij nuk është i barabartë me Të ose pjesë e Tij.
“Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun dhe largojuni djajve (adhurimit të tyre)!”(Nahl, 36).
Ai që e ka pranuar konceptin e pranisë së Zotit së bashku me krijimin e Tij, do të jetë i detyruar ta pranojë këtë argument që i shkon për shtat idhujtarisë. Përkundrazi, ai që e kupton mesazhin bazë të Islamit dhe rrjedhojat e këtij mesazhi, nuk ka për të rënë kurrë pre e idhujtarisë, sido që të arsyetohet ajo.
Ata që gjatë kohërave kanë pretenduar të qenit hyjni në shumicën e rasteve i kanë bazuar pretendimet e tyre në besimin e gabuar se Zoti është i pranishëm te njeriu. Duke bërë një hap më tej, ata pohojnë se Zoti është më i pranishëm tek ata sesa te secili prej nesh dhe se njerëzit e tjerë duhet t’u nënshtrohen dhe duhet t’i adhurojnë ata si vetë Zotin, ose si Zotin e përqendruar tek ata. Ngjashëm, ata që kanë shpallur hyjninë e të tjerëve pas vdekjes së tyre kanë gjetur tokë pjellore mes atyre që pranojnë besimin e rremë të pranisë së Zotit te njeriu.
“La ilahe il-lall-llah” (Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut)
Deklarimi i sinqertë i kësaj fraze dhe pranimi i pejgamberisë automatikisht e fut njeriun në radhët e Islamit dhe besimi i sinqertë në të garanton parajsën. Pejgamberi i fundit i Islamit, Muhammedi alejhi selam, transmetohet se ka thënë: “Kush thotë “nuk ka Zot tjetër përveç Allahut” dhe vdes me këtë besim, do të hyjë në parajsë.”