7 lëvizjet e lejuara në namaz

Veprime të tjera të lejuara në namaz

Prej veprimeve të lejuara në namaz janë:

1- Ecja e imamit në namaz mbrapsht ose përpara për ndonjë arsye të çastit.

Transmetohet nga Enes bin Malik -radiallahu anhu- se: “Muslimanët kur ishin një herë në namazin e sabahut në ditën e hënë dhe Ebu Bekri -radiallahu anhu- u printe atyre, profeti -alejhi selam- i befasoi ata, hapi perden e dhomës së Aishes -radiallahu anha-, i pa ata (sahabët) në safe dhe buzëqeshi. Ebu  Bekri eci mbrapsht (për të hyrë në saf) duke menduar se profeti -alejhi selam- do vinte për namaz. Muslimanët gati sa nuk u sprovuan në namaz nga gëzimi për profetin kur e panë, mirëpo ai bëri me shenjë që të plotësonin namazin. Pastaj hyri në dhomë, uli perden dhe vdiq në atë ditë”[1].

2- Prekja një herë e guralecëve kur është e nevojshme për shkak të hadithit të Muajkibit: “Profeti -alejhi selam- ka thënë për burrin i cili sheshon dheun në vendin e sexhdes: nëse do ta bëje, ta bëjë vetëm një herë”[2].

3- Shtrirja e rrobës në namaz për të bërë sexhde mbi të për shkak të hadithit të Enes bin Malikut -radiallahu anhu- i cili thotë: “Kemi qenë me profetin -alejhi selam- në ditë të nxehta dhe kur dikush prej nesh nuk mundte ta vinte kokën në tokë shtrinte rrobën e tij dhe bënte sexhde mbi të”[3].

4- Ndjekja e hajdutit:

Katade thotë: “Nëse vidhet rroba e dikujt, ai mund ta ndjekë hajdutin dhe ta lërë namazin”[4].

5- Prekja e këmbës së atij që është në gjumë:

Transmetohet nga Aishja -radiallahu anha- se ka thënë: “Kam pas fjetur përpara profetit -alejhi selam- dhe këmbët e mia në lidhje me të ishin në drejtim të kibles, kur ai binte në sexhde më shtynte dhe unë mblidhja këmbët; kur ngrihej i shtrija ato. Ajo thotë gjithashtu se shtëpitë në atë kohë nuk kishin kandile”[5].

6- Përpjekja (për ta larguar) atë që do të kalojë para atij që falet (e përmendur më lart)

7- Preokupimi i zemrës me punë tjera që s’kanë lidhje me namazin të cilat nuk mundet ti largojë.

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur thirret ezani për namaz shejtani ikën duke lëshuar gazra (pordhë). Kur mbaron namazi kthehet, kur thirret ikameti ikën dhe kur mbaron kthehet dhe i hedh vesvese njeriut në zemër duke i thënë: Kujto këtë e këtë, derisa nuk di se sa ka falur tre apo katër. Kur nuk e di se sa ka falur tre apo katër atëherë ai duhet të bjerë në sexhde për shkak të harresës”[6].

Transmetohet nga Umeri -radiallahu anhu- se ka thënë: “Unë e përgatis ushtrinë ndërkohë që jam në namaz”[7].

Vërejtje:

Ai që falet duhet të kapet pas namazit me gjithë zemër dhe të largojë gjërat që e preokupojnë, duke menduar në kuptimin e ajeteve, madhërimeve, duave dhe duke kujtuar vdekjen. Këtë gjykim merr çdo veprim tjetër në namaz qoftë ai i nevojshëm, i domosdoshëm apo prej gjërave prej të cilave nuk largohesh dot.

Transmetohet nga Amar bin Jasir se -radiallahu anhu- se ka thënë: Kam dëgjuar profetin -alejhi selam- duke thënë: “Njeriu mbaron namazin ndërkohë që nuk i është shkruar vetëm se një e dhjeta e tij, një e nënta, një e teta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta, gjysma e tij”[8].

Transmetohet nga Ebu El-Jeseri -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Prej jush ka që e fal namazin e plotë, prej jush ka që fal gjysmën, një të tretën, një të katërtën, një e pesta, derisa arriti në një të dhjetën”[9].

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se ka thënë: Ka thënë profeti -alejhi selam-: “Namazi ndahet në tre pjesë, pastërtia është një e treta, rukuja është një e treta, sexhdja është një e treta. Kush i kryen ato ashtu siç duhet ati i pranohet dhe pranohet gjithë puna e tij dhe kujt i kthehet mbrapsht namazi, i kthehet mbrapsht e gjithë puna”[10].

Transmetohet nga Zejd bin Halid El-Xhuhenij -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kush merr abdes mirëpastaj fal dy rekate pa harruar diçka në të, i falen atij mëkatet e kaluara”[11].

Transmetohet nga Uthman bin Ebu El-As -radiallahu anhu- se ai erdhi tek profeti dhe i tha: O i dërguar i Allahut, shejtani ka hyrë mes meje namazit dhe leximit, ma pështjellon atë (leximit). Profeti -alejhi selam- tha: “Ky shejtan quhet Hinzeb, kur ta ndjesh atë kërkoi mbrojtje Allahut prej tij dhe pështyj në të majtën tënde tre herë. Unë e bëra këtë dhe Allahu ma largoi”[12].

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se ai ka dëgjuar profetin -alejhi selam- duke thënë: “E kam ndarë namazin mes meje dhe robit tim në dy gjysma dhe robi im ka atë që kërkon, kur thotë njeriu Elhamdulilahi rabil alemine, thotë Allahu i madhëruar: më falënderoi mua robi im, kur thotë Er-Rahmani Er-Rahim, thotë Allahu i madhëruar: më lavdëroi mua robi im, kur thotë Maliki jeumi din, thotë: më bëri lavdi robi im (një herë ka thënë: më ngarkoi robi im), kur thotë Ijake neabudu ue ijake nestein, thotë: kjo është mes meje dhe robit tim dhe robi im do ketë atë që kërkon, kur thotë Ihdina siratal mustekin, sirataledhine en’amte alejhim gajril megdubi alejhim ue la dalin, thotë: kjë është për robin tim dhe ai do ketë atë që kërkon”[13].

Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut

Autor Husejn el Auajshe (Allahu e ruajtë)

Përktheu Teuta Xeka

[1]E transmeton Buhariu.

[2]E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

[3]E transmeton Buhariu.

[4]E transmeton Buhariu me zinxhir mualek (të varur) të cilin e ka plotësuar Abdurrazaku me zinxhir të saktë.

[5]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[6]E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[7]E transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ibën Hibani dhe e saktëson shejh Albani.

[8]E transmeton ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani, Të ngjashëm me këtë ka transmetuar dhe Ibën Hibani në Sahihun e tij.

[9]E transmeton Nesaiu me zinxhir të mirë dhe e saktëson shejh Albani.

[10]E transmeton Bezari dhe e ka konsideruar hasen Mundhiriu. E saktëson shejh Albani.

[11]E transmeton Ebu Daudi, Hakimi dhe ka thënë i saktë sipas kushteve të Muslimit, me të është pajtuar Dhehebiu dhe shejh Albani.

[12]E transmeton Muslimi.

[13]E transmeton Muslimi.

You may also like...