18 Këshilla nga sahabët dhe dijetarët e hershëm për rëndësinë e Sunetit

0
1388

kurani

1.Ka thënë Muhamed bin El-Hanefije: “ Nuk do të zhduket kjo botë përpara se njerëzit të debatojnë rreth realitetit të Zotit të tyre”.

2.Ka thënë El-Ehnaf bin Kajs: “ Debatet e tepërta mbjellin hipokrizinë në zemër”.

3.Ka thënë Taus: “ Në çdo rast që e ka përmendur Allahu egon në Kuran, e ka kritikuar atë”.

4.Ka thënë Sufjan Eth-Theurij: “ Bidati është më i dashur tek Iblisi se sa mëkati, sepse nga mëkati pendohesh kurse nga bidati nuk pendohesh”.

5.Ka thënë El-Euzaij: “Kur Allahu nuk dëshiron të mirën për disa njerëz i shtyn ata drejt debateve dhe i pengon nga vepra”.

6.Ka thënë El-Euzaij: “Duro në përqendrimin në Sunet, ndalo aty ku ndaluan edhe njerëzit, thuaj atë që thanë edhe ata, përmbahu nga ajo që u përmbajtën edhe ata dhe ndiqe rrugën e të parëve të mirë, sepse ajo që i mjaftoi atyre të mjafton edhe ty”.

7.Ka thënë imam Ahmedi: “Bazat e Sunetit tek ne janë: “ Përqëndrimi në rrugën e sahabëve të të Dërguarit të Allahut dhe pasimi i tyre, largimi nga bidatet, sepse çdo bidat është humbje, largimi nga debatet dhe largimi nga qëndrimi me njerëzit që pasojnë egot dhe epshin e tyre… .”

8.Ka thënë Muhamed bin Sirin: “E konsideronin dikënd të udhëzuar për aq kohë sa ai ndiqte gjurmët (e të parëve).”

9.Ka thënë Shadh bin Jahja: “Nuk ka rrugë më të shkurtër për në Xhenet se sa rruga e pasimit të gjurmëve të të parëve”.

10.Ka thënë Abdullah bin Mes’ud: “ Do të vijnë njerëz që lënë nga Suneti sa përmasa e mollëzës së gishtit, nëse i lini ata (pa i këshilluar dhe ndaluar), atëherë do të vijnë me gjëmën e madhe. Ithatërt e Librit fillimisht lanë Sunetin dhe në fund lanë namazin, e nëse nuk do t’u vinte turp, atëherë do të linin edhe namazin”.

11.Ka thënë Abdullah bin Umer: “ Çdo bidat është humbje edhe nëse njerëzit e gjykojnë si të mirë”.

12.Ka thënë Ez-Zuhrij: “ Përqëndrimi pas Sunetit është shpëtim”.

13.Ka thënë Sufjan bin Ujejne: “Silluni mirë me ata që i përmbahen Sunetit, sepse ata janë si të huaj ndër njerëzit e tjerë”.

14.Ka thënë Fudejl bin Ijad: “ Ka disa njerëz me anë të të cilëve Allahu ngjall vende dhe ata janë pasuesit e Sunetit. Ai që e di se çfarë ushqimi (hallall apo haram) fut në stomakun e tij është prej palës së Allahut”.

15.Ka thënë Aun: “ Ai i cili vdes me Islam dhe Sunet meriton përgëzimin më të mirë”.

16.Ka thënë Muhamed bin Abdu El-Ala: “ Kam dëgjuar Mu’temir bin Sulejman të thotë: ‘ Shkova i mërzitur tek babai im, ai kur më pa tha: ‘ Çfarë ke?’ Thashë: ‘ Vdiq një miku im.’ Tha: ‘ A vdiq i përqëndruar në Sunet?’ Thashë: ‘Po’. Tha: ‘ Atëherë mos u shqetëso!”

17.Ka thënë Abdullah bin Ukejm: “ Njerëzit janë në hajër për aq kohë sa e marrin diturinë nga (dijetarët) të mëdhenjtë dhe kur të vegjlit (në dituri) nuk flasin para të mëdhenjve, e nëse flet i vogli para të madhit (më të diturit), atëherë do të shkatërrohen”.
18.Ka thënë Alij bin ebi Talib: “ Largojuni debateve (pa dobi), sepse ato asgjesojnë Fenë”.

Marrë nga libri: “ Sherh usul i’tikad ehlu suneh ue el-xheme’a…” i imam El-lalekai (v. 418 h.)

Përktheu Jusuf Gjevori