“Lësho ujë në kopshtin e filanit.”

Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) transmeton se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Një herë, kur një njeri po rrinte në një tokë të shkretë dëgjoi një zë tek retë që thoshte: “Lësho ujë në kopshtin e filanit.” Reja filloi të lëvizte dhe shkoi e derdhi ujin e saj në një tokë me gurë të zinj. Një vijë e mblodhi të gjithë ujin që ra. Njeriu shkoi pas vijës së ujit dhe gjeti një njeri që qëndronte në kopshtin e tij, i cili shpërndante ujin me shat. Njeriu i tha: “O rob i Allahut, si të quajnë?” Ai tha: “Unë jam filani” – ishte pikërisht emri që kishte dëgjuar tek retë. Ai tha: “O rob i Allahut, pse më pyet për emrin tim?” Ai i tha: “Unë dëgjova një zë në renë që të solli këtë ujë, i cili thoshte: “Lësho ujë në kopshtin e filanit” – pra, përmendi emrin tënd. Prandaj, desha të di se si vepron me kopshtin tënd?” Ai i tha: “Meqënëse the këto fjalë, po të tregoj. Unë marr prodhimin e këtij kopshti dhe një të tretën e tij e jap sadaka, një të tretën e përdor për të ushqyer familjen dhe një të tretën e kthej përsëri në kopësht.” (Muslimi, Ahmedi)

Në versioni e Tajalisit thuhet: “Një të tretën ua jap nevojtarëve, lypsave dhe atyre që kanë mbetur në rrugë.” (Taberani, Ebu Nuajmi)

Disa prej dobive të hadithit:

  • Allahu i Madhëruar me Mëshirën e Tij i veçon disa njerëz nga të tjerët sipas punëve që bëjnë. Për këtë arsye, ai që jep sadaka e meriton që Allahu t’ia shtojë pasurinë, ndërsa dorështrënguari meriton shkatërrimin e pasurisë.
  • Në hadith shihet vlera e sadakasë dhe bamirësisë tek të varfërit dhe ata që mbeten në rrugë.
  • Në hadith shihet vlera kur njeriu ushqehet për vete dhe ushqen familjen me punën e tij.
  • Shihet vlera e bujqësisë dhe e mbjelljes, e cila është prej fitimeve më të pastërta dhe më të mira. Janë përcjellë shumë hadithe, që e nxisin njeriun të merret me këtë punë. Prej këtyre haditheve mund të përmendim hadithin, që gjëndet në të dy librat e saktë, ku Profeti (alejhi selam) thotë: “Çdo musliman që mbjellë apo lëron diçka dhe prej saj ushqehen shpendët, njerëzit apo kafshët, për çdo gjë atij do t’i quhet sadaka.”
Read Previous

Një person hyn në xhami për të falur jacinë, por nuk e ka falur akshamin, çfarë duhet të bëjë?

Read Next

Shpërblimi për atë që mbjellë pemë!