A është xhelozia cilësi e Allahut?

0
1771

A është xhelozia cilësi e Allahut?

Përcillet nga Ebu Hurejre se profeti Muhamed alejhi selam ka thënë: “ Vërtet, Allahu bëhet xheloz dhe besimtari bëhet xheloz. Xhelozia e Allahut ndodh kur besimtari vepron haramet e Tij.” (Buhariu dhe Muslimi)

Në këtë hadith tregohet qartë se xhelozia është nga cilësitë e Allahut dhe se nuk lejohet mohimi i saj, as intepretimi i gabuar i saj, por as mospranimi i saj me pretendimin e paditurisë. Ne besojmë se xhelozia është nga cilësitë e Allahut, sepse Profeti alejhi selam e cilësoi Zotin e tij me të, por mënyra e saj reale është e paditur për ne. Ne besojmë që të gjitha cilësitë e tjera të Zotit tonë si: dëgjimi, shikimi, qëndrimi i Tij mbi Arsh, zbritja në qiellin e dynjasë në pjesën e fundit të natës, e folura etj., janë për Zotin tonë në formën më të përkryer, më të përsosur siç i takon madhështisë së Tij.

Ato nuk përngjasojnë me cilësitë e krijesave në asnjë aspekt dhe ngjashmëria e tyre ndonjëherë në emër me cilësitë e krijesave nuk do të thotë se këto cilësi janë të njëjta si për Krijuesin ashtu edhe për krijesat.

Nëse cilësitë e Allahut do ti përngjasojmë me cilësitë e krijesave, atëherë kjo do të na shtynte ne mohimin e tyre ose cilësimin e Allahut me mangësi dhe të meta, por Ai është i përsosur, asgjë nuk është si Ai, i Cili thotë: “ Asgjë nuk është si shembulli i Tij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” Shura: 11