Vlerat dhe begatitë e ditës së Premte

Vlerat dhe begatitë e ditës së Premte
Dita e Premte është dita më e mirë e javës. Ajo është një ditë e begatë. Allahu i Lartësuar e ka zgjedhur atë për muslimanët. Vlerat dhe begatitë e mëdha të saj janë:
1.Hadithe të shumta janë transmetuar në lidhje me vlerën dhe pozitën e kësaj dite. Transmetohet nga Ebu Hurejre, radijallahu anhu, se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Dita e Premte është dita më e mirë që ka parë drita e diellit. Ademi është krijuar në këtë ditë, në këtë ditë është futur në Xhenet e po në këtë ditë është nxjerrë prej tij. Dita e Kijametit ka për të ndodhur po ditën e premte.” (Muslimi)

Gjithashtu, Muslimi tansmeton në Sahihun e tij nga Ebu Hurejre dhe Hudhejfe, radijallahu anhum, se i Dërguari i Allahu, alejhi selam, ka thënë: “Allahu nuk ua mundësoi gjetjen e ditës së Premte atyre që qenë para nesh. Jehudëve u takoi dita e Shtunë e të krishterëve dita e dielë. Allahu më pas na solli neve dhe na udhëzoi për ditën e Premte.”

2.Kjo ditë përmban një orë në të cilën lutja është e pranuar.
Transmetohet nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, po fliste për ditën e Premte, e më pas tha: “Ditën e Premte ka një orë, të cilën nëse e gjen një musliman duke falur namaz e duke i kërkuar Allahut diçka, Allahu do t’ia dhurojë atij atë që kërkon.” (Buhariu, Muslimi)
Pastaj, i Dërguari i Allahu, alejhi selam, bëri një shenjë me dorën e tij për të treguar se kjo orë është një pjesë e shkurtër kohe.

3.Kjo ditë është e begatë, sepse kujtdo që kryen namazin e ditës së Premte sipas rregullave të saj, i falen gjynahet e të gjithë ditëve të javës, deri në të Premten tjetër. Transmetohen nga Selman Farisiu, radijallahu anhu, se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Kush kryen larjen e ditës së Premte, pastaj pastrohet me aq sa ka mundësi, pastaj lyhet me vajin ose me parfumin e shtëpisë së tij, pastaj del pa ndarë mes dy personave, pastaj fal namaz aq sa mundet dhe hesht kur imami flet, i falen gjynahet deri të Premten tjetër.” (Buhariu)

Gjithashu, profeti, alejhi selam, ka thënë: “Pesë namazet, Xhumaja deri në Xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër, i fshijnë gjynahet midis tyre, me kusht që të shmangen gjynahet e mëdha.”

4.Vlera e madhe e shkuarjes herët në xhami ditën e Premte.
Transmetohet nga Ebu Hurejre, radijallahu anhu, se profeti, alejhi selam, ka thënë: “Ai që lahet ditën e Premte, ashtu sikurse lahet kur është i papastër (xhunub), pastaj shkon në xhami, merr shpërblim sikur të kishte dhuruar një deve. Ai që shkon në xhami orën e dytë merr shpërblim sikur të kishte dhuruar një lopë. Ai që shkon në xhami orën e tretë merr shpërblim sikur të kishte dhuruar nje dash me brirë. Ai që shkon në xhami në orën e katërt merr shpërblim sikur të kishte dhuruar një pulë. Ai që shkon në xhami orën e pestë merr shpërblim sikur të kishte dhuruar një vezë. Atëherë kur imami del, melaiket afrohen për të dëgjuar përkujtimin.” (Buhariu, Muslimi)

“Kërkimi i begatisë, 166” – Nasir ibn Muhamed el Xhedi

You may also like...