Ora e përgjigjes së duasë (lutjes) ditën e xhuma
Pas mbarimit të namazit të xhumasë nuk mbetet gjë tjetër prej angazhimeve të saj, veçse shfrytëzimi i orës së pranimit të duasë në këtë ditë -siç ka ardhur në hadithet e sakta-, prej tyre:
Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se ka dëgjuar profetin -alejhi selam- duke thënë: “Në ditën e xhuma ka një orë, gjatë së cilës kushdo që qëllon duke u falur dhe i lutet Allahut për diçka ia jep atë”156.
Në lidhje me caktimin e kësaj ore janë disa mendime në mesin e dijetarëve të islamit, por dy mendimet më me bazë janë si më poshtë:
Mendimi i parë: Ora e përgjigjes së duasë është koha kur imami ulet në minber derisa të mbarojë namazi i xhumasë.
Ky mendim mbështetet në një hadith, ku Abdullah bin Umr -radiallahu anhu- pyet Ebu Burden, të birin e Ebu Musa El-Esh’arij -radiallahu anhu-: “A e ke dëgjuar babanë tënd të thotë ndonjë gjë nga profeti -alejhi selam- për orën e xhumasë? Ai i thotë: E kam dëgjuar atë duke thënë se e ka dëgjuar profetin -alejhi selam- të thotë: Ajo (orë) është mes kohës kur imami ulet në minber deri kur mbaron namazi”157.
Kjo përgjigje mendohet të mos jetë nga profeti -alejhi selam-dhe imam Muslimi, i cili e ka transmetuar atë, është kritikuar për përfshirjen e këtij hadithi mes haditheve të profetit -alejhi selam-, sepse ky hadith sipas një transmetimi tjetër shfaqet si mendim i Ebu Musa El-Esh’arij -radiallahu anhu- dhe jo fjalë profetike. Kështu citon imami i madh i hadithit Derakutni dhe e pason atë imami i hadithit në kohën tonë sheikh Albani -Allahu e mëshiroftë-158.
Mendimi i dytë: Ora e përgjigjes së duasë është ora e fundit e xhumasë para perëndimit të diellit.
Ky mendim mbështetet te një hadith i Xhabir bin Abdilah -radiallahu anhu- se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Dita e xhumasë është 12 orë. Nuk ka mysliman që i lutet Allahut për diçka veçse ia jep atij. Kërkojeni atë në orën e fundit pas ikindisë”159.
Mendimi i dytë është mendimi më i saktë i dhënë për këtë çështje dhe kjo për disa arsye:
E para: Hadithi i Ebu Musa El-Esh’arij -radiallahu anhu-, në të cilin mbështetet mendimi i parë mund të mos jetë fjalë e profetit -alejhi selam- por fjalë e vet Ebu Musa El-Esh’arij -radiallahu anhu-, ndërsa hadithi i Xhabirit -radiallahu anhu-është padyshim fjalë profetike, sepse nuk kritikohet nga ana e zinxhirit të transmetimit të tij.
E dyta: Ky mendim përkrahet edhe nga fjala e një sahabiu të nderuar Abdullah bin Selam -radiallahu anhu-, i cili e konfirmon caktimin e kësaj ore edhe te librat e mëparshëm të Allahut, sepse ai njihet për diturinë e tij në lidhje me ato libra.
Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se është takuar njëherë me Kab El-Ah’bar (tabi’in i njohur gjithashtu për njohuritë e tij në lidhje me librat e mëparshëm të Allahut) dhe kanë biseduar me të në lidhje me orën e përgjigjes së duasë ditën e xhuma. Ai thotë: “Kabi më tha: Ajo është një ditë në vit. Unë i thashë: Jo. Ajo është çdo xhuma. Atëherë Kabi lexoi Teuratin dhe më tha: Të vërtetën ka thënë i Dërguari i Allahut. Pastaj takova Abdullah bin Selamin -radiallahu anhu- dhe i tregova për bisedën time me Kabin në lidhje me xhumanë dhe se Kabi më tha: Ajo është një ditë në vit. Ai më tha: E ka gabim Kabi. I thashë: Ai pastaj lexoi Teuratin dhe më tha se është në çdo xhuma. Ai më tha: Mirë e ka Kabi.
Pastaj Abdullah bin Selami më tha: Unë e di se cila orë është ajo. I thashë: Ma trego dhe mos u trego koprrac ndaj meje! Ai më tha: Ajo është ora e fundit e ditës së xhuma. I thashë: Si mund të jetë ora e fundit e ditës së xhuma, ndërkohë profeti -alejhi selam- ka thënë: [Nuk rastis në atë moment ndonjë rob mysliman duke u falur] dhe ajo është kohë që nuk lejohet në të falja. Ai më tha: A nuk ka thënë profeti -alejhi selam-: Kush ulet në ndonjë mexhlis duke pritur namazin është në namaz derisa sa ta falë atë? I thashë: Sigurisht që po! Ai më tha: Atëherë, kjo është”160.
E treta: Ora e fundit e ditës së xhuma është edhe ora kur u krijua Ademi -alejhi selam- dhe Allahu i madhëruar i kërkoi melaikeve t’i bien atij në sexhde, siç ka ardhur në një hadith tjetër të Ebu Hurejres -radiallahu anhu- ku thuhet se profeti -alejhi selam- ka thënë:
“Allahu e krijoi Ademin ditën e xhuma pas ikindisë, në orën e fundit prej orëve të ditës së xhuma mes ikindisë dhe natës (d.m.th: perëndimit të diellit)”161.
Kështu, kjo orë i përshtatet veçorisë më kryesore të ditës së xhuma dhe që është krijimi i Ademit -alejhi selam- babait të njerëzimit dhe prandaj u është dhënë atyre si kohë e pranimit të duasë.
156 E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
157 E transmeton Muslimi.
158 Shih librin “Ilel Ed-Darakutnij”: 7/212 dhe librin “Daif Ebu Daud” i sheikh Albanit: 1/397.
159 E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh El-Albani
160 E transmeton Maliku, Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe e saktëson sheikh Albani.
161 E transmeton Muslimi.
Abdullah Nabolli