Çfarë gjykimi ka namazi i xhumasë?

Çfarë gjykimi ka namazi i xhumasë?
Namazi i xhumasë është detyrë për çdo mysliman, sepse ajo shpreh identitetin e tij.
Këtë realitet e shohim te mënyra se si Allahu i madhëruar i thërret besimtarët për në xhuma.
Allahu i madhëruar në Kuran thotë:
“O ju që keni besuar! Kur të thirret për në namaz ditën e xhuma, nxitoni për në përkujtimin e Allahut dhe lëreni tregtinë! Kjo është më e mirë për ju, sikur ju ta dinit” Suretu El-Xhumuah: 9.

Allahu i madhëruar kur thotë [O ju që keni besuar!] dmth: Ai u thërret besimtarëve në emër të besimit dhe thirrja e Tij në këtë mënyrë u kujton atyre besën mes tyre dhe Tij dhe që është fjala [La ilahe il-la Allah, Muhamed resulullah].

Kështu, mosrespektimi i kësaj thirrjeje është shkelje e kësaj bese dhe prandaj ajo është me pasoja të rënda për besimtarin dhe besimin e tij.
Abdullah bin Umr dhe Ebu Hurejra -radiallahu anhuma- tregojnë se kanë dëgjuar profetin alejhi selam duke thënë:

“Ti japin fund disa njerëz lënies së xhumasë, ose përndryshe Allahu do t’jua vulosë zemrat që ata gjithmonë të jenë të shkujdesur” e transmeton Muslimi.

Vulosja e zemrës e përmendur si ndëshkim për ata që nuk e respektojnë xhumanë, do të thotë bllokim i fortë i saj për të mos arritur tek ajo mirësia dhe e dobishmja.

Në një hadith tjetër jemi njoftuar se kjo vulosje ndodh, nëse lënia e saj bëhet tre herë, siç tregon Ebu El-Xhad Ed-Damri -radiallahu anhu- se profeti alejhi selam ka thënë:
“Kush e lë xhumanë tri herë me neglizhencë, i vuloset zemra” e transmeton Ebu Daudi, Termidhiu, Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani.

El-Baxhi (dijetari i njohur Andaluzian -Allahu e mëshiroftë-) në komentimin e këtij hadithi thotë: Allahu e ka shtyrë vulosjen për në lënien e tretë që ti japë mundësi njeriut për tu penduar.

Ajeti i xhumasë gjithashtu tregon se kur thirret ezani i xhumasë duhet të lihet tregtia.

Komentuesit e Kuranit mendojnë se ajo është marrë si shembull, sepse tregtia ka qenë puna e tyre kryesore dhe se ketë gjykim e ka çdo punë tjetër, veç vajtjes në xhuma.

Ata bin Ebij Rabah tabiini i njohur i vdekur ne vitin 114 sipas hixhretit -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e këtij ajeti, thoshte: Kur të thirret ezani i xhumasë, të gjitha punët janë haram (dmth: veç vajtjes në xhuma).

Pastaj ajeti përfundon me fjalën e Allahut [Kjo është më e mirë për ju, sikur ju ta dinit] dmth: lënia e çdo pune tjetër dhe drejtimi për te përkujtimi i Allahut në këto momente, është më i mirë për ju në dynja dhe në ahiret nëse ia dini atij vlerën.

Duke parë në fjalët profetike gjejmë se nga kjo thirrje nuk janë përjashtuar veçse ato kategori njerëzish të cilët vajtjen për në xhuma e kanë, ose të vështirë, ose të pamundur.

Tarik bin Shihab radiallahu anhu tregon se profeti alejhi selam ka thënë: “Xhumaja është hak i detyrueshëm për çdo mysliman (që të falet) me xhemat, me përjashtim të katër njerëzve: robi që është nën pronësinë e tjetrit (dmth: skllav që e ka humbur lirinë), femra, i vogli dhe i sëmuri” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

Këtyre kategorive u shtohet edhe mysafiri në udhëtim, siç thotë sheikh-ul-islam Ibn Tejmije Allahu e mëshiroftë:
Nuk është ligjësuar xhumaja në udhëtim, sepse profeti alejhi selam ka bërë shumë udhëtime; ka bërë tre herë umre, ka bërë një herë haxh dhe ka marrë pjesë në më shumë se 20 beteja dhe asnjëherë nuk është transmetuar të ketë falur xhuma, madje në haxhin e tij në ditën e Arafatit e cila ishte edhe ditë e xhuma, ai pas hytbes ka falur namazet dy e nga dy pa zë çka do të thotë se ato nuk kanë qenë namaz xhumaje.

Këto kategori njerëzish edhe pse nuk janë të detyruar të prezantojnë në xhuma, kjo nuk do të thotë që ata të mos prezantojnë, nëse kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë, sidomos femrat sepse xhumaja është mundësi e mirë për to për të mësuar dhe për tu këshilluar.

Ummu Hisham vajza e El-Harith bin Enuman -radiallahu anhuma- thoshte: “Nuk e kam mësuar suren Kaf veçse prej gojës së profetit -alejhi selam- kur e lexonte atë çdo të xhuma mbi minber gjatë hytbes” e transmeton Muslimi.
Pra, përveç këtyre kategorive, të tjerët e kanë detyrë të prezantojnë në xhuma dhe Allahu i madhëruar për ta lehtësuar kryerjen e kësaj detyre, nuk ka bërë kusht tjetër për kryerjen e saj veç mbledhjes së njerëzve (dmth: xhemati).

Ky është gjykimi i sahabëve dhe i tabiinëve:
Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon: i kemi shkruar një herë Omerit -radiallahu anhu- për ta pyetur rreth xhumasë dhe ai na u përgjigj:
“Bëni xhuma kudo që të jini” e transmeton Ibn Ebij Shejbe dhe e saktëson sheikh Albani.
Ibn El-Mundhir (dijetari i madh dhe i njohur i fikhut dhe i khilafit i vdekur në vitin 319H) thotë:
“Na është transmetuar nga Ibn Omeri -radiallahu anhu- se ai i shihte banorët pranë burimeve mes Mekës dhe Medinës duke falur xhumanë dhe nuk u thoshte gjë atyre (dmth: e miratonte veprimin e tyre).

Dhe është transmetuar nga Umer bin Abdulazizi -Allahu e mëshiroftë- (prijësi i drejtë i myslimanëve i vdekur në vitin 101H) se i porosiste banorët pranë burimeve për këtë gjë (dmth: faljen e xhumasë)”. Shih librin El-Ishraf.
Kështu bazuar në gjykimet e këtyre selefëve dhe në ajetin e lartpërmendur të xhumasë ku Allahu i madhëruar porosit besimtarët që ti përgjigjen ezanit të xhumasë, themi se njerëzit në një vend ku ka xhami -siç ndodh në qendrat e mëdha të banimit- duhet ti përgjigjen atij ezani që dëgjojnë dhe nëse nuk ka xhami -siç ngjan në rastet e zonave më pak të banuara-, atëherë ata prapë duhet të bashkohen për të falur xhumanë në ambiente të tjera dhe të mos e lënë faljen e festës së tyre dhe përkujtimin e Allahut të madhëruar në këtë ditë.

Tani lind një pyetje e cila bëhet shpesh: Sa është numri minimal i njerëzve, për të mbajtur një xhuma?
Kjo pyetje bëhet shpesh nga ata njerëz që banojnë në zona më pak të banuara, apo nga ata që banojnë në vende banuara por muslimanët përbëjnë pakicë dhe përgjigjja e saj është se gjykimi për këtë çështje varet nga kuptimi i fjalës xhemat. Disa dijetarë mendojnë se xhemat quhen tre veta e lart, ndërsa disa të tjerë mendojnë se duhen më shumë, dhe më e pakta që është thënë në lidhje me këtë çështje është dy veta e lart.
Gjykimi më i saktë është se xhemat quhet edhe dy veta kur falen bashkë dhe ky është mendimi i imam Sheukanit -Allahu e mëshiroftë-. Shih librin Neil El-Eutar.

Këtë mendim para tij e ka hedhur dijetari i njohur Ibrahim En-Nekhaij (mësuesi i Hammad bin Ebij Sulejman prej të cilit ka mësuar imami i njohur Ebu Hanife Allahu i mëshiroftë të gjithë), i cili thoshte:
Nëse është edhe një tjetër me imamin, atëherë ata të dy së bashku falin xhumanë, me hutbe dhe dy rekate namaz.

Ky mendim është gjithashtu mendimi i disa dijetarëve të tjerë si El-Hasen bin Haj (dijetar i madh i Kufes dhe adhurues i përkushtuar i vdekur në vitin 169H), Ebu Sulejman (Daud Edh-Dhahirij dijetar i madh i vdekur në vitin 270H) dhe mendimi i zgjedhur nga Ibn Hazmi -Allahu e mëshiroftë- (dijetari i madh i Andaluzisë i vdekur në vitin 456H). Shih librin El-Muhal-la.
Pra, xhumaja është detyrë për myslimanet, festë e begatë për ta, shenjë dalluese e besimit të tyre dhe faktor i rëndësishëm në ruajtjen e tij.

Dr. Abdullah Nabolli.

Read Previous

A duhet te jesh supersticioz?

Read Next

Si i pastronte dhembet profeti Muhamed alejhi selam