Në ndejën paraprake shpjeguam vlerën dhe pozitën e lartë të dhjetë netëve të fundit të Ramazanit. Ajo që ia shton edhe më shumë vlerën dhe madhështinë atyre, është nata e Kadrit, të cilën Allahu e ka vendosur në këto dhjetë netë dhe e ka dalluar prej netëve të tjera të vitit. E ka dalluar si natë (e ka ngritur shumë lartë çështjen e saj) e gjithashtu e ka dalluar me atë se në të Ai u jep muslimanëve shpërblime të shumta. Allahu në Kuran tregon se çfarë vlere të madhe ka kjo natë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë, me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar, si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha. Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje. S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij. Ai e jep jetën dhe e shkakton vdekjen. Ai është Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj të lashtë!” Duhan 3-8. Allahu në këto ajete, natën e Kadrit e përshkruan “muberakeh – مُبَارَكَة – e bekuar”. Kjo ngase mirësia, bereqeti e vlera e saj është shumë e madhe. Ai ka vendosur mirësi, bereqet, bekime e shpërblime të shumta në këtë natë.
Prej bereqetit të natës së Kadrit është se në të Allahu e ka zbritur Kuranin fisnik. Po ashtu, në këtë natë Allahu vendos e gjykon për çdo çështje të urtë (në të cilën ka urtësi). Qëllimi është se Allahu, në këtë natë, çdo çështje që është në Lewhu Mahfudh, e që do të ndodhë deri në Ramazanin e ardhshëm (deri në ditën e natës së Kadrit), e vendos në shkrimet të cilat janë në duart e engjëjve. Allahu e gjykon dhe vendos se çfarë do të ndodhë brenda vitit, qoftë nëse ka të bëjë me furnizimin, me afatin e vdekjes, me të mirën e të keqën etj., çdo gjë. Këto Allahu thotë se janë çështje të urta, janë prej çështjeve e urdhrave të Përsosur të Tij, që i vendos Ai, ngase Allahu është i Urti. Nuk ka mangësi, mendjelehtësi, kotësi e të metë në këto gjëra, të cilat i vendos dhe i gjykon Allahu. Çdo gjë që e vendos Allahu në këtë natë, deri në vitin e ardhëm, është çështje e urtë, qoftë nëse na konvenon a na përshtatet neve apo jo, ngase kjo është Caktim i Allahut i Cili është el Azizul Alim – i Plotëfuqishmi dhe i Gjithdijshmi.
Allahu ka zbritur një sure të plotë e cila flet rreth natës së Kadrit. Ai thotë: إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِى لَيْلَةِ الْقَدْرِ * وَمَآ أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ * لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ * تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ * سَلَمٌ هِىَ حَتَّى مَطْلَعِ الْفَجْرِ – Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” Surja Kadr 1-5.