Pse quhet Nata e Kadrit?

0
2091

“Nata e Kadrit është quajtur me këtë emër, ngaqë ajo ka pozitë (kadr) të lartë, për shkak të zbritjes së Kuranit në të.

Apo për shkak se në të zbresin engjëjt, apo për shkak se në të zbret bereqeti, mëshira dhe falja, apo për shkak se ai që e gjallëron atë natë me adhurim, bëhet njeri me kadr (pozitë të lartë).

Po ashtu është thënë se fjala el-kadr ka kuptimin e el-kader (përcaktimit), që është sinonim i fjalës el-kada’.

Kuptimi është se në këtë natë përcaktohen gjykimet për atë vit.
Kjo për shkak të ajetit: “Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë.” (Ed-Duhan, 4)

Pikërisht me këtë i filloi edhe Neveviu (Allahu e mëshiroftë) fjalët e tij kur tha: “Dijetarët thanë: “Është quajtur nata e Kadrit, për shkak se engjëjt i shkruajnë në të përcaktimet, siç lexojmë në ajet: “Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë.” (Ed-Duhan, 4)

Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) rreth këtij ajeti tha: “Në natën e Kadrit shkruhet nga Libri Amë (Pllaka e Ruajtur- El-Leuhu El-Mahfudh) çdo gjë që do të ndodhë brenda vitit, si: të mirat, të këqijat, furnizimet, jetëgjatësia, madje edhe kush do të shkojë në haxhillëk. Ti e sheh njeriun duke ecur nëpër tregje, mirëpo emri i tij është i shkruar tek të vdekurit.”

(Shejh AbdulKerim El-Hudajr)
Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku