Është quajtur “لَيْلَةِ الْقَدْرِ – Nata e Kadrit” për dy arsye:
- Fjala “قَدْرِ – kadr” në arabisht tregon madhështi, ndershmëri, pozitë të lartë, që do të thotë se kjo natë është madhështore, ka pozitë të lartë tek Allahu.
- Fjala “قَدْر – kadr” është marrë prej Caktimit (تقدير), nga ajo se Allahu në këtë natë Cakton dhe gjykon se çfarë do të ndodhë prej çështjeve të urta, deri në vitin e ardhshëm.
“ليْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ – Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.” Sa i përket vlerës e madhështisë së saj, e po ashtu shpërblimeve të shumta të cilat Allahu ua jep besimtarëve në të, ajo është më e vlefshme sesa 1000 muaj. Ai që e ngjallë këtë natë me adhurime, me besim dhe shpresë në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e kaluara.
“تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا – Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), zbresin në këtë natë”. Engjëjt janë robër të Allahut, të cilët e adhurojnë Atë natë e ditë, pa ndërprerë. Allahu kur i përshkruan engjëjt thotë: “Atij i përket gjithkush që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.” Enbija 19-20. Kur engjëjt zbresin në tokë në këtë natë (siç gjejmë në ajetin më lartë), atëherë sjellin me vete mirësinë, bereqetin e Mëshirën e Allahut. Në mesin e engjëjve, Allahu e veçon njërin prej tyre, me Fjalët “وَالرُّوحُ – Shpirti”, ku për qëllim është Xhibrili, duke na treguar me këtë se është prej engjëjve madhështor, me pozitë të lartë tek Allahu.
“سَلَمٌ هِىَ – (Ajo) Është Paqe…”, është paqe, selamet, siguri për besimtarët, janë së sigurt prej çdo gjëje nga e cila frikësohen; besimtari i frikësohet dënimit të Allahut, zjarrit të xhehenemit. Në këtë natë Allahu liron shumë besimtarë prej zjarrit të xhehenemit dhe i shpëton prej këtij ndëshkimi.
“حَتَّى مَطْلَعِ الْفَجْرِ” – deri në lindjen e agimit”. Nata e Kadrit zgjatë derisa të lindë agimi, me lindjen e tij përfundon kjo natë dhe veprat e mira që duhet të kryhen brenda saj.