Nijeti i agjerimit eshte i detyrueshem

0
7121

 

Përcillet nga Hafsa e bija e Omerit (r.a.) se Pejgamberi (a.s.) ka thёnё: ”Kush nuk e vendos pёr agjёrim që përpara sabahut, ai nuk ka agjёrim tё vlefshёm”. Hadithin e sjell Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, por sipas qëndrimit më të saktë, kjo ёshtё thënie e Hafsёs.

Ndёrsa te Nesaiu përcillet se: “Kush nuk e bёn nijet para sabahut që tё agjёrojё, ai nuk ka agjёrim tё vlefshёm.”[1]

Nga Abdullah Ibn Omeri (r.a.) përcillet se ai ka thёnё: “Nuk i quhet agjërimi veçse atij që e vendos që para sabahut pёr agjёrim”.[2]

Tirmidhiu (Allahu e mёshiroftё!) thotë: “Dijetarёt shpjegojnë se nuk i vlen agjёrimi atij që nuk e vendos pёr tё agjёruar para hyrjes sё sabahut nё ramazan, ose për zëvendësimin e ditëve të ramazanit (kazanë), ose për agjërimin që njeriu ia bën detyrë vetes me zotim. Me fjalë të tjera, nёse njeriu nuk e bёn nijetin për agjërimin detyrë natёn, para agimit, nuk i vlen agjërimi. Sa i pёrket agjёrimit vullnetar, lejohet ta bёsh nijetin pasi tё hyjё sabahu. Ky është qëndrimi i Shafiiut, Ahmedit dhe Is’hakut.”[3]

 

Mësime dhe dispozita

1- Ёshtё i domosdoshёm që agjёrim të kryhet me nijetin si ibadet për Allahun e Lartmadhëruar. Nёse dikush nuk i konsumon gjërat që prishin agjërimin pёr tё mbajtur dietё, ose nga kёshillat e mjekut, ose thjesht sepse nuk i hahet e pihet, ose për ndonjë arsye tjetёr, ky nuk vlen si agjёrim fetar, për të cilin shpёrblehet nga Zoti.

2- Vendi i nijetit ёshtё zemra. Kushdo qё e çon në mendje se të nesёrmen do tё agjёrojё, e ka bёrё nijetin.

3- Agjёrimi i detyrueshёm, si agjёrimi në ramazan, agjërimi që njeriu ia ka bërë detyrë vetes me zotim apo agjërimi për shlyerje[4], duhet qё tё pёrfshijё gjithё ditёn, nga hyrja e agimit e deri nё perёndimin e diellit, prandaj kёtё e arrin vetёm ai i cili e vendos tё agjёrojё që para çeljes së agimit. Ndёrsa kush e bёn nijetin gjatё ditёs, agjёrimi i tij nuk e pёrfshin gjithё ditёn, prandaj nuk ka agjёrim tё vlefshёm. Pёr kёtё, ёshtё detyrё qё nijeti i agjёrimit tё detyrueshёm tё bёhet para agimit.

4- Lejohet bёrja e nijetit tё agjёrimit, i detyruar qoftё apo vullnetar, nё çdo pjesё tё natёs. Edhe nёse pas nijetit bën diçka  qё e prish agjёrimin, nuk është e detyrueshme ribërja e nijetit, nёse ende nuk ka hyrё agimi.

[1] Ebu Davudi (2454), Tirmidhiu (730),  Nesaiu (4/196), Ibn Maxheh (1700) dhe Ahmedi (6/287) dhe Ibn Khuzejmeh (1933). Spas një varianti ky hadith përcillet me zinxhir transmetimi të plotë deri tek Pejgamberi a.s dhe  sipas një varianti tjetër sillet me zinxhir transmetimi deri tek sahabёt  si një thënien e tyre dhe jo e Pejgamberit. Mё e sakta ёshtё që është thënie e sahabёve.

[2] Muetta i Imam Malikut (1/288).

[3] Xhamiut-tirmidhi (3/108).

[4] Si për shlyrje (kefaret) betimi, dhihari, apo vrasje gabim.

 

Libri: Mësime të zgjedhura për ramazanin
Autori: Ibrahim Ibn Muhamed el Hukajl

©xhamiambret.com