Në prag të festes së Bajramit

0
683

♦️Në prag të festes.✍️
▪️Agjërimi është shtyllë e fesë islame dhe kryerja e tij është mirësi e madhe për besimtarin dhe sukses i madh prej Allahut të madhëruar që ai të fitojë nëpërmjet saj mirësitë e kësaj bote e të tjetrës.

▪️Allahu i madhëruar në Kuran në lidhje me përfundimin e agjërimit, thotë:
“Ta plotësoni kohën e agjërimit, pastaj ta madhëroni Allahun për suksesin e dhënë me qëllim që ju të falënderoni” Sure El-Bekare: 185.
▪️Ky ajet bën fjalë pikërisht për përfundimin e agjërimit dhe për Fitrin (Çeljen e Përgjithshme) dhe e quan përfundimin e agjërimit sukses të dhënë prej Allahut dhe pastaj na nxit për ta madhëruar Atë në këtë ditë, si shenjë falënderimi për të dhe për ti dhënë kësaj dite anën festive të saj që të gëzohen me të besimtarët.
▪️Profeti i ynë -alejhi selam- na ka treguar se si festohet në këtë ditë duke na nxitur për disa punë të mira:

1- Të pastrohemi dhe të veshim rrobën më të bukurën që kemi.
Kjo sepse kjo ditë është ditë gëzimi dhe gëzimi duhet shfaqur. Nuk ka ndonjë ditë që e meriton shfaqjen e gëzimit më shumë se sa dita kur robi e ka kryer detyrën e Zotit dhe zemra e tij është e mbushur plot me gëzim.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- tregon: “Profeti -alejhi selam- vishte ditën e festes një xhybe të kuqe”
Pra, ai vishte rrobën më të mirë që kishte me qëllim që pamja e jashtme të përshtatet me gjendjen e brendshme të gëzimit.

2- Të dalim të gjithë: burra, gra dhe fëmijë për në vendin e faljes.
Kjo sepse festa e Bajramit është shenjë dalluese e Islamit, sikurse është edhe vetë Ramazani. Prandaj që të gjithë duhen të mblidhen në këtë ditë deri edhe gratë me perioda e tyre mujore të cilave nuk u lejohet të falen.
Sahabija e nderuar Ummu Atije -radiallahu anha- tregon:
«Profeti -alejhi selam- na ka urdhëruar të nxjerrim në Ditën e Çeljes dhe Ditën e Kurbanit deri dhe vajzat e reja që rrinë pas perdeve (dmth: ato që nuk e kanë zakon të dalin) dhe gratë me perioda. Për sa i përket grave me perioda të prezantojnë në këtë mirësi dhe në thirrjet e myslimanëve (dmth: tekbiret e festës) dhe të veçohen në vendin e faljes (sepse atyre nuk u lejohet të falen)».
Pastaj Ummu Atije thotë se e ka pyetur Profetin -alejhi selam-:
«O i Dërguari i Allahut, ndoshta ndonjëra prej nesh nuk ka mbulesë? Atëherë Profeti -alejhi selam- i tha: Ta marrë hua nga motra e saj»
Pra, Profeti alejhi selam e ka kërkuar me patjetër grumbullimin për festim në ditët e festave sepse festat tona janë pas detyrave të Zotit dhe një grumbullim i tillë përveçse e shton gëzimin është edhe nxitje për njerëzit për ruajtjen e tyre.

3- Ta madhërojmë Allahun gjatë rrugës për në vendin e faljes dhe deri sa të fillojë namazi i festës.
Kjo sepse Allahu i madhëruar na ka urdhëruar në ajetin e lartpërmendur ta madhërojmë Atë në ditën e festës me Tekbire.
Sahabiu i nderuar Ibn Mesudi -radiallahu anhu- në ditët festave bënte këto tekbire: «Allahu Ekber! Allahu Ekber! La ilahe ilallah! Allahu Ekber! Allahu Ekber! Ue lilahil-hamd!»

4- Të falim namazin e Bajramit me bashkësinë e myslimanëve.
Kjo sepse festat tona siç janë prej Allahut të madhëruar dhe vendosjes së Tij, janë edhe për Të.
Nuk ka në këto festa ndonjë rit apo veprim që të mos madhërohet me to Allahu, Zoti i Gjithësisë. U përmenden tekbiret dhe tani përveç tyre është edhe namazi i cili është një tjetër shprehje a formë e madhërimit të Tij, me lutje e nënshtrim.
Nuk gjen në këto festa ndonjë gjë qe del jashtë këtij qëllimi e aq më tepër shkelje të kufijve të Zotit siç ndodh në festat e jobesimtarëve të cilët festat e tyre përveçse ia kushtojnë tjetërkujt veç Allahut i shoqërojnë ato me: përzierje të ndaluar mes meshkujve e femrave, muzikë, alkool, lakuriqësi, çorodi etj, çfarë i ka shndërruar shpesh herë gëzimet e tyre në hidhërime.

5- Të dëgjojmë këshillën e imamit dhe fjalimin e tij pas namazit.
Kjo sepse festat janë raste grumbullimi dhe Profeti alejhi selam me qëllim që fjala dhe porositë e Allahut të mbërrijnë te të gjithë njerëzit, i shfrytëzonte këto momente për këshilla e përkujtime për njerëzit që ata të ruajnë besën me Allahun dhe qëndrueshmërinë në rrugë e Tij të drejtë, pasi prej tyre varet shpëtimi i robit në Dynja dhe në Ahiret.
6- Të urojmë njëri-tjetrin pas mbarimit të festës për pranimin e punëve të mira.
Kjo sepse ne nuk e dimë nëse Allahu i madhëruar i ka pranuar ato punë prej nesh apo jo, pasi jemi njoftuar se punët e mira kanë kusht për pranimin e tyre, nijetin e pastër për Zotin.
Profeti alejhi selam thotë: Allahu nuk pranon prej punëve veçse atë që është bërë për Të dhe është synuar me të shpërblimi i Tij
Robërit e mirë të Allahut i frikësohen këtij realiteti siç është përmendur në Kuran ku thuhet:
“Ata të cilët japin nga ajo që kanë fituar dhe zemrat e tyre janë të frikësuara” sure El-Muminun: 60.
Ky përshkrim në Kuran i robërve të mirë të Allahut, i është dukur i çuditshme Aishes, nënës së besimtarëve -radillahu anha-, sepse Allahu i madhëruar, edhe u përmend atyre një punë të mirë si sadakaja, edhe thotë se janë të frikësuar, saqë e ka bërë atë të mendojë se mos janë për qëllim ata lloj njerëzish të cilët, edhe kanë punë të mira, edhe e kanë ngarkuar veten me gjynahe të mëdha.
Aishja -radiallahu anha- thotë: “E kam pyetur Profetin -alejhi selam- për këtë ajet: A janë këta, ata që bëjnë zina, pijnë alkoolin dhe vjedhin? Profeti alejhi selam i ka thënë: Jo, o e bija e Siddikut (emri i Ebu Bekrit -radiallahu anhu-)! Këta janë ata që agjërojnë, falen, japin sadaka dhe kanë frikë se mos nuk u pranohen”.
Pra, siç e filluam këtë muaj me dua që Allahu të na japë bereqet, e përfundojmë atë përsëri me dua duke iu lutur Allahut të na pranojë atë që kemi bërë. Prandaj mos e harro këtë dua se edhe kjo është prej bereqetit!
Xhubeir bin Nufeir (prej tabiinëve të mëdhenj i vdekur në vitin 80 të hixhretit) tregon:
“Shokët e Profetit -alejhi selam- kur takoheshin me njëri tjetrin në ditën e festes i thonin njëri-tjetrit: Tekabbel-Allahu minna ue minke! (E pranoftë Allahu prej nesh dhe prej teje)”
Kjo dua na kujton duanë e Ibrahimit dhe të birit të tij Ismailit -alejhima selam- kur ndërtonin shtëpinë e Allahut në Meke dhe i drejtoheshin Allahut me këtë dua:
“O Zoti ynë pranoje prej nesh se Ti je Dëgjuesi dhe i Dijshmi” sure El-Bekara: 127.
Ata edhe pse po ndërtonin shtëpinë e Allahut dhe me urdhrin e Tij, prapë se prapë i luteshin Allahut për tua pranuar atë vepër, sepse ky është realitetit i robit dhe si i tillë duhet të sillet me Zotin e Tij duke ia kërkuar Atij, edhe dijen, edhe suksesin, edhe pranimin.
▪️Këto janë disa rregulla për festen e madhe të Çeljes dhe e lus Allahun e madhëruar të na bëjë të udhëzuar dhe udhëzues për në rrugën e Tij dhe të na japë vazhdimësi në të! Amin!

Dr. Abdullah Nabolli