O ti besimtar!
1- Kushtoji rëndësi namazit të natës në Ramazan, e këtë namaz fale duke besuar se është traditë profetike, si dhe të llogaritësh për të shpërblimin tek Allahu, bazuar në hadithin e Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu!), se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Atij që e fal namazin e natës gjatë Ramazanit, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.” E shënon Buhariu.
2- Dije se falja e namazit të natës në Ramazan nuk është vaxhib (obligim), por është vetëm një sunet (vepër e pëlqyer), ku falja e tij ka shpërblim tejet të madh, bazuar në hadithin e Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu!), i cili tregon: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i motivonte për namaz nate gjatë Ramazanit, porse jo me urdhër të prerë, dhe thoshte: “Atij që e fal namazin e natës gjatë Ramazanit, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.” Kështu, i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka vdekur duke mos u falur namazi i natës me xhemat (teravitë). Kësisoj është vazhduar edhe në kalifatin e Ebu Bekrit dhe në fillim të kalifatit të Umerit.” E shënon Muslimi.
3- Kur të falesh me imamin, mos u largo, derisa të largohet e ta përfundojë imami, bazuar në hadithin e Ebu Dherrit (radijAllahu anhu!), i cili tregon se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Njeriut që falet me imamin derisa ta përfundojë, i llogaritet se ka falur namaz nate tërë natën.” E shënojnë Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.
4- Nëse falesh me imamin, atëherë vazhdo me të, edhe nëse i shton më shumë se njëmbëdhjetë rekate, sepse nuk ka ndonjë numër të kufizuar për namazin e natës. Kërko një imam që është dijetar, që e njeh fenë thellë dhe e praktikon namazin, ashtu siç ka ardhur nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Nëse është zëbukur dhe gjatë namazit tënd falesh me përkushtim, atëherë falu pas tij, bazuar në hadithin e Xhabirit (radijAllahu anhu!), i cili tregon se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Prej njerëzve më zëbukur që lexojnë Kuran është ai që, kur lexon, e llogaritni se i frikësohet Allahut.” E shënon Ibën Maxhe.
5- Kur t’i falësh teravitë (i vetëm ose me familjen), përkryeje namazin dhe zgjate, ose falu pas atij imami që e përkryen namazin dhe e zgjat. Ebu Seleme ibn Abdurrahmani tregon se e pyeti Aishen (radjAllahu anha!): “Si ishte namazi i të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, gjatë Ramazanit?” Ajo iu përgjigj: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, as në Ramazan, as jashtë tij, nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate. I falte katër rekate, ndërkohë mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre; pastaj i falte katër të tjera, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre; në fund, i falte edhe tri sosh. Unë e pata pyetur: “O i Dërguari i Allahut, a po fle para vitrit?” Tha: “Oj Aishe, sytë më flenë, por jo zemra.” E shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
Bazuar edhe në hadithin e Xhabirit (radijAllahu anhu!), i cili tregon se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është pyetur: “Cili është namazi më i vlefshëm?” Ai u përgjigj: “Namazi më i vlefshëm është namazi në të cilin lexohet më gjatë (nga Kurani).” E shënon Muslimi.
6- Nëse i fal teravitë me imamin e ai e zgjat deri afër kohës së agimit (para sabahut), ti kurrsesi mos u bezdis, por vazhdo e fale namazin me të, bazuar në hadithin e Ebu Dherrit (radijAllahu anhu!), i cili tregon: “Agjëruam me të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, (muajin) Ramazan, e nuk na fali namaz nate gjatë muajit asnjë (natë), derisa mbetën shtatë (net). Atëherë na fali namaz nate, derisa kaloi një e treta e natës, e në natën e gjashtë (të mbetur nga muaji) nuk u fal me ne. Kur mbetën pesë (net), u fal me ne derisa kaloi gjysma e natës. I thashë: “O i Dërguari i Allahut! Sikur të na plotësoje namazin deri në fund të natës?” Ai u përgjigj: “Njeriut që falet me imamin derisa ta përfundojë, i llogaritet se ka falur namaz nate tërë natën.” Kur mbetën katër (net), nuk na fali. E, kur mbetën tri (net), e mblodhi familjen, gratë e tij dhe të tjerët e u fal me ne (aq shumë), saqë u frikësuam se do të na ikë el felahu. Njëri nga transmetuesit pyeti: “Çfarë është el-felahu?” Në atë rast (Ebu Dherri), tha: “Syfyri. Pastaj pjesën e mbetur të muajit nuk u fal.” E shënon Ebu Daudi.
7- Më mirë është që namazi i natës të falet dy nga dy rekate, e në fund të përfundohet namazi me vitër (pra, tek), bazuar në hadithin e Ibn Umerit (radijAllahu anhuma!), i cili tregon se një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, rreth namazit të natës, e në atë rast ai iu përgjigj: “Namazi i natës falet dy nga dy. Nëse frikësohet ndonjëri prej jush se do të hyjë agimi, atëherë fal vetëm një rekat, që t’i bëjë tek të gjitha rekatet e falura.” E shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
Bazuar edhe në hadithin e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Namazin e fundit tuajin gjatë natës bëjeni vitër (tek).” E shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
Unejs Sheme