Koha kur bëhet obligim nxjerrja e zekatul fitrit

0
1616

Kjo është para se të perëndojë dielli në ditën e fundit të Ramazanit, me hyrjen e natës së Bajramit (me hyrjen e namazit të akshamit). Kuptimi i kësaj është se nëse një musliman e ka pasur obligim ta nxjerrë zekatul fitrin dhe është gjallë para se të perëndojë dielli, atëherë e ka obligim ta nxjerrë atë. Nëse dikush vdes pak para se të perëndojë dielli, është obligim që ta nxjerrin për të zekatul fitrin, prej pasurisë së tij, apo e nxjerrin të afërmit e tij prej pasurisë së tyre. E nëse vdes disa çaste a disa minuta pasi ka perënduar, nuk e ka obligim atë. Gjithashtu nëse fëmija lind pas perëndimit të diellit, qoftë nëse janë disa çaste a minuta para, nuk është obligim nxjerrja e zekatul fitrit për të, edhe pse siç thamë është mirë dhe e preferuar të veprohet kjo, siç ka vepruar Uthmani radijAllahu anhu. E nëse lind para perëndimit të diellit, për disa çaste a minuta para, është obligim të jepet zekatul fitri për të.

Argument se pse është caktuar perëndimi i diellit në ditën e fundit të Ramazanit, me hyrjen e natës së Bajramit, si kohë kur bëhet obligim dhënia e zekatul fitrit nga muslimani, është se siç pamë në hadithet më lartë ky lloj i zekatit, pra zekatul fitri, i atribuohet fitrit, në transmetim ishte: “I Dërguari i Allahut e ka bërë obligim (farz) zekatul fitrin kur përfundon Ramazani…”. Fitr (فطر) d.m.th. kur mislimani nuk agjëron më (e përfundon Ramazanin). E kur përfundon agjërimi i Ramazanit? Përfundon me hyrjen e natës së Bajramit (kur perëndon dielli në ditën e fundit të muajit Ramazan). Tashmë është fitër, pas kësaj ai ha e nuk e ka obligim agjërimin të nesërmen. Pra, ky zekat i është bashkëngjitur fjalës fitr, e cila tregon atë se kur muslimani e përfundon agjërimin (e Ramazanit). Dhe dijetarët për shkak të kësaj kanë caktuar se perëndimi i diellit është koha që merret si kriter se kur është obligim të nxjerrët zekatul fitri, andaj e kanë lidhur ngushtë këtë vendim me këtë kohë.

Sa i përket kohës se kur duhet dhënë zekatul fitri, janë dy kohë:

Koha e preferuar– të jepet në mëngjesin e ditës së Bajramit para se të falet namazi i Bajramit. Ebu Sejid el Hudriu radijAllahu anhu tha në hadithin më lartë: “Në kohën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem në ditën e fitrit (Bajramit) e kemi nxjerrë një sa’a prej ushqimit…” Buhariu dhe Muslimi. Ibn Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “I Dërguari salAllahu alejhi ue selem ka urdhëruar që zekatul fitri të jepet para se të shkohet në musala (vend-falje) për të falë namazin e Bajramit.” Buhariu, Nesaiu, imam Ahmedi. Pra, koha më e preferuar (e mirë) është të jepet para se të dalin njerëzit nga shtëpitë për ta falë namazin e Bajramit. Për këtë, në Islam, gjë e preferuar dhe më e mirë është që namazi i fitër Barjamit të shtyhet pak më shumë sesa që është e zakonshme, në mënyrë që njerëzit të kenë kohë të mjaftueshme për ta dhënë zekatul fitrin.

Koha e lejuar– një ose dy ditë para Bajramit. Nëse zekatul fitri jepet në këtë kohë, pranohet dhe kjo lejohet, por më herët (se kaq) nuk lejohet të jepet. Nafiu tregon: “Ibn Umeri radijAllahu anhu ka dhënë zekatul fitrin për të madhin dhe të voglin, madje e ka dhënë edhe për fëmijët e mi. Ua ka dhënë atyre të cilët e kanë pranuar atë (kanë qenë nevojtarë), një ose dy ditë para Bajramit.” Kështu ka qenë veprimi i sahabëve.

Nuk lejohet vonimi i dhënies së zekatul fitrit pasi të falet namazi i Bajramit. Nëse e vonon pa arsye duke e dhënë pas faljes së namazit të Bajramit, nuk pranohet, ngase kjo është në kundërshtim me atë që ka urdhëruar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, siç pamë në hadithet më lartë, prej tyre: Ibn Abbasi radijAllahu anhu ka treguar: “…ai që e jep atë para namazit të Bajramit, Allahu e pranon si zekatul fitër e kush e jep pas namazit të Bajramit, është lëmoshë sikur lëmoshat e tjera.” Ebu Daudi dhe ibn Maxheh. Mirëpo, nëse e vonon me arsye sheriatike, nuk ka të keqe të jepet edhe pas namazit të Bajramit, p.sh.: dikë e zë namazi i Bajramit në shkretëtirë apo në mal, dhe nuk e ka askënd afër që t’ia japë zekatul fitrin, apo nuk e ka pasurinë e tij afër vetes që t’ua japë zekatul fitrin të tjerëve, andaj ky person kur të kthehet në shtëpi nuk prishë punë që ta japë atë edhe pse është falur namazi i Bajramit; dikë e befason dita e Bajramit- kjo është në vendet ku shikohet me sy hëna e muajit të ri- nuk e di se është Bajram dhe e kupton se ka hyr Bajrami apo muaji Shewal vetëm pasi ta falë namazin (e sabahut) apo pak para se të falet duke mos pasur mundësi ta japë zekatul fitrin, këtij i lejohet ta japë atë pas namazit të Bajramit; dikush e ka autorizuar një person për ta dhënë zekatul fitrin për të, porse ky ka harruar dhe nuk e ka dhënë veçse pas namazit të Bajramit, ai ka arsye sheriatike dhe i lejohet e i pranohet edhe nëse e jep pas namazit të Bajramit.

Është obliglim që zekatul fitri t’iu mbërrijë atyre që e meritojnë atë, apo atyre të cilët e marrin përsipër këtë detyrë (përcjelljen, shpërndarjen), siç thamë para faljes së namazit të Bajramit, p.sh.: nëse dikush e bën nijet që t’ia japë një personi të caktuar porse nuk e takon atë, e as nuk e takon personin i cili mund t’ia përcjellë atij, para se të falet namazi i Bajramit, atëherë ai duhet t’ia japë dikujt tjetër që e meriton atë dhe nuk lejohet ta vonojë pas kohës së ligjshme, të cilën e ka caktuar sheriati.

L. Perçuku – Libri “Ndejat e Ramazanit”