Cfare duhet te bej agjeruesi kur zgjohet xhubub

0
307

Agjërimi kur gdhin xhunub

Allahu i Lartësuar thotë: “Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja”. [Bekare:187]

“Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja (gjatë netëve të ramazanit) dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju (lindjen e fëmijëve). Hani e pini, derisa të dalloni fijen e bardhë të agimit nga fija e zezë”. [Bekare 187].

Aishja dhe Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të dyja!) tregojnë se: “I Dërguari (a.s.) gdhihej xhunub nga kontakti me bashkëshorten, pastaj lahej dhe agjëronte.”

Në një variant që e shënon Muslimi, Umu Seleme (r.a.) thotë se: “I Dërguari (a.s.) gdhihej xhunub nga kontakti me gruan, jo nga ëndërrimet erotike, dhe nuk e prishte agjërimin as nuk e shlyente kaza atë ditë”.[1]

Gjithashtu, Muslimi shënon nga Ebu Bekr Ibn Abdurrahman (Allahu e mëshiroftë!), i cili thotë: “E dëgjova Ebu Hurejren (r.a.) që, ndër të tjera, u tregonte njerëzve: “Kë e zë agimi xhunub, të mos agjërojë.” Këtë ia tregova Abdurrahman Ibn Harithit (transmetuesi, Ebu Bekri, e ka fjalën për babain e vet, Abdurrahmanin), i cili e kundërshtoi. Abdurrahmani u nis dhe unë bashkë me të, gjersa u futëm tek Aishja dhe Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të dyja). Abdurrahmani i pyeti për këtë dhe që të dyja i thanë: “Profeti (a.s.) gdhihej xhunub jo nga ëndërrimet erotike, dhe pastaj agjëronte. Më pas, ikëm prej aty dhe shkuam tek Mervani. Abdurrahmani ia tregoi atij këtë. Mervani tha: “E ke detyrë të shkosh tek Ebu Hurejra e ta sqarosh”. Shkuam tek Ebu Hurejra. Ndërkohë, Ebu Bekri, – transmetuesi i hadithit, – tregon se ishte prezent në tërë këtë ngjarje. Abdurrahmani ia tregoi këto Ebu Hurejres. “Vërtet, ato të dyja ta thanë këtë gjë?” – pyeti Ebu Hurejra. – “Po” – tha ai. Atëherë, Ebu Hurejra ia ktheu: “Ato e dinë më mirë.” Pastaj Ebu Hurejra tha se i referohej Fadil Ibn Abasit në atë që kish thënë. Ai tha: “Unë e kam dëgjuar atë nga Ibn Abasi dhe jo nga i Dërguari (a.s.).” Kështu, Ebu Hurejra u tërhoq nga mendimi që kishte patur. Ibn Xhurejxhi, një nga transmetuesit në sened, tregon se ka pyetur Abdulmelikun, një transmetues tjetër pararendës në sened: “A kanë pohuar Aishja dhe Umu Seleme se kjo ka ndodhur në Ramazan?” Ai tha: “Pohimi i tyre është se ai gdhihej xhunub, jo prej ëndrrave erotike, dhe pastaj agjëronte”.[2]

Muslimi shënon nga Aishja (r.a.) se një burrë shkoi tek i Dërguari (a.s.) për ta pyetur, kurse ajo po e dëgjonte mbas derës. Ai tha: “O i Dërguari i Allahut,  hyn koha e namazit, ndërkohë që unë akoma jam xhunub. A të agjëroj?” I Dërguari (a.s.) tha: “Edhe mua më gjen koha e namazit xhunub dhe agjëroj.” Ai i tha: “Ti nuk je si ne, o i Dërguari i Allahut, sepse ty t’i ka falur Allahu gjynahet e kaluara dhe  të mëvonshmet.” Profeti tha: “Pasha Allahun, unë  shpresoj se jam më i frikësuari ndër ju prej Allahut, dhe unë e di më mirë se ju se çfarë duhet t’i ruhem”.[3]

 

Dobi dhe rregulla

E para: Lejohet kontakti seksual me bashkëshorten gjatë gjithë netëve të Ramazanit. Ndërsa lënia e kësaj gjëje për “devotshmëri” është në kundërshtim me udhëzimin profetik, përveç dhjetë netëve të fundit të Ramazanit për atë që ka hyrë në itikaf.

E dyta: Kushdo që kryen marrëdhënie intime ose bëhet xhunub prej ëndrrave erotike gjatë netëve të Ramazanit dhe e vonon guslin deri mbas agimit, le të vazhdojë agjërimin, me pajtimin e plotë të dijetarëve.[4]

E treta: Të mirat që Nënat e Besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) i kanë bërë këtij umeti, duke ruajtur dijen që ka të bëjë me gjendjen e të Dërguarit (a.s.) në shtëpinë e tij, me gratë e tij dhe me përcjelljen e kësaj dijeje shumë të nevojshme te njerëzit.

E katërta:  Fjalët e Nënave të Besimtarëve që kanë të bëjnë me gjendjen e Profetit (a.s.), në shtëpinë e tij, gjë të cilën nuk mund ta vërenin të tjerët veç tyre, kanë përparësi mbi fjalët e të tjerëve.[5]

E pesta: Vonimi i larjes prej xhunubimit deri mbas shfaqjes së agimit, nuk është e posaçme për Profetin (a.s.), por është për të gjithë umetin.

E gjashta: Në thënien e Umu Selemes (r.a.) “Gdhihej xhunub nga kontakti me gruan, jo nga ëndërrimet erotike” ka dy dobi:

  • I Dërguari (a.s.) kryente marrëdhënie intime në Ramazan dhe e vononte guslin deri pas shfaqjes së agimit, për të treguar se kjo gjë është e lejuar.
  • Xhunubllëku i tij ishte nga marrëdhëniet intime e jo nga ëndërrimet erotike, sepse Profeti (a.s.) nuk shihte ëndrra erotike, pasi ato janë prej Shejtanit, ndërsa ai ishte i mbrojtur prej tij.[6]

E shtata: Profeti (a.s.) ishte ndër njerëzit më i devotshmi ndaj Allahut të Lartësuar dhe më i dituri se në çfarë të ruhej.

E teta: Nga këto hadithe përfitojmë se gratë me menstruacione dhe lehoni, nëse pastrohen para agimit dhe lahen mbas hyrjes së tij, e kanë të saktë agjërimin, qoftë kur e lënë larjen me harresë apo me qëllim, me arsye apo pa arsye, njësoj si në rastin e xhunubllëkut.[7]

E nënta: Këto hadithe nxisin për të marrë për shembull të Dërguarin (a.s.). Gjithashtu, ato dënojnë thellimin e tepruar, braktisjen gjërave të lejueshme dhe pyetjet jo të duhura.[8]

E dhjeta: Agjërimi i atij që është xhunub dhe i gruas me mestrunacione ose lehonë është i saktë, edhe nëse marrin gusël pasi të ketë hyrë agimi. Këtu përfshihen të gjitha llojet e agjërimeve, si në Ramazan  edhe jashtë tij, qoftë vaxhib, qoftë për zotim, kaza ose nafile.

E njëmbëdhjeta: Nëse gjejmë kundërshtim në ndonjë çështje, duhet t’i referohemi për sqarim atij që ka më shumë njohuri për të, prandaj Ebu Hurejra (r.a.) tha: “Ato e dinë më mirë”, duke patur për qëllim Aishen dhe Umu Selemen (Allahu qoftë i kënaqur nga të dyja!), sepse ato kishin njohuri për këtë çështje më shumë se çdokush tjetër.

E dymbëdhjeta: E vërteta e prerë dhe argumenti që nuk mund të hidhet poshtë, në rastet e mosmarrëveshjeve është Suneti i Profetit (a.s.).

E trembëdhjeta: Pranimi i gabimit dhe  paanësia kur dëgjon faktet, siç veproi Ebu Hurejra, kur pranoi se nuk e kishte dëgjuar nga i Dërguari (a.s.) atë që kishte thënë, por e kishte dëgjuar nga të tjerë.

[1]  Shënon Buhariu (1921) dhe Muslimi (1171).

[2] Ky është transmetimi i Muslimit (1109). Ebu Hurejra përmend se këtë gjë e kishte dëgjuarj nga Fadli, ndërsa në variantin tjetër që e shënon Nesaiu ai përmend që e ka dëgjuar nga Usame Ibn Zejd. Shih: Sunen El Kubra (2931-2931). Por mbase e ka dëgjuar nga të dy. Shih: Sherh En Nevevij (7\222), Mufhim (3\168), dhe Sherh Ibn Mulekin (5\197).

[3] Shënon Muslimi (1110), Malik (1\289) dhe Ibn Hibani (3495).

[4] Sherh Ibn Betal alel Buhari (4\49), Sherhu el umdetu libn Mulekin (5\195), Fet’hu el bari i Ibn Haxherit (4\147) dhe Nejlu eleutarë (4\91).

[5] Referimi i mëparshëm (4\147), shih: El Fet’h (4\144).

[6] Shih: El Mufhim (3\167) dhe El Fet’h (4\144). Lidhur me këtë është transmetuar një  dëshmi e dobët nga Ibn Abasi (r.a.), ku thotë:”Asnjë Profet nuk ka parë ëndërr erotike, sepse ëndrrat erotike janë prej shejtanit”. Shënon Tabarani në El Kebir (11\225) nr: (11564) dhe në El Eusat (8062). Në zinxhirin e transmetimit të tij është Abdulaziz Ibn Ebi Thabit i cili me pajtimin e të gjithëve është i dobët, siç përmend Hejthemiu në Zevaid (1\267). Neveviu ka përzgjedhur mendimin që ëndrrat erotike kanë qenë ta pamundura për profetët. Hadithin në fjalë, Neveviu e shpjegon me kuptimin që Pejgamberi gdhihej xhunub nga marrdhëniet intime, e jo nga ëndrra erotike, sepse kjo e fundit  është e pamundur për profetin. Ky rast ka përafërsi me shpjegimin e thënies së Allahut të Lartësuar: “…dhe në kundërshtim me çdo të drejtë i vrisnin të Dërguarit…”, pasi dihet që nuk ka ndonjë rast ku mund të jetë e drejtë vrasja e tyre. Marrë nga Sherh Sahih Muslim (7\222). Po kështu thotë edhe Ibn Mulkin në Sherh el Umde (5\201).

[7] Shih El istidhkarë (10\48), Sherhu El Nevevi (7\222) dhe Sherh Ibn Mulkin (5\200).

[8] Temhid (17\420) dhe  El Fet’h (4\149).

 

Titulli i Librit: Mësime të zgjedhura për ramazanin

Autori: Ibrahim Ibn Muhamed el Hukajl