Disa nga vlerat e agjërimit
Ebu Hurejra (r.a.) tregon se i Dërguari (a.s.) ka thënë: “Agjërimi është mburojë.“[1]
Ndërsa në variantin e Ahmedit përcillet me këtë tekst: “Agjërimi është mburojë dhe kështjellë që të mbron nga zjarri”.[2]
Kurse Xhabir Ibn Abdilahi (r.a.) përcjell nga i Dërguari (a.s.) se: “Agjërimi është mburojë, që e mbron njeriu nga zjarri“.[3]
Uthman Ibn Ebu As El Thekafij (r.a.) thotë: “E dëgjova të Dërguarin (a.s.) duke thënë: “Agjërimi është mburojë ndaj zjarrit të xhehenemit, ashtu si mburojat tuaja të luftës.“[4]
Ebu Ubejde Ibn Xherahi (r.a.) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin (a.s.) të thotë: “Agjërimi është mburojë, për aq kohë sa nuk e ka dëmtuar.”[5]
Atëherë, fjala ‘agjërimi është mburojë’ është me kuptimin: mburojë nga Zjarri i Xhehenemit.[6]
Dobi dhe rregulla
E para: Agjërimi është shkak për vënien nën kontroll të dëshirave epshore, që e shpien njeriun në Zjarr. Iraki ka thënë: “Agjërimi është mburojë që të mbron nga zjarri, sepse ai është vetëpërmbajtje nga epshi e dëshirat e liga, kurse zjarri i Xhehenemit është i rrethuar me epshe, me gjëra që i dëshiron nefsi.”[7]
E dyta: Agjërimit ka vlera, prandaj besimtari duhet të shtojë sa më shumë agjërim vullnetar, nëse e përballon dhe nëse kjo nuk e pengon ndaj punëve të tjera të mira që kanë përparësië ndaj agjërimit nafile, siç është xhihadi etj.
E treta: Agjërimi që të mbron nga zjarri është ai që nuk është përlyer me vepra që ia humbin ose ia pakësojnë shpërblimin, si: përgojimi, mbartja e fjalëve për të prishur mes njerëzve, gënjeshtra e sharja, bazuar në transmetimin që është përcjellë nga Ebu Ubejde: “Agjërimi është mburojë që të mbron, për aq kohë sa nuk është dëmtuar (çarë)”. Mburoja e agjërimit çahet nga veprimi i të ndaluarave, prandaj agjëruesi duhet ta ruajë agjërimin nga gjërat që ia heqin ose ia pakësojnë shpërblimin, në mënyrë që ai të jetë mburojë nga zjarri.
E katërta: Qëllimi me agjërimin është pastrimi i shpirtit e përmirësimi i zemrës, jo thjesht privimi nga të ngrënët e të pirët.
[1] Shënon Bhariu (1795) dhe Muslimi (1151).
[2] Ky është varianti i Ahmedit (2\402).
[3] Shënon Ahmedi (3\396).
[4] Shënon Ahmedi (4\22) Nesai (4\176) dhe Ibn Maxhe (1639). Ibn Huzejmetu e klasifikon të saktë (2125), por edhe Ibn Hibani (3649).
[5] Shënon Nesai (4\167), Ahmedi (1\195), Tajalisi (227), Ebu Jaëla (878), Darimiu (1732). Mundhir thotë se hadithi është i mirë (2\940) numër (1643). Ndërsa Dijetari i nderuar Ahmed Shakir e vlerson hadithin të saktë (1690). Në zinxhirin e trasmetimit të këtij hdithi gjendet Beshar Ibn Ebi Sejf El Xhuremij të cilin nuk e konsideron korrekt veçse Ibn Hibani, ndërsa Albani e ka klasifikuar të dobët këtë hadith në Daif Sunen El Nesai, ndoshta shkaku për të cilin e ka klasifikuar të dobët është transmetuesi Beshar, por gjithsesi këtë sened e përforcojnë hadithet e tjera. [Në silsile daife (6438) Albani ka sqaruar se hadithi është i dobët për shkak se ka disa problem, njëri prej të cilëve është ekzistenca e dy transmetuesve të dobët në sened. Por e sakta, – sqaron Albani, – sipas një rruge tjetër të saktë që e sjell Nesaiu është se kjo është një thënie e sahabiut Ebi Ubejdes r.a., dhe jo hadith i Pejgamberit].
[6] Kurtubi, mbasi ka pohuar faktin që agjërimi është mburojë, sqaron kuptimet e të qenit të agjërimit mburojë: a) Sipas ligjit fetar agjërimi është mburojë , çka do të thotë se agjëruesi duhet ta ruaj këtë mbrojë nga gjërat që e cenojnë apo e prishin. Pikërisht, këtë kuptim ka fjala e Pejgamberit , duke folur për etikën e agjëruesit: “Kur të jeni me agjërim mos e fëlliqni gojën me fjalë të këqija….”.
- b) Agjërimi është mburojë, duke marrë parasyshë efektin që jep, e që është dobësimi i dëshirave epshore. Për këtë kuptim flet thënia e të Dërguarit (a.s.) në hadithin kudsij: “Agjëruesi lë plotësimin e dëshirës dhe ushqimin për Mua”.
- c) Agjërimi është mburojë, duke marrë parasyshë shpërblimi që ka. Kjo përmendet qartë në hadithin: “Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu i Lartësuar ia largon fytyrën nga Zjarri shtatëdhjetë vite”.
[7] Tarhu tethrib fi sherhi et tekrib (4\90).