A mund te puthesh gruan kur je agjerueshem?

0
4993

Gjykimi i puthjes apo përkëdheljes së gruas për agjëruesin

Aishja (r,ea), thotë: “I Dërguari (a.s) puthte dhe përqafonte gruan, kur ishte me agjërim, por ai ishte më i afti nga të gjithë për të frenuar epshin”. Sipas një varianti tjetër, Aishja (r. anha) thotë: “I Dërguari (a.s) e puthte gruan në Ramazan, ndërkohë që ishte me agjërim”.

Në një version tjetër po tek Muslimi, Aishja (r. anha) thotë: “Kush nga ju mund të frenojë epshin e vet siç e frenonte i Dërguari (a.s.)?”.

Në versionin e Ebu Daudit, Aishja (r. anha) thotë: ” I Dërguari,(a.s.), më puthte, ndërkohë që ai dhe unë ishim agjërues”.

Ibni Hibani sjell një version nga Ebu Selme Ibn Abdurahmani, se Aishja (r. anha) ka thënë: “I Dërguari (a.s.)  puthte gruan e tij, ndërkohë që ishte me agjërim. E pyetën: “Gjatë agjërimit farz dhe vullnetar?” Ajo tha: “Në të dyja llojet, farz dhe vullnetar”.[1]

Hafsa (radijallahu anha)tregon se: “I Dërguari (a.s.) i puthte gruan ndërkohë që ishte me agjërim.[2]

Umer Ibn Ebu Seleme (r.a.) tregon se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (a.s.): “A e puth gruan agjëruesi?” I Dërguari i Allahut (a.s.) i tha: “Pyete këtë” për Umu Selemen. Ajo i rrëfeu se i Dërguari i Allahut e vepronte një gjë të tillë. Atëherë, ai tha: “O i Dërguari i Allahut, ty t’i ka falur Allahu gjynahet  që ke bërë dhe ato që do të bësh…” I Dërguari (a.s.) i tha: “Për Allah, unë jam më i devotshmi ndër ju ndaj Allahut dhe jam ai që e kam më shumë frikë Atë”.[3]

Omeri (r.a.) rrëfen: “Njëherë, duke shikuar gruan, m’u ngacmuan ndjenjat dhe e putha, ndërkohë që isha me agjërim. Më pas, shkova te Pejgamberi (a.s.) dhe i thashë: “O i Dërguari Allahut, sot kam bërë një gjë të rëndë: kam puthur gruan, ndërkohë që po agjëroja…” Ai më tha: “Po sikur të kishe shpërlarë gojën me ujë ndërkohë që po agjëroje?” – “Kjo s’ka gjë” – i thashë. – “Epo, atëherë, përse bëhesh merak?!” –  ma ktheu ai.”[4]

 

Dobi dhe rregulla:

E para: Agjëruesit i lejohet ta puthë dhe përqafojë gruan, si gjatë agjërimit farz, po ashtu edhe vullnetar, në ramazan dhe në muajt e tjerë, si për të riun edhe për të moshuarin, kur ka siguri se nuk e humb kontrollin e epshit të tij e të bjerë në haram, si për shembull në marrëdhënie intime apo ejakulim.

E dyta: Me fjalën ‘përkëdhelje apo përqafim të gruas’ hadithi ka për qëllim përqafimin e gruas prej burrit të saj, puthitjen e trupit të burrit me të gruas, prekjen e lëkurës, shtrëngimin apo afrimin e saj, dhe jo marrëdhënien seksuale, sepse kjo e fundit e prish agjërimin.[5]

E treta: Agjëruesi duhet të ketë parasysh se agjërimi prishet kur ejakulon për shkak të puthjes, puthitjes së trupit me trupin e gruas, përkëdheljes, prekjes apo shtrëngimit të saj, por ai duhet të vazhdojë agjërimin dhe ta kompesoj atë ditë pas ramazanit, të pendohet tek Allahut dhe t’i kërkojë falje Atij. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë në hadith kudsij: “Për hirin Tim, agjëruesi ka lënë epshin, ngrënien, e pirjen”[6]. Në një version tjetër: “Ai, për hirin Tim, ka lënë ëndjen dhe gruan e tij”.[7]

Ndërsa dalja e sekrecioneve (medhi) nuk e prish agjërimin, bazuar në mendimin më të saktë të dijetarëve,[8] por agjëruesi duhet t’u largohet gjërave epshndjellëse, të cilat të çojnë në haram.

E katërta: Hadithet që përmendëm dëshmojnë se puthja e gruas nga ana e agjëruesit nuk është e lejuar vetëm për Profetin (a.s.), por ajo është e lejuar edhe për umetin në përgjithësi, me kusht që mos të çojë në haram, si ejakulim apo marrëdhënie intime.[9]

E pesta: Profeti (a.s.) ishte njeriu që kishte më shumë drojë Allahun, sepse ai e njihte më mirë madhërinë e Tij.[10]

E gjashta: Nga hadithet përfitojmë se e kemi detyrë që ta lëmë thellimin dhe teprimin në çështjet e fesë, ose të menduarit se vetëm Profetit i lejohej të puthte bashkëshortet e tij gjatë agjërimit, por jo umetit të tij. Prandaj kur u diskutua kjo gjë, Profeti (a.s.) u nevrikos dhe tha: “Ndërsa unë, pasha Allahun, jam më i devotshmi ndër ju ndaj Allahut dhe e kam më shumë frikë Atë“.[11] Ndërsa në hadith tjetër thotë: “Unë i njoh më mirë se ju kufijtë e Allahut.”

E shtata: Interesimi i shokëve të Profetit për të njohur gjërat e lejuara dhe të ndaluara, devotshmëria që kishin ndaj Allahut të Lartësuar dhe frika prej gjërave që cenojnë ibadetin apo e prishin atë.

E teta: Në këto hadithe ka kundërpërgjigje ndaj sufive ekstremistë, të cilët ia kanë hequr vetvetes ose liderëve të tyre detyrimet fetare, me preteksin se gjoja kanë arritur gradë të lartë në besim e në sjellje. Ndërsa Profeti (a.s.), i cili ishte njeriu me besimin më të plotë dhe që i përmbahej më shumë Sheriatit, e korrigjoi gabimin e atyre që menduan se, përderisa Profetit i janë falur mëkatet, atëherë i lejohet të bëjë disa gjëra të ndaluara[12].

E nënta: Hadthi i Umer Ibn Hatabit (r.a.) mbështet metodën e analogjisë në gjykimin fetar, kur kemi të bëjmë me çështje të ngjashme. Kësisoj, me shpërlarjen e gojës, uji mund të kalojë në gurmaz, duke prishur agjërimin. E tillë është edhe puthja, e cila mund të çojë në kryerjen e marrëdhënieve intime, që prishin agjërimin. Përderisa njëri veprim nuk e prish agjërimin, po ashtu edhe tjetri, i ngjashëm me të, nuk e prish agjërimin.[13]

[1] Buhariu (1826), Muslimi (1106), Ebu Daudi (2384), Ahmedi (6\44).

[2] Muslimi (1107), Ibn Maxhe (1685) dhe Ahmedi (6/286).

[3] Muslimi (1108) dhe Maliku (1/291).

[4] Ebu Daudi (2385), Daremiu (1724), Abd ibn Humejd(21). Ibn Hibani e vlerëson të saktë (3544). Po ashtu dhe Hakimi Dhehebiu pajtohet me qëndrimin e tyre (1/596 ). Albani e shënon në Sahih Ebi Daud.

[5] Taberiu në Tefsirin e tij thotë: Fjala “mubasheretu” do të thotë: ‘kontakti i lëkurës me lëkurën’ (2/168). Shih: ‘Fet’hu Elbari’ (4/149).

[6] Shënojnë, nga Ebu Hurejra, Buhariu ( 7054) dhe Muslimi (1151).

[7] Ky është versioi i Ibni Huzejmes në Sahihun e tij ( 1897). Shih ‘Fetava Ibni Baz’, kapitullin e daves ( 2/164) dhe Mexhmuu fetava veresail (15/315).

[8] Shih Fetavat e Ibni Bazit, kapitullin e daves (2/164), dhe Mexhmuu Fetava ve Resail (15/268- 315) dhe Fetava Sijam Ibn Xhibrin (54).

[9] Shih: Sherh Ibn Betal (4/56), Munhatu Elbari (4/364) dhe Tuhfetu Elahfedhi (3/350).

[10] El Mufhim (3/165).

[11] Sherh Nevevij ala Muslim (7/219).

[12] E tillë është dhe ajo që ju shkon nëpërmend disave në lidhje me hadithin që flet për atë që bën teube pas gjynahut të tretë, dhe thënin e Allahut për të: “Puno ç’të duash, se të kam falur!”. Kurtubiu thotë se ky mendim është i pavlefshëm, bazuar në thënien e Pejgamberit: “Ndërsa unë, pasha Allahun, jam më i devotshmi ndër ju ndaj Allahut dhe e kam më shumë frikë Atë sesa ju”. Një argument tjetër që hedh poshtë këtë përfytyrim të pavlefshëm është dhe ixhmai i padiskutueshëm i ymetit që njeriu nuk lirohet nga përgjegjësia fetare përderisa plotëson kushtet e saj.

[13] Mealim sunen hamish Ebi Daud (2/780).

 

Titulli i Librit: Mësime të zgjedhura për ramazanin

Autori: Ibrahim Ibn Muhamed el Hukajl

©xhamiambret.com