Disa vërejtje lidhur me dhjetë netët e mbetura të Ramazanit
1- Nata duhet të shfrytëzohet në adhurim prej fillimit të saj, domethënë prej perëndimit të Diellit e deri në hyrjen e kohës së sabahut; e jo ashtu siç mendojnë disa se, përpjekja në adhurime fillon me namazin e jacisë dhe përfundon me përfundimin e namazit të teravive.
2- Mirësia e këtyre netëve nuk është e kufizuar vetëm për njerëzit e mirë, mirëpo, ajo gjithashtu i përfshinë edhe mëkatarët që pendohen tek Allahu. Andaj, lum ai që i kthehet Allahut, ndërkohë që Ai ia ka hapur dyert e Xhenetit dhe ia ka mbyllur dyert e Xhehenemit.
3- Femra me të përmuajshmet apo lehona, assesi nuk privohet nga mirësia e këtyre netëve, nëse ajo lutet, e përmend Allahun, kërkon falje etj. sepse mëshira e Allahut është e gjerë. Në Kuran lexojmë: “Mëshira Ime (e Allahut) ka përfshirë çdo gjë.” (El-A’raf, 156)
4- Njeriu më i mashtruar është ai që e humb shpresën në mëshirën e Allahut në ditët kur hapen dyert e mëshirës. Dije se Allahu është te mendimi yt për Të, andaj nëse vepron mirë, ji i bindur se mëshira e Tij do të të mbulojë.
Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku