3 kategorite e njerezve qe i lejohet te mos agjerojne

0
2536

 Mosagjërimi për udhëtarin, shtatëzënën dhe gjidhënësen

Enes Ibn Malik El Kabij rrëfen: “Ne na sulmoi kalorësia e të Dërguarit të Allahut (a.s.). Unë pastaj shkova tek ai dhe e gjeta duke ngrënë drekë. Ai më tha: “Hajde, afrohu të hash” – “Unë po agjëroj”, iu përgjigja. Atëherë ai më tha: “Ulu, të flas për agjërimin. Allahu i Lartmadhëruar ia ka hequr udhëtarit gjysmën e namazit. Ndërsa agjërimin ia ka hequr udhëtarit, gruas shtatzënë dhe gjidhënëses”. Për Zotin, i Dërguari i Allahut (a.s.) tha këto dy gjëra, të dyja ose njërën. Ç’fatkeqësi për mua! Ah, sikur të kisha ngrënë prej ushqimit të Dërguarit të Allahut (a.s.).”[1]

 

Dobi dhe rregulla

E para:  Mëshira e Allahut ndaj robërve të Tij, i Cili i ka çliruar nga disa dispozita të Sheriatit ata që nuk kanë mundësi, që dëmtohen ose ndjejnë vështirësi në kryerjen e tyre.

E dyta: Morali i lartë dhe bujaria e Pejgamberit (a.s.), kur e ftoi Enesin për të ngrënë me të, dhe interesimi i Profetit për t’i mësuar umetit gjërat që kishin nevojë t’i dinin.

E treta: Udhëtarit i lejohet të mos agjërojë, si dhe të shkurtojë namazin. Këto janë lehtësime nga Allahu. Allahu do që robërit të zbatojnë lehtësimet e Tij, ashtu sikurse dëshiron ti përmbahen urdhëresave të Tij.

E katërta: Allahu i Lartësuar ia ka lejuar gruas shtatzënë që mos të agjërojë, ngaqë foshnja në bark ushqehet me ushqimin e saj. Kësisoj, agjërimi mund ta dëmtojë atë ose foshnjen e saj, prandaj Ligjvënësi i Urtë (Allahu) e ka lejuar të mos agjërojë.

E pesta: Allahu i Lartësuar ia ka lejuar gruas gjidhënëse që të mos agjërojë, sepse ajo ka nevojë për ushqim të vazhdueshëm, ndërsa agjërimi mund t’i shkaktojë mundim ose të dëmtojë shëndetin e saj ose të foshnjës.

E gjashta: Këtij lejimi i bashkangjiten edhe rastet që e kanë të domosdoshme prishjen e agjërimit, si: për shuarjen e zjarrit, për shmangien e ndonjë agresioni, për shpëtimin e jetës së njeriut, kur jeta e tij është në rrezik.[2]

E shtata: Nëse gruaja shtatzënë dhe gjidhënëse e prishin agjërimin për shkak se i druhen shëndetit të tyre ose shëndetit të tyre dhe të foshnjës, ato vetëm agjërojnë më vonë aq ditë sa nuk kanë agjëruar në ramazan. Në këtë rregull nuk ka mosmarrëveshje ndërmjet dijetarëve, sepse ato konsiderohen si i sëmuri që e prish agjërimin nga frika për veten e tij. Nëse ato e prishin agjërimin nga frika për fëmijën e tyre, kjo është pikë diskutimi mes dijetarëve, por fetvaja që zbatohet në Arabinë Saudite – dhe kjo, në dashtë Allahu, është e saktë – thotë se ato duhet vetëm të agjërojnë këto ditë më vonë, sepse gjykohen njëlloj si të sëmurët.

Gjithashtu, Profeti (a.s.) barazoi në gjykim gruan shtatzënë apo gjidhënëse me gjendjen e udhëtarit, për sa i përket mosagjërimit. Dihet që udhëtari i agjëron më vonë ditët që ka lënë. Ai nuk ka detyrë të ushqejë për çdo ditë një të varfër, e po kështu është dhe gruaja shtatzënë dhe gjidhënëse.[3]

 

[1] Shënon Ahmedi (4\347), Ebu Daud (2408) dhe Tirmidhiu i cili thotë se hadithi është hasen (715). Këtë hadith e sjell edhe Ibn Maxhe (1667), Ibn Ebi Asim në ahadë ue methani (1493), Taberani fi elkebir (1\263) numër (765) dhe Bejhakiu (4\231).  Albani në librin Sahih Ebi Daudi thotë se hadithi është hasen sahih, por edhe Ibn Bazi e vlerëson të saktë në Mexhmu fetava (15\224).

[2] Shih Sherh ElMumtia ( 6\350- 351) dhe Munteka min fetva Shejh Feuzan (3\141).

[3] Shih Mugni (4\393- 394) dhe Dhehiretu Ukba (211\214).

Titulli i Librit: Mësime të zgjedhura për ramazanin

Autori: Ibrahim Ibn Muhamed el Hukajl

©xhamiambret.com