12 rregulla dhe dobi per ate qe agjeron

0
1815

Dobi dhe Rregulla:[1]

E para: Kur dielli perëndon, agjëruesit i lejohet të çelë. Shprehja ‘…kur të vijë nata që këndej (nga ana e lindjes) dhe të largohet dita që andej (nga ana e perëndimit)..’ nënkupton fshehjen e diskut të diellit në perëndim edhe pse në horizont e nëpër rrugica vazhdon të ketë akoma ndriçim.[2]

E dyta: Profeti (a.s.) ishte i interesuar që të sqaronte dispozitat e Sheriatit me hollësi. Shohim që ai ka treguar tre shenja që tregojnë kohën e iftarit: ardhja e natës, ikja e ditës, perëndimi i diellit. Në fakt, kur shfaqet njëra shenjë, patjetër që shfaqen edhe të tjerat. Profeti (a.s.) i ka përmendur të gjitha, – dhe Allahu e di më së miri, – për faktin se ndoshta agjëruesi nuk e sheh perëndimin e diskut të diellit për shkak të ndonjë pengese, mirëpo shikon nga ana e lindjes që ka rënë errësira e natës, dhe në këtë rast i lejohet të çelë iftarin.[3]

E treta: Kur perëndon i tërë disku i diellit, agjëruesi çel, pa u ndikuar nga ndriçimi i kuqërremtë që ka mbetur në horizont. Në fakt, kur fshihet i tërë disku, shfaqet errësira nga ana e lindjes.

E katërta: Kurrë nuk është detyrë me agjëruar ndonjë pjesë të natës. Për këtë janë pajtuar të gjithë dijetarët.[4] Gjithashtu, nuk pëlqehet vonimi i çeljes, përkundrazi pëlqehet shpejtimi i saj, siç tregojnë edhe hadithet.

E pesta: Njerëzit nxitojnë të kundërshtojnë për çështje që nuk i dinë. Kështu ndodhi me Bilalin (r.a.), kur nuk nxitoi të zbatonte urdhrin e Profetit (a.s.), pasi nuk e dinte se lejohej çelja e iftarit në atë kohë.

E gjashta: Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ndonjëherë i kërkonin shpjegim Profetit (a.s.), për të qenë më të sigurt ose për të marrë njohuri më të hollësishme për gjykimin ose për më shumë dituri, dhe pastaj menjëherë e vinin në zbatim. Bilali i kërkoi sqarim disa herë Profetit lidhur me çeljen, kur pa shkëlqimin e rrezeve të kuqe pas perëndimit të diellit. Ai mendoi se çelja e iftarit lejohej veçse mbas zhdukjes së kësaj drite. Ai pandehu se Profeti (a.s.) nuk e kishte parë atë ndriçim, ndaj donte ta kujtonte për një gjë të tillë.

E shtata: Dijetarit ose imamit mund t’ia kujtosh gjërat që ti mendon se ai i ka harruar ose nuk i ka vënë re. Mirëpo nuk duhet të përsëritësh të njëjtën gjë më tepër se tri herë.

E teta: Ai që nuk e di gjykimin e një veprimi lejohet të pyesë përsëri, të kërkojë sqarim e të diskutojë, derisa ta mësojë.

E nënta: Hadithi aludon për kundërshtimin e çifutëve dhe krishterëve, të cilët e vononin çeljen mbas perëndimit të diellit. Gjithashtu, ai është kundërpërgjigje edhe ndaj rafidive, të cilët e vonojnë iftarin gjersa të dalin yjet.

E dhjeta:  Lejohet agjërimi në udhëtim për atë që nuk e dëmton.

E njëmbëdhjeta: Agjëruesi gjatë kohës që çel iftarin mund të përsërisë fjalët e muezinit dhe të lutjet mbas ezanit. Argumentet në tërësi tregojnë që pëlqehet një gjë e tillë. Ato nuk  përjashtojnë rastin e angazhimit me ngrënien e iftarit.[5]

E dymbëdhjeta: Për çdo person, çasti i fillimit të agjërimit, i çeljes së iftarit dhe i kohëve të namazit, përcaktohen sipas vendit ku ndodhet ose hapësirës ajrore në të cilën udhëton. Kështu, nëse perëndon dielli kur je në aeroport ose nëse ke falur akshamin, dhe më pas, kur niset avioni në drejtim të perëndimit, ti shikon diellin, nuk e ke detyrë më të vazhdosh agjërimin ose të falësh sërish akshamin. Agjërimi dhe namazi janë të saktë, sepse koha e iftarit dhe e namazit përcaktohen sipas tokës mbi të cilën gjendet personi. Mirëpo, nëse avioni niset disa minuta para perëndimit të diellit dhe vazhdon të jetë ditë, nuk të lejohet të çelësh iftar e as të falesh pa perënduar dielli i hapësirës ajrore mbi të cilin udhëton. Edhe nëse udhëton në hapësirat ajrore të një vendi ku banorët e tij e kanë çelur iftarin dhe e kanë falur akshamin, ty nuk të lejohet të çelësh iftar as të falesh për sa kohë shikon diellin.[6]

[1] Sherhu Ibn Betal ala el Buhari (4\103), Sherhu i Neveviut 7\209-211), Mufhim (3\158-159), ElFet’h (4\196-198) dhe Aunu el Maëbudë (6\343).

[2] Kurtubiu thotë: ” Bilali ia tha një gjë të tillë, sepse ai shikonte rrezet e diellit të shkëlqenin, edhe pse  ishte zhdukur disku i tij. I Dërguari (a.s.) nuk e mori parasyshë shkëlqimin e rrezeve, por perëndimin e diskut të diellit. Pas kësaj, Pejgamberi sqaroi shenjën që duhet të marrë parasyshë ai që nuk shikon dot diskun e diellit: e kjo shenjë është errësira që shafaqet nga ana e lindjes”. Marrë nga libri Mufhim (3\159). [Nëse njeriu ndodhet në një vend ku shikohet perëndimi i diellit, si në shkretëtirë, fushë, rrafshnaltë, lartësi malore, kodrinore, detë, bregdet, ku nuk e pengon nga shikimi i perëndimit ndonjë mal apo kodër, koha e akshamit dhe e çeljes për të hynë me tu fshehur diksu i diellit, edhe pse mbeten akoma rrezet dhe shkëlqimi i tij në horizont apo tek retë. Në këtë rast nuk është e nevojshme të shihen shenjat e tjera, si ardhja e errësirës nga lindja, edhe pse perëndimi i diellit në fakt shoqërohet me humbjen e rrezeve të tij dhe shfaqjen e errësirës në lindje. Sipas versionit të Abdurrezakut, Abdullah Ibn Ebi Eufa thotë: “Ishim me Pejgamberin a.s. në një udhëtim. Pejgamberi, ngaqë ishte agjërues, i tha një burri: “Zbrit dhe më trazo një pije!” Ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Ja, rrezet e diellit!” Pejgamberi sërish i tha: “Zbrit dhe trazo pijen (për të çelur)”. Kështu, ai zbriti, trazoi pijen dhe Pejgamberi piu”. Sikur në këtë moment të përpiqej ndonjëri që ishte hipur në deve për të shikuar diellin, kishte për ta parë! Mbasi piu,  Pejgamberi a.s. bëri shenjë me dorë nga lindja, duke thënë: “Kur të shikoni natën duke ardhur që këndej, ka hyrë koha e çeljes së agjëruesit”].

[3] [Kur njeriu ndodhet në një luginë, pas një kodre apo pas një mali, ku nuk shihet perëndimi i diellit, duhet të presë derisa të mos duken më rrezet e diellit në majat e kodrave e të maleve apo të fillojë errësira në anën e lindjes, sikurse kanë përmendur dijetarët në shpjegimin e haditheve të mësipërme të Ibn Ebi Eufas dhe të Umer Ibn Hatabit. Ashtu sikurse shfaqet agimi për hyrjen e kohës së sabahut në anën e lindjes, ndërkohë që gjithandej ka errësirë, po ashtu shfaqet errësira në anën e lindjes kur hynë koha e akshamit, kur perëndon dielli, ndërkohë që gjithandej ka ditë. Neveviu thotë: “Dijetarët kanë thënë se Pejgamberi a.s. e ka përmendur perëndimin e diellit,  shfaqjen e errësirës (në anën e lindjes) dhe largimin e ditës (në anën e perëndimit), për të qartësuar se perëndimi i dielllit nga sytë (jo gjithmonë) është i mjaftueshëm, pasi ka mundësi që në disa vende dielli të zhduket nga sytë, edhe pse nuk ka perënduar realisht, kështu që (në vende të tilla) pajtetër duhet të merret parasyshë rënia e errësirës së natës  (nga ana e lindjes) dhe largimi i ditës” (El Mexhmu). Ky sqarim përmendet dhe në librat: Sherh Sahih Muslim, Mevahibul Xhelil, Hashijetul reudil murbi etj. Rasti kur disku i diellit fshihet pas kodrës, pas malit apo pas një ndërtese të madhe, por nga ana tjetër duken rrezet e tij në anën nga lind dielli dhe në majat e maleve e të kodrave, ky rast pra nuk quhet perëndim dielli as fetarisht, as logjikisht dhe as konkretisht. Këtë gjë e ka përmendur edhe shejh Albani në një prej kasetave të serisë “el Huda ven Nur”.]

[4] Për këtë çështje ka sjell ixhma Ibn Betal në shpjegimin e tij të Buhariut. [Kalendari aktual që boton KMSH-ja e shënon kohën e akshamit disa minuta më vonë se perëndimi i diellit, por minutat e vonesës ndryshojnë nga një vend në tjetrin, pasi dihet se perëndimi i diellit nuk është për të gjitha vendet njësoj; përshembull, nga mali i Dajtit, ose nga Kërraba, perëndimi i diellit mund të vërehet dy deri në katër minuta përpara asaj që shënohet në kalendarë ose njëherësh me të; nga fshatrat më poshtë lartësisë së maleve perëndimi i diellit mund të vërehet përafërsisht katër deri në tetë minuta para kalendarit; në bregdet perëndimi i diellit mund të shihet përafërsisht pesë minuta para kalendarit. Këto unë i kam konstatuar vetë nga vrojtimi i perëndimit të diellit në pika dhe vende të ndryshme të vendit. Nëse njeriu e respekton kalendarin deri në atë masë sa që, edhe pse shikon perëndimin e diellit apo e merr vesh sigurtë atë, e vonon ezanin e akshamit ose çeljen e agjërimit derisa të hyjë koha sipas kalendarit, kjo është bidatë në fe. E nëse kalendari përdoret thjeshtë për lehtësim, sikurse ora e dorës, duke e korigjuar rregullisht në bazë të perëndimit të diellit dhe shenjave të tjera për kohët e namazeve të tjera, kjo s’ka gjë. Nga ana tjetër, duhet të bëjmë kujdes se në ndonjë vend dielli mund të perëndojë pas asaj që shënohet në kalendarë, sepse kalendarët mund të kenë dhe probleme të tilla].

[5] Fetava Ibn Uthejmin (1\531- 532).

[6] Fetava lexhnetu daimeti (2254) shih Mexhmuë Fetava Ibn Baz. [Ndryshimi i hyrjes së kohës së namazit nga një vend në tjetrin dhe nga një zonë në tjetrën në varësi të perëndimit të diellit në secilin vend a zonë është krejt i natyrshëm dhe në përputhje me sunetin e Pejgamberit, kurse njësimi i kohës për këto vende a zona të ndryshme është në kundërshtim me sunetin. Prandaj, themi se në çdo vend e në çdo zonë duhet të thirret ezani dhe të çilet agjërimi atëherë kur perëndon dielli, pa marrë parasyshë vendet dhe zonat e tjera. Kështu, ata që janë në bregdet do të çelin atëherë kur shohin perëndimin e diellit, përafërisht pesë minuta para kalendarit aktual; ata që ndodhen në fshatrat apo kodrat me një lartësi mesatare nga niveli i bregdetit, përsëri do të çelin kur shohin perëndimin e diellit, që sipas vrojtimit tim në vende të tilla dielli perëndon para kalendarit aktual nga katër deri në tetë minuta në varësi të stinëve; ata që ndodhen në malin e dajtit apo në kërrabë do të çelin kur të shohin perëndimin prej atje, që i bie përafërisht dy minuta para kalendarit, ose diçka më shumë se kaq, ose njëherësh me të; ata që ndodhen pas një kodre, pas një mali, apo në një luginë ku nuk e shohin dot perëndimin e diellit do të çelin kur të mos shohin më aspak rreze dielli në majat e kodrave dhe të maleve apo në anën e lindjes, qoftë dhe nëse kjo shkon vetëm dy minuta para kalendarit apo njëherësh me kalendarin, sepse kjo është hyrja e kohës për ta.]