Këto dhjetë ditë nga Ramazani, kanë një vlerë të veçantë nga të gjithë ditët e tjera, pasi ato janë ditë të cilat profeti Muhamed a.s e kalonte natën e tyre i zgjuar duke adhuruar Zotin. Në këto dhjetë ditë, është dhe nata e Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj.
Profeti Muhamed a.s i specifikonte këto ditë me më shumë adhurim, vëmendje, përkushtim dhe punë të mira.
Imam Buhari dhe Muslim, transmetojnë nga Aisheja se profeti Muhamed a.s, sa herë që hynin dhjetë ditët e fundit, shtrëngonte rripin, i jepte jetë natës dhe zgjonte familjen.”
I jepte jetë natës
Ti japësh jetë natës, do të thotë ta kalosh zgjuar në namaz dhe adhurime të tjera.
Në një hadith tjetër të Aishes, transmetohet të ketë thënë:”Nuk e di nëse i dërguari i Zotit e lexonte Kuranin brenda një nate apo falej gjithë natën, apo agjëronte një muaj të plotë, përveç muajit të Ramazanit.”
“I jepte jetë natës” kuptohet se ai falej në shumicën e saj, ose të gjithë natën, duke e ndërprerë adhurimin nga syfyri dhe gjëra të tjera. Pra qëllimi është dhënia jetë e shumicës së natës.
Profeti Muhamed a.s e zgjonte edhe familjen e tij në këto dhjetë ditë, me qëllim që adhurimin ta kryejnë bashkërisht. Ai e kishte zakon që ti zgjojë edhe gjatë ditëve të tjera të vitit, për për tu falur pjesërisht.
Por zgjimi i familjes gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, ishte më i spikatur se gjatë ditëve të tjera të vitit.
Zejneb bintu Umi Seleme tregon se profeti Muhamed a.s, nuk linte pa zgjuar askënd nga familja e tij, që mund të falej natën.”
Adhurimi dhe përpjekja për puën të mira
Transmeton Aisheja se Profeti a.s kryente adhurim në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, adhurim që nuk e kryente në ditët e tjera.
Imam Shafiu thoshte:”Është sunet shtimi i adhurimeve në këto dhjetë ditë të fundit të Ramazanit.”
Shtrëngimi i rripit në hadithin e mësipërm, është metaforë për gatishmërinë e adhurimit dhe namazit shtesë. Kur themi shtrëngoj rripin, tregojmë gatishmërinë për një vepër të caktuar.
Një mendim tjetër është se “shtrëngimi i rripit” është metaforë për distancimin nga fjetja me gratë, gjë e cila është shumë e përdorur mes arabëve.
Kërkimi i natës së Kadrit
Një nga vlerat e këtyre dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, është se në një nga këto ditë është dhe nata e Kadrit, një nga netët më të mira të vitit, më e mirë se një mijë muaj. Nëse një njeriu i mundësohet ta adhurojë Zotin për 84 vite, vetëm adhurimi i natës së kadrit do të ishte më i mirë dhe më i vlefshëm se këto 84 vite adhurim. Kjo është një nga mirësitë dhe vlerat me të cilat është graduar ky umet.
Thotë imam Nekhaij:”Puna e mirë në këtë natë, është më e mirë se puna e një mijë muajve.”
Profeti Muhamed a.s ka thënë:”Kush falet natën e Kadrit, me besim dhe shpresë, do i falen gjynahet e parakaluara.” (Buharia dhe Muslim)
“Me besim” d.m.th me besim tek Zoti për shpërblimin që ka adhurimi i kësaj nate.
“Me shpresë” me shpresë se do e fitojë shpërblimin dhe sevapin vetëm nga Zoti.
Nata e Kadrit gjendet në një nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Profeti Muhamed a.s thoshte:”Kërkojeni natën e Kadrit në netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit!” (Buhari)
Shohim që Profeti a.s thotë se nata e Kadrit gjendet në njërën nga netët teke të dhjetë ditëve të fundit.