Gruaja në Xhenet

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe nderimet e Tij qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Unë kur pashë një numër të madh pyetjesh që vinin nga gratë që u interesonte gjendja e tyre në Xhennet, dhe çfarë i prêt atje e pashë të arsyeshme të mbledh disa çeshite të dobishme. Këto çështje do të dalin më mirë në pah kur të përmendim argumentet e sakta si dhe fjalët e dijetarëve tanë, prandaj duke i kërkuar ndihmë Allahut them:

(1) Nuk u mohohet e drejta grave kur pyesin se çfarë do të ndodhë me to në Xhennet, për begatitë dhe llojet e shpërblimeve, për shkak se shpirti i njeriut mendon thellë për të ardhmen dhe fatin e tij. Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të, nuk ua mohonte këto pyetje shokëve të tij rreth Xhenetit dhe gjërave që ekzistojnë në të. Ka ndodhur që ata ta kenë pyetur: “Si janë shtëpitë e ndërtuara në xhenet?” Ai u është përgjigjur: “Një tullë prej ari dhe një tjetër prej argjendi…” Dhe një here tjetër ata e pyetën: “O i dërguari i Allahut! A do kemi mundësi tu afrohemi grave tona në xhenet? Ai u tha: “Po sigurisht!”

(2) Shpirti i njeriut – qoftë mashkull apo femër – kur përmendet Xheneti dhe kënaqësitë e tij përmallohet dhe ngazëllehet. Kjo në fakt është gjë e mirë me kusht që këto të mos mbeten thjesht dëshira të pavlefshme pa ia bashkangjitur punët e mira sepse Allahu i Madhëruar u thotë besimtarëve: “Ja, ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni bërë.” [Zuhruf; 72]. Përmallini shpirtrat tuaj me gjërat që janë në Xhenet dhe jepni për këtë fakte praktike.

(3) Xheneti dhe kënaqësitë e tij nuk janë specifike vetëm për burrat, përkundrazi është “I përgatitur për të devotshmit.” [Al-Imran; 133].Pra është përgatitur për të dyja gjinitë siç na tregon All-llahu i plotfuqishëm duke thënë: “Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.“[Nisa;124].

(4) Gratë nuk duhet të shqetësohen kaq shumë duke pyetur dhe hulumtuar se si do të hyjnë në xhenet, çfarë do të bëhet me to? Ku do të shkojnë etj sikur ato po shkojnë drejt një shkretëtire vdekjeprurëse. Mjafton që ajo të dijë se me të hyrë në xhenet asaj i zhduken të gjitha mjerimet dhe problemet që ka kaluar duke iu kthyer në një lumturi të përhershme. Kthehet në pavdekësi, e për këtë i mjafton fjala e Allahut të Madhëruar kur flet për Xhenetin duke thënë: “Aty nuk do t’i mundojë lodhja e prej aty kurrë nuk do të dëbohen.” [Hixhr; 48]. Si dhe në fjalën e Tij që thotë: “Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë.“[Zuhruf; 71]. Po para së gjithash i mjaton fjala e Allahut të madhëruar që thotë: “Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë.” [Maide; 119].

(5) Kur Allahu përmend kënaqësitë e ndryshme të xhenetit në llojet e ushqimeve, peizazhet e bukura, veshjet dhe shtëpitë e rehatshme kjo në fakt i përmbledh të dyja gjinitë (meshkujt dhe femrat) pra të gjithë do ti shijojnë ato që u përmendën mësipërm.

Mbetet të themi: Allahu i ka joshur burrat për xhenetin duke u përmendur hyritë dhe gratë e bukura por një gjë e tillë nuk është përmendur për gratë gjë e cila shtyn ndonjërën që të pyes rreth arsyes?! Përgjigjja është:

1 – Allahu i Madhëruar: “Nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata do të pyeten.” [Enbija; 23]. Por nuk ka ndonjë problem që të nxjerrim urtësitë që lidhen me këtë pyetje nëpërmjet teksteve legjislative dhe parimeve islame prandaj them:

2 – Natyra e grave është turpi – siç është e njohur – prandaj Allahu i Madhëruar nuk i josh ata për gjëra prej të cilave ato kanë turp.

3 – Ashku i burrave ndaj grave nuk është i njëllojtë me ashkun që gratë kanë ndaj burrave – siç dihet – për këtë arsye Allahu i Madhëruar i joshë burrat duke u përmendur gratë e xhenetit për të vërtetuar edhe më tej fjalën e Profetit, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të, që thotë: “Nuk kam lënë pas meje sprovë më të dëmshme për burrat se gratë.” E përcjell Buhariu. Ndërkohë që gruaja është e dhënë më shumë pas zbukurimeve, rrobave bizhuterive se dhënia e saj pas burrave sepse në këtë natyrë është krijuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a është ajo që rritet në stoli.” [Zuhruf;18].

4 – Shejh Ibn Uthejmin thotë: “Allahu i Madhëruar përmendi gratë për burrat sepse burri është ai që e kërkon gruan e që e dëshiron atë, dhe kjo është arsyeja që përmenden gratë për burrat në Xhenet. Ndërsa heshtja dhe mos përmendja e bashkëshortëve që do të kenë gratë nuk do të thotë se ata nuk do t’i gëzojnë ata, përkundrazi ata do të kenë bashkëshortë nga bijtë e Ademit.”

(6) Gratë në këtë botë kanë këto situata:

1 – ose vdesin para se të martohen.

2 – ose vdesin pasi që janë divorcuara e para se të martohen me një tjetër.

3 – ose është e martuar, por burri i saj nuk hyn në Xhennet me të – Allahu na ruajt!

4 – ose vdes pas martesës.

5 – ose i vdes burri dhe ajo qëndron ashtu pa u martuar deri në vdekje.

6 – ose vdesë burri, e pas kësaj ajo të martohet me një burrë tjetër.

Këto janë situatat e grave në këtë botë dhe secili rast korrespondon me atë që e pret në Xhennet:

1 – Gruaja që ka vdekur para se të martohet këtë e marton Allahu në xhenet me një burrë të kësaj bote. I dërguari i Allahut ka thënë: “Në xhenet nuk do ketë të pamartuar.” Shejh Ibn Uthejmin thotë: “Nëse ajo nuk martohet në këtë botë, All-llahu i plotfuqishëm do e martojë me atë që do t’i kënaqet syri në Xhenet. Kënaqësitë në xhenet nuk janë të kufizuara vetëm për meshkujt përkundrazi ato do ti shijojnë meshkujt dhe femrat ku mes të tjerash, është dhe martesa.”

2 – E njëjtë me të parën është ajo grua që vdes duke qenë e ndarë nga burri i saj.

3 – E njëjtë me të parën është dhe ajo grua burri i së cilës nuk hyn në xhenet. Shejh Ibn Uthejmin thotë: “Nëse gruaja është prej banorëve të xhenetit dhe nuk është martuar apo kur burri i saj nuk është prej xhenetlive, ajo kur të hyjë në xhenet aty do të gjejë burra që nuk ishin të martuar në këtë botë dhe martohet me ndonjërin prej tyre.”

4 – Gruaja që vdes pas martesës do jetë në xhenet me burrin e saj tek i cili ka vdekur.

5 – Gruas që i vdes burri dhe mbetet e pa martuar deri sa të vdesë ajo do të jetë bashkëshortja e burrit të saj në xhenet.

6 – Gruas që i vdes burri e më pas ajo martohet me një tjetër ajo do të jetë me burrin e fundit me të cilin është martuar sado qoftë numri i tyre. Kjo duke u bazuar në fjalën e Profetit alejhi selam që thotë: “Gruaja i përket burrit të saj të fundit (me të cilin martohet).” E përcjell Shejkh Albani në “Vargu i Haditheve të Sakta”.

Si dhe duke u bazuar në fjalën e Hudhejfes që thotë: “Nëse do të jesh gruaja ime në xhenet mos u marto pas vdekjes sime sepse gruaja në xhenet do të jetë me burrin e saj të fundit që kishte në këtë botë.” Kjo ishte dhe arsyeja që Allahu ua ndaloi grave të Profetit, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të, të martoheshin pas vdekjes së tij sepse ato do të jenë gratë e tij në Xhenet.

Dikush mund të pyes: “Gjatë lutjes që bëjmë në namazin e xhenazes themi: Jepi një burrë më të mirë se burri që kishte!” Por nëse ajo ishte e martuar si mund të lutemi në këtë formë ndërkohë që e dimë se burri i saj në këtë botë do të jetë bashkëshorti i saj edhe në atë botë? Nga ana tjetër nëse ajo nuk ishte e martuar atëherë ku mbetet burri i saj?

Kësaj pyetje i është përgjigjur Shejh Uthejmini duke thënë: Nëse ajo (XHENAZEJA) nuk ishte e martuar, atëherë qëllimi i lutjes për një burrë më të mirë është për atë burrë që do të ishte i saj nëse ajo do të jetonte. Por nëse ajo ishte e martuar lutja konstaton për një burrë më të mirë në cilësi pra më të mirë në cilësi se ato që kishte (BURRI I SAJ) në këtë botë. E themi këtë sepse ndryshimi do tu ndodh objekteve dhe ndryshim do të pësojnë edhe cilësitë (e njeriut etj). Siç thuhet në fjalën e Allahut: Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt.” [Ibrahim; 48]. Pra është e njëjta toka por është shtrirë, edhe qiejt janë po ato por janë çarë.

(7) Në një hadith të saktë Profeti, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoshin mbi të, u ka thënë grave: “Kam parë të jeni shumica e banorëve të zjarrit.” Ndërsa në një hadith tjetër ai thotë: “Banorët më të pakët në xhenet do jenë gratë“. E përcjellë nga Buhariu dhe Muslimi. Gjithashtu në një hadith të saktë tjetër thuhet se: “Çdo burrë i kësaj bote që hyn në xhenet do ketë dy gra” – pra të kësaj bote. Dijetarët kanë rënë në polemika në përshtatjen e transmetimeve të mësipërme pra a janë gratë më shumë në xhenet apo në zjarr?

Disa prej tyre thanë: ” Gratë janë banorët më të shumtë në Xhennet dhe po ashtu në zjarr për shkak të numrit të madh të tyre. Kadi Ijad thotë: “Femrat janë pasardhësit më të shumtë të Ademit”.

Disa të tjerë thanë se: “Gratë do jenë banorët më të shumtë të zjarrit kjo bazuar në hadithet e përmendura më lart. Gjithashtu ato do jenë më të shumta në numër në xhenet kur të bashkohen me hyritë kështu që në numër bëhen më shumë se burrat. Disa të tjerë thanë: ata do jenë shumica e banorëve të zjarrit fillimisht por më pas do jenë shumica e banorëve të xhenetit pasi të dalin nga zjarri – pra muslimanet.

Kurtubiu, duke komentuar fjalën e Profetit, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të, që thotë: “Kam parë të jeni shumica e banorëve të zjarrit.” Shprehet: “Kjo ka të ngjarë të ndodhë në kohën kur ato janë në zjarr, por pasi do kenë dalë nga zjarri me mëshirën e Zotit dhe ndërmjetësimin e të mos mbesë asnjë që dëshmon La ilahe ila Allah atëherë gratë do jenë më shumë në numër në xhenet.”

E rëndësishme është që gruaja të ketë kujdes e të mos bëhet prej banorëve të zjarrit.

(8) Kur gruaja hyn në Xhennetin e Zotit të saj, Allahu ia rikthen rininë dhe virgjërinë e saj. Kjo duke u bazuar në fjalën e Profetit, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të, që thotë: “Në xhenet nuk do ketë të moshuar.”  Allahu kur i fut në xhenet i kthen në virgjërinë e tyre.

(9) Në disa transmetime thuhet se gratë e kësaj bote në xhenet do jenë shumë më të bukura se hyritë dhe kjo në varësi të adhurimit që ato bënin në këtë botë.

(10) Ibn Kajim thotë: Çdokush pengohet që t’i afrohet familjes së tjetrit në xhenet.

Pas gjithë kësaj them: Ky është xheneti që është zbukuruar për ju o gra ashtu siç është zbukuruar edhe për burrat: Në kuvendin e së vërtetës (në Xhenet), tek një Sundues i Plotfuqishëm.” Kini kujdes mos humbisni rastin sepse kjo jetë shumë shpejt do të largohet e më pas nuk mbetet vetëm se përjetësia e përhershme.

Le të jetë përjetësia juaj në xhenet, e ta dini se mehri që kërkon xheneti është besimi dhe punët e mira dhe jo dëshirat boshe dhe shkujdesja. Kujtojeni fjalën e /Profetit, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të, që thotë: “Kur gruaja fal pesë namazet e saj, agjëron muajin e saj, ruan nderin e saj,dhe i bindet burrit të saj atë ditë i thuhet: Hyr në xhenet nga cila derë të duash.”

Ki kujdes nga avoketërit e prishjes, që duan shkatërrimin tënd dhe devijimin tënd nga xheneti i amshueshëm. Mos të të mashtrojë zbukurimi i fjalëve të të prishurve dhe të të prishurave qofshin ata shkrimtarë apo shkrimtare apo njerëz që shfaqen në televizione sepse janë siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ata duan që ju të mohoni si’ mohuan vetë e kështu të bëheni njëlloj me ta.

Lus Allahun tu japë sukses grave muslimane në fitimin e Xhenetit, t’i udhëzojë e t’i bëjë shkaktare të udhëzimit për të tjerat. Largoftë prej tyre shejtanët e njerëzve që ftojnë në shkatërrim dhe prishje dhe së fundi paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Nga: Sulejman Bin Saleh Kharashi
Përshtati: Fatjon Isufi

You may also like...