Dija më e lartë është njohja e Allahut.LEXO

 Që në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen, njerëzit kanë pasur zell të madh për dije dhe njohuri. Ata kërkojnë nëpër gërmadha dhe shpella, për të njohur ngjarjet e popujve të kaluar dhe gjendjet e tyre, studiojnë profecitë që flasin për të fshehtën që të njohin ngjarjet që do të ndodhin, shpikin satelitë për të studiuar yjet dhe planetet, madje kanë dërguar anije kozmike, të cilat lëvizin në hapësirë, për të zbuluar e sqaruar të fshehtat e Universit.

Njerëzit kanë studiuar tokën dhe shtresat e saj, malet, kodrat etj., janë zhytur në dete për të njohur kafshët dhe sekretet që gjenden në to, kanë studiuar njeriun, kafshët dhe bimët, kanë përpiluar libra për të regjistruar njohuritë që kanë marrë gjatë kohërave dhe kanë përpiluar dhe zbatuar shkenca të ndryshme, si historinë, gjeografinë, astronominë, kiminë, fizikën, mjekësinë etj..

Përderisa grada e dijes varet nga grada e asaj që kërkohet të njihet, atëherë padyshim dija që na njeh me Zotin tonë, është dija e gradës më të lartë. Ai që ka dituri dhe njohuri rreth Allahut, është më i mirë se ai që ka njohuri rreth njerëzve, kafshëve, shtresave të tokës, yjeve etj..

Ibnul Arabiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Grada e lartë e dijes, varet nga grada e lartë e asaj që dihet. Krijuesi është më i Lartë se të gjitha gjërat e tjera që mund të njihen, si rrjedhojë dituria rreth emrave të Tij, është dituria më e lartë.”

Islami i fton pasuesit e Tij për dituri, vëzhgim dhe hulumtim në Univers, por ai i kritikon ata njerëz, dituria e të cilëve qëndron në kufijtë e jetës dhe nuk i kalon ato, për të njohur Krijuesin e jetës dhe për të kuptuar qëllimin e krijimit të saj dhe të gjallesave:

Ata dinë vetëm pamjen e jashtme të jetës së kësaj bote dhe janë krejt të pavëmendshëm për fundin e punëve në Jetën e Përtejme.” (Err-Rrum: 7)

Në qoftë se njohuritë fetare janë njohuritë më të mira dhe më të larta, padyshim  dija që na bën të njohur Zotin tonë, është më e larta ndër të gjitha njohuritë. Prandaj ajetet që na japin njohuri rreth Allahut, emrave dhe cilësive të Tij, janë ajetet më të mira të Kur’anit. Ajeti “El Kursij”, sikurse është përcjellë në hadith të saktë, është ajeti më i mirë në librin e Allahut dhe sureja “Ihlas” është e barabartë me një të tretën e Kur’anit. Këto ajete janë madhëruar vetëm për faktin se bëjnë fjalë për Allahun, të Adhuruarin e Vetëm me të drejtë.

You may also like...