Nxitimi në kërkimin e përgjigjes së duas

Ndër veset që mund të ndikojnë negativisht në efikasitetin e dua’së (lutjes) është nxitimi i robit dhe kërkimi i ngadaltë i përgjigjes. Kështu, ai mund të dëshpërohet dhe ta braktisë dua’në. Shembulli tij është i ngjashëm me shembullin e një njeriu, i cili e mbjell farën apo fidanin, e më pas i qëndron te koka dhe e ujit atë. Por, kur e shikon se rritja po vonohet, atëherë ai e braktis dhe e lë pas dore.

Ebu Hurejre (radijallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Secilit prej jush do t’i jepet përgjigjja për aq kohë sa nuk është nxituar duke thënë: “Bëra dua’, por nuk mora përgjigje për të.” (Buhariu)

Enesi (radijallahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Robit do t’i vijë përgjigja, në rast se dua’ja e tij nuk ka të bëjë me kryerjen e ndonjë mëkati, me shkëputjen nga fisi dhe në rast se ai nuk nxitohet.” (Muslimi) Njëri nga shokët e Profetit (aalejhi selam) e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, çfarë është nxitimi?” Profeti (aalejhi selam) u përgjigj: “Nxitimi është atëherë kur robi thotë: Bëra dua’ e nuk mora përgjigje. Në këtë mënyrë, ai bie në dëshpërim dhe e braktis dua’në (lutjen).”

Gjithashtu, në një hadith tjetër, Enesi (radijallahu anhu) transmeton se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Njeriu do të jetë mirë, për aq kohë sa nuk nxitohet.” E pyetën: “Si të nxitojë, o i Dërguar i Allahut?” Profeti (alejhi selam) u përgjigj: “Ai nxiton kur thotë: I bëra dua’ Zotit tim dhe Ai nuk m’u përgjigj.” (Ahmedi)

“Sëmundja dhe ilaçi” Ibn Kajjim el-Xheuzije

You may also like...