Njësimi i Allahut në veprat e posaçme të Tij

Teuhidi rububije (Njësimi i Allahut në veprat e posaçme të Tij).

Kjo do të thotë ta njësosh Allahun (s.u.t.) për sa u përket çështjeve të krijimit, zotërimit dhe përkujdesjes ndaj krijesave.

  • Ta njësosh Allahun në çështjet e krijimit do të thotë të besosh se nuk ka krijues tjetër veç Tij: “Vërtet Atij i përket krijimi, rregullimi i punëve të krijesave, urdhërimi dhe ligjvënia.” (Araf, 54). Kjo fjali, sipas gjuhës arabe, shpreh kufizim të veprimit për një subjekt. Po kështu edhe nga thënia e Allahut: “A ka krijues tjetër përveç Allahut që t’ju furnizojë nga qielli dhe nga toka?” (Fatir, 3), kuptohet qartë se krijimi i përket vetëm Allahut, kjo ngase këtu kjo pyetje është pyetje sfiduese.

Ndërsa për “krijimet” që aludohen në ajetin, “i Lartësuar me madhështi qoftë Allahu, më i miri i krijuesve” (Mu’minun, 14) dhe në thënien e të Dërguarit (s.a.u.s.) lidhur me ata që bëjnë figura qeniesh me shpirt, “… atyre do tu thuhet: ‘Jepuni jetë atyre që keni krijuar’”, themi se në këto raste nuk flitet për krijim e mirëfilltë. Krijim i mirëfilltë është atëherë kur diçka sillet në ekzistencë pa ekzistuar më parë në çfarëdo lloj forme; ndërsa këtu kemi vetëm shndërrim të diçkaje nga një gjendje në një gjendje tjetër. Gjithashtu, ky lloj krijimi nuk është gjithëpërfshirës, por i kufizuar brenda mundësive njerëzore, brenda një rrethi të ngushtë. Përfundimisht, asgjë nuk bie ndesh me përkufizimin e mësipërm: “Ta njësosh Allahun në çështjen e krijimit”.

  • Ta njësosh Allahun në çështjen e sundimit do të thotë të besosh se krijesat nuk i sundon askush tjetër veç Krijuesit të tyre, siç thotë Allahu (s.u.t.): “Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i tokës” (Ali Imran, 189) apo: “Thuaj: ‘Kush është Ai që ka në dorë zotërimin e çdo gjëje …?’” (Mu’minun, 88).

E për sa u përket rasteve kur pohohet zotërimi i dikujt tjetër veç Allahut si për shembull: “… me përjashtim ndaj bashkëshorteve të veta dhe ndaj atyre që i kanë në zotërimin e tyre, për të cilat nuk qortohen.” (Mu’minun, 6), si dhe: “… ose në shtëpinë së cilës i zotëroni çelësat …” (Nur, 60), në këto raste kemi të bëjmë me një zotërim gjithashtu të kufizuar që përfshin vetëm një pjesë fare të vogël të krijimit. Një njeri zotëron vetëm çfarë ka në pronësinë vet, e jo atë çka ndodhet në dorën e të tjerëve. Megjithatë, edhe ky lloj zotërimi është i mangët, sepse njeriu edhe atë që ka nuk e sundon në mënyrë absolute. Ai mund të veprojë me zotërimin e tij vetëm sipas normave të Sheriatit. Për shembull, nëse ai do që ta djegë pasurinë e vet ose do që të ndëshkojë kafshën e vet, kjo nuk i lejohet. Allahu (s.u.t.) është Ai që sundon në mënyrë absolute.

  • Ta njësosh Allahun në çështjet e përkujdesjes ndaj krijesave do të thotë të besosh se askush tjetër veç Allahut (s.u.t.) nuk i rregullon çështjet e krijesave:

“Thuaj (Muhamed): ‘Kush ju sjell furnizim nga qielli e nga toka dhe kush është zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush është rregulluesi i të gjitha çështjeve?’ Do të thonë të gjithë: ‘Allahu’. Thuaju: ‘E, atëherë, nuk paskeni frikë nga ndëshkimi i Allahut?’ Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. Kështu, përtej së vërtetës e ç’mund të ketë tjetër veç së gabuarës?! Si atëherë keni humbur?!” (Junus, 31, 32)

Rregullimi i çështjeve nga ana e njeriut është i kufizuar vetëm në atë që ndodhet nën sundimin e tij dhe vetëm në atë që ia lejon feja.

Këtë lloj teuhidi (rububije) nuk e kundërshtonin as politeistët tek të cilët u dërgua Profeti (s.a.u.s.), madje ata e pranonin këtë. Allahu i Lartësuar thotë:

“E me të vërtetë, po t’i pyesësh ata se kush i ka krijuar qiejt dhe tokën me siguri do të thonë: “I Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri i krijoi.” (Zuhruf, 9).

Pra, ata e pohonin se Allahu është Ai që rregullon çdo çështje dhe që në dorën e Tij është sundimi i qiejve dhe i tokës. Këtë të vërtetë nuk e ka mohuar asnjë i njohur nga bijtë e Ademit. Askush nuk ka thënë se bota ka dy krijues të barabartë. Pra, askush nuk e ka kundërshtuar teuhidin rububije, qoftë duke mohuar krejtësisht se Zoti është krijues, qoftë duke i shoqëruar Atij dikë tjetër si krijues, me përjashtim të Faraonit. Ky i fundit e mohoi ekzistencën e Allahut për shkak të kryelartësisë, duke mos pranuar veprat e Tij të posaçme. Faraoni tha: “Unë jam zoti juaj, më i larti.’” (Naziat, 24); “Faraoni tha: ‘O pari! Unë nuk di që ju të keni ndonjë perëndi tjetër, veç meje…” (Kasas, 38). Kjo ishte thjesht kryeneçësi nga ana e tij, sepse, në fakt, ai e dinte se Zoti i vërtetë ishte dikush tjetër: “Ata i mohuan argumentet Tona padrejtësisht e me mospërfillje, edhe pse në vetvete ishin të bindur për vërtetësinë  e tyre …” (Neml, 14)

Po kështu Allahu ka treguar polemikën e Musait me Faraonin: “(Musai) i tha: ‘Vërtet ti tashmë e more vesh se këto shenja nuk kanë zbritur nga askush tjetër veç Zotit të qiejve dhe tokës …’” (Isra, 102) Pra, Faraoni në veten e tij e dinte se Zot është Allahu (s.u.t.).

Ndërsa adhuruesit e zjarrit e mohonin teuhidin rrububije në aspektin e shoqërimit, duke thënë se bota ka dy krijues: Dritën dhe Errësirën. Megjithatë, ata përsëri nuk i konsideronin të barabartë këta krijues. Ata thonin se Drita është më e mirë se Errësira, sepse ajo është burim i së mirës, ndërsa Errësira sjell të keqen, dhe ajo që krijon të mirën është më e mirë sesa ajo që krijon të keqen. Gjithashtu, Errësira është hiç dhe nuk ndriçon, ndërsa Drita është ekzistencë dhe ndriçon, pra Drita është më e përsosur në qenien e saj. Një ndryshim të tretë ndërmjet tyre – sipas adhuruesve të zjarrit – është që: Drita është e hershme, pa fillesë; ndërsa për Errësirën ata kanë dy mendime: disa thonë se është e pa fillesë, disa të tjerë thonë që ajo ka një fillesë.

Logjika të mëson se Krijuesi i botës është një i vetëm:

“Asnjë fëmijë nuk lindi Allahu dhe asnjë perëndi tjetër nuk gjendet përkrah Tij. (Po të kishte shumë perëndi) atëherë ç’të shihje: Secila perëndi do të kishte hequr mënjanë atë që do të kishte krijuar vetë dhe disa do të përpiqeshin të mposhtnin të tjerët!” (Mu’minun, 91).

Pra, nëse ne do të pohonim se bota paska dy krijues atëherë çdo krijues do të veçohej me atë që ka krijuar e të jetë i pavarur, siç e kanë zakon sundimtarët. Ata nuk do të kënaqeshin që në krijimet e sundimet e tyre të kishte pjesë tjetërkush, dhe nëse do të arrinin të bëheshin të pavarur do të donin diçka tjetër: që sundimi të ishte vetëm i tyre dhe askush të mos i shoqëronte në të. Kësisoj, kur secili e do për vete sundimin ata mund të jenë ose të barabartë ose njëri do të sundojë mbi tjetrin. Nëse njëri sundon mbi tjetrin atëherë zotërimi i takon atij, e nëse janë të barabartë, pra secili është i pafuqishëm kundrejt tjetrit, atëherë ky zotërim nuk i përket asnjërit prej tyre, sepse një i pafuqishëm nuk vlen të jetë zot.

Muhamed ibn Salih el Uthejmin

Komenti i Librit të Teuhidit

You may also like...