займы онлайн

Njësimi i Allahut në adhurim

Teuhidi uluhije (Njësimi i Allahut në adhurim).

Quhet ndryshe edhe teuhid ibadeh. Duke e parë në dy këndvështrime: nëse merret parasysh faktin se ai i kushtohet Allahut quhet teuhid uluhije; e nëse merret parasysh faktin se atë e kryejnë krijesat quhet teuhid ibadeh. Kjo do të thotë ta njësosh Allahun në adhurim, sepse Ai që meriton të adhurohet është vetëm Allahu (s.u.t.):

“Kjo ngaqë Allahu është i Merituari, Ai është i Vërteti, dhe gjithçka që ata (politeistët) lusin në vend të Allahut, ose bashkë me Të, është e pavërtetë.” (Lukman, 30).

Fjala ‘adhurim’ ngërthen dy koncepte:

  • et teabud, që do të thotë: nënshtrimi ndaj Allahut (s.u.t.) duke vepruar ato që Ai ka urdhëruar dhe duke u larguar nga ato që Ai ka ndaluar, në shenjë dashurie dhe madhërimi për Të;
  • el muteabed bihi (aktet e adhurimit), që, sipas përkufizimit të bërë nga shejhu i Islamit Ibn Tejmije, është: emër që përfshin çdo fjalë dhe vepër, të dukshme ose të padukshme, që Allahu e do dhe e pëlqen. Për shembull, namazi është një mënyrë nënshtrimi dhe përulje ndaj Zotit si dhe një mënyrë për shprehjen e dashurisë dhe madhërimin e Tij, e në këtë kuptim ai quhet teabud – adhurim. Nga ana tjetër në vetvete ai është el muteabed bihi – një akt adhurimi.

Ta njësosh Allahun me adhurim do të thotë të bëhesh rob vetëm i Allahut, t’i nënshtrohesh vetëm Atij, në shenjë dashurie dhe madhërimi për Të, dhe ta adhurosh sipas mënyrës që Ai ka caktuar:

“Mos vër përkrah me Allahun të adhuruar tjetër, dhe pastaj të bëhesh i përçmuar e i braktisur (në Zjarr)..” (Isra, 22);

“Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e botëve”. (Fatiha, 1)

Përshkrimi i Allahut (s.u.t.) si Zoti i botëve është arsye për pohimin uluhijes (adhurimit) për Të. Ai është i Adhuruar, sepse është Zoti i botëve. “O njerëz! Adhuroni Allahun, Zotin tuaj, i Cili ju krijoi ju dhe ata që qenë përpara jush.” (Bekare, 21), do të thotë se: Ai është Krijuesi i vetëm, prandaj meriton të adhurohet. Ёshtë mendjelehtësi që një krijesë ta quash perëndi e ta adhurosh. Ajo në realitet nuk të bën dobi as në aspektin e ekzistencës, as në atë të përgatitjes dhe as në atë të ndihmës. Ёshtë mendjelehtësi të shkosh te varri i një personi, eshtrat e të cilit janë kalbur, dhe ta lusësh e ta adhurosh atë. Vetë ai ka nevojë për lutjen tënde e assesi nuk mund të të bëjë dobi ty. Atje ai nuk ka mundësi që t’i bëjë dobi apo dëm vetvetes, e si paska mundësi të bëjë diçka për të tjerët?!

Shumica e njerëzve e kanë mohuar dhe e kanë kundërshtuar këtë lloj teuhidi dhe për këtë shkak Allahu ka dërguar Pejgamberët dhe ka zbritur shpalljet: “Ne nuk kemi sjellë ndonjë të Dërguar para teje (O Muhamed) e që të mos i kemi shpallur se: ‘Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuroni!’” (Enbija, 25). E, pavarësisht nga kjo, ndjekësit e Pejgamberëve kanë qenë të pakët. I Dërguari (s.a.u.s.) ka thënë njëherë: “… Pashë Profet me të cilin ishin disa njerëz, Profet me të cilin ishin një ose dy burra, dhe Profet me të cilin nuk ishte askush.”[1]

Një nga çuditë e kohëve të sotme është se shumica e atyre që shkruajnë për teuhidin, përqendrohen në teuhidin rrububije (egzistencën e Allahut dhe veprat e posaçme të Tij), a thua se shkruajnë vetëm për njerëz që e mohojnë ekzistencën e Zotit. Pavarësisht se ka nga ata që e mohojnë Zotin, janë të shumtë edhe muslimanët që kanë rënë në shirkun e adhurimit. Për këtë arsye, ne duhet të përqëndohemi në këtë lloj teuhidi, me qëllim që t’i largojmë këta “muslimanë” nga kjo rrugë, të cilët thonë se janë muslimanë, ndërkohë që, në të vërtetë dhe pa e ditur, janë idhujtarë.

[1] Buhariu.

You may also like...