Ky është Allahu, Zoti i botëve

 “Argumentet logjike dhe ato të transmetuara (Kurani dhe Suneti), shqisat dhe natyra e pastër, të gjitha këto dëshmojnë se Zoti ynë – i Lartëmadhëruar – është i Vetëm në zotërimin e Tij, i njësuar në adhurimin e Tij.

Pushteti i Tij është i plotë (mbi të gjitha krijesat), absolute është madhështia e Tij, pozita e Tij është e Lartësuar, urdhëri i Tij është i zbatuar dhe bukuria e Tij është e përsosur. Eshtë lartësuar mbi Arsh (Fronin e Tij madhështor) dhe përkujdeset për çështjet e robërve të Tij.

Sunduesi i vërtetë, i Përhershmi, që kujdeset për krijesat e Tij, është i Pasur dhe i panevojshëm për të tjerë ndërsa çdo gjë është e varfër para Tij dhe çdokush është i nevojshëm për Të. “Atij i kërkon çdokush që është në qiell dhe në tokë. Çdo ditë Ai është në një çështje të re.” (Rrahman: 29)

Fal gjynahet, largon fatkeqësitë, shëron dhimbjet, ndihmon të dobëtit, ndihmon nevojtarët dhe pasuron të varfërit. Ai cakton vdekjen e dhuron jetën, lumturon dhe trishton, humbet kë të dojë dhe udhëzon kë të dojë, disave u jep të mira dhe disave ua largon mirësitë, krenon disa njerëz dhe poshtëron të tjerë, disa i ngre dhe disa i ul. Duart e Tij janë plot bujari, natën dhe ditën, duke mos u pakësuar asgjë për shkak të dhënies së vazhdueshme.

Ai është i Pari para të Cilit s’ka pasur asgjë dhe i Fundit pas të Cilit nuk mbetet asgjë. I Larti mbi të Cilin nuk është askush, i Afërti dhe më afër se Ai s’është askush (domethënë që e ka rrethuar çdo gjë me dijen e Tij dhe mbikëqyrjen e Tij). Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Tij dhe Ai është i Plotfuqishmi, i Urti. Ai nuk ka portier që t’i marrësh leje për të hyrë tek Ai, e as roje që të pengon të arrish tek Ai. Nuk ka as ministër nëpërmjet të cilit mund të arrish tek Ai, as ndihmës që e ndihmon Atë. Nuk ka ndonjë të dashur e as ndërmjetës që të ndërhyjë tek Ai, veçse pasi Ai të jap leje për këtë, nuk ka as zëvëndës që ia bën të njohura nevojat e robërve të Tij.

Ka përfshirë me dijen e Tij çdo gjë, asgjë nuk del nga mundësia e Tij (është i Plotfuqishëm të bëjë gjithçka) dhe mëshira e Tij ka përfshirë gjithçka. Atë nuk e angazhon një çështje nga një tjetër, e as nuk ngatërrohet nga kërkesat e shumta që i drejtohen. Nuk bezdiset nga lutjet e atyre që i luten pandërprerë dhe me ngulm. Sikur të mblidheshin të gjitha krijesat, i pari dhe i fundit prej tyre, njerëzit dhe xhinët, në një vend e t’i kërkonin Atij, e Ai i t’i jepte çdokujt prej tyre atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte atë që gjendet tek Ai as sa një grimcë.

I Dërlirë nga çdo e metë e mangësi është Ai! Sa Madhështor që është! Urdhri i Tij kur dëshiron diçka i thotë: ‘Bëhu!’ dhe ajo bëhet. Perdja e Tij është prej drite, sikur ta zbulonte atë, shkëlqimi i fytyrës së Tij do të digjte gjithçka prej krijesave të Tij. Larg nga mëshira e Tij qofshin mohuesit zullumqarë! Ai është Allahu, Zoti i botëve!”

Dr. Salih ibn AbdulAziz ibn Uthman Sindij

You may also like...