Emri i Allahut El-Uehab (Dhuruesi)

Nga emrat e bukur të Zotit tonë është edhe Dhuruesi i madh pa këmbim dhe pa përfitim, pra Allahu është Ai që na dhuron sukses dhe qëndrueshmëri në Fe dhe periudha sprovash.

Ai i dhuron njerëzve profetësi, pushtet dhe sundim, fal mëkatarin, ndihmon nevojtarin, përkrah të dobëtin, pasuron të varfrin, shëron të sëmurin, furnizon me fëmijë sterilin, mëson të paditurin, udhëzon të humburin, vesh të zhveshurin, pranon pendimin, shpërblen vepërmirin, mbulon të metat tona dhe na dhuron siguri, morale të mira e suksese në jetë.

Allahu nuk ka asnjë detyrim ndaj nesh, por çdo mirësi na e dhuron nga dashuria dhe mëshira e Tij. Allahu i dhuron krijesës së Tij mirësi të shumta dhe të vazhdueshme masën e të cilave vetëm Ai mund ta përkufizojë.

Ai është Mbreti që dhuron mbretëri, Furnizuesi që dhuron furnizim, Bujari që dhuron bujari, i Gjithëmëshirshmi që dhuron mëshirë, Udhëzuesi që dhuron udhëzim, i Plotfuqishmi që dhuron forcë, i Gjithëdituri që dhuron dituri, i Bukuri që dhuron bukuri. Allahu është Dhuruesi që i dhuron kujt të dojë dhe si të dojë.
Ky emër e mbush zemrën e besimtarit me dashuri për Zotin dhe dëshirë për t’i drejtuar më shumë lutje Atij, sepse mirësia e Tij është më e gjerë se ngushtësia e kërkesave tona. Allahu dhuron në çdo kohë dhe në çdo vend pa iu pakësuar asgjë mbretërimit dhe pasurisë së Tij.

“(Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!”
(Ali Imran: 8)

You may also like...