DUA’JA ËSHTË ILAÇ

Dua’ja është prej ilaçeve më të dobishme. Ajo parandalon fatkeqësitë, i mënjanon dhe i lehtëson në rast se ato ndodhin. Dua’ja është arma e muslimanit.

Këtë fakt e mbështet edhe El-Hakimi në librin e tij të saktë , me anën e një hadithi të transmetuar nga Ali Bin Ebi Talibi, sipas të cilit i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Dua’ja është arma e muslimanit, shtylla e fesë dhe drita e tokës dhe e qiejve.”

Në rastet e fatkeqësive, dua’ja kalon në tri situata:
E para: Kur tregohet më e fortë se fatkeqësia dhe e largon atë.
E dyta: Kur tregohet më e dobët se fatkeqësia, por arrin ta dobësojë këtë të fundit.
E treta: Kur Dua’ja i bën ballë fatkeqësisë dhe anasjelltas. Si rrjedhojë, të dyja luftojnë njëra-tjetrën.

Në librin e saktë të El-Hakimit, transmetohet nga Aishja (radijallahu anha) se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Paralajmërimi nuk i bën dobi paracaktimit (kaderit) të Allahut, por dua’ja bën dobi për atë që ka ndodhur apo që nuk ka ndodhur. Në të vërtetë, kur fatkeqësia zbret, atë e pengon dua’ja, e kështu ato luftojnë njëra-tjetrën deri ditën e gjykimit.”

Gjithashtu, Ibn Umeri transmeton se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Dua’ja sjell dobi për atë (fatkeqësi) që ka ndodhur dhe për atë që nuk ka ndodhur. Pra, bëni dua’, o robër të Allahut!” (Tirmidhiu)

Transmetohet nga Theubani se i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Kaderin nuk e kthen gjë tjetër veç dua’së, jetën nuk e shton gjë tjetër veç mirësisë, e me të vërtetë, njeriut i privohet furnizimi për një gjynah që ka bërë.” (“Sahihul Xhami” (3409), Albani e ka konsideruar hadith hasen.)

“Sëmundja dhe Ilaçi” Ibn Kajjim el Xheuzije

You may also like...