Çfarë është besimi në Librat e Shenjtë?

Ne besojmë se All-llahu të dërguarve të Tij u dërgoi libra si argument dhe udhërrëfyes për të gjithë botët, për t’ua mësuar urtësinë dhe për t’i pastruar. Dhe besojmë se All-llahu secilit pejgamber i dërgoi libër: “Ne i dërguam të dërguarit Tanë me dokumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë, që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës.” (el-Hadid, 25)
Prej këtyre librave, ne i njohim këto:

1. Tevrati, të cilën All-llahu ia shpalli Musait, alejhi selam, nga librat më të mëdhenj dërguar benu israilëve. Thotë All-llahu i Lartësuar:
“Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut, për të cilin ata dëshmonin”. (el-Maide, 44)

2. Inxhili – All-llahu ia shpalli Isaut, alejhi selam, i cili e vërtetoi dhe e plotësoi Tevratin. Thotë All-llahu i Lartësuar: “Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfyes e këshillë për ata që i frikësohen Allahut”. (el-Maide, 46)

3. Zeburi, që All-llahu ia dha Davudit, alejhi selam.

4. Suhufet/fletushkat e Ibrahimt dhe Musait.

5. Kur’ani i Madhërishëm, të cilën All-llahu ia shpalli Profetit të Vet, të Dërguarit të fundit, Muhammedit, sal-lAll-llahu alejhi ve sel-lem.
Thotë All-llahu i Lartësuar në lidhje me Kur’anin: “Që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).” (el-Bekare, 185)
All-llahu i Lartësuar, me zbritjen e Kur’anit, i ka shfuqizuar të gjitha librat e mëparshme dhe është zotuar që do ta mbrojë nga humbja dhe devijimi. Thotë All-llahu i Lartësuar: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (el-Hixhr, 9)

“Akideja e Ehli Sunnetit dhe Xhematit”
Shejh Muhammed Salih el-Uthejmin

You may also like...