Amaneti më i madh

Njëshmëria e Allahut, teuhidi është urdhëresa e parë që përmend Allahu në Kuran: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat)” (El-bekare: 21).

Ajo është detyra më e madhe dhe më e rëndësishmja nga të gjitha të rëndësishmet. Është shkaku kryesor për mirëqenie, zhvillim, moral, qetësi dhe siguri, ndërsa idhujtaria, shirku, është shkaku kryesor për humbjen e të gjitha këtyre mirësive.
Teuhidi është pyetja e parë që do t’i bëhet njeriut, pas largimit të tij në këtë botë dhe është pikërisht një nga tre pyetjet e varrit: Cili është Zoti yt? Pra, cili është i Adhuruari yt?
Teuhidi është duaja e Muhamedit alejhi selam: “ O Kthyes i zemrave, ktheje zemrën time në adhurimin Tënd!” (Muslimi)
Teuhidi është porosia që profetët ia kujtuan vazhdimisht, gjatë gjithë jetës, bijve të tyre: “Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë të nënshtruar ndaj Atij!” (El-bekare: 132)
Teuhidi është amaneti që lanë të gjithë profetët për bijtë dhe pasardhësit e tyre: “A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” – Ata u përgjigjën: “Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një i Adhuruar i vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!” (El-bekare: 133)
Teuhidi është gjendja në të cilën Allahu na urdhëroi të vdesim: “ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Ali Imran: 102)
Teuhidi largon shqetësimet, vështirësitë, brengat dhe fatkeqësitë. Junusi alejhi selam iu lut Zotit të tij me teuhid, kur ai ishte i mbuluar nga errësira e detit dhe errësira e brendësisë së barkut të balenës, por drita e teuhidit në zemrën e tij do të shpërthente këto errësira dhe do të lutej: “(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka të adhuruar tjetër me meritë, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” (El-enbija: 87)
Teuhidi është boshti mbi të cilin qëndron uniteti i muslimanëve: “Vërtet, ky është besimi juaj – besimi i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni Mua!” (El-enbija: 92)
Teuhidi është themeli mbi të cilin qëndron ajo jetë e dëshiruar prej çdokujt: “ Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim.” (Ta Ha: 123)
Teuhidi është dega më e lartë e besimit. I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “ Besimi është shtatëdhejtë – apo gjashtëdhjetë – e disa degë, më e larta prej tyre është fjala la ilahe il-lallah (nuk ka të adhuruar me meritë përveç Allahut)…” (Buhariu dhe Muslimi).
Teuhidi është fjala që do të mbesë deri në Kiamet: “Ai e bëri këtë fjalë të përhershme te pasardhësit e tij, me qëllim që ata të kthehen (vazhdimisht tek Allahu).” (Ez-zuhruf: 28)

You may also like...