3 çështjet që duhet t’i mësojë medoemos çdo njeri

Pyetje: Cilat janë tri çështjet që duhet t’i mësojë medoemos çdo musliman e muslimane dhe të veprojë sipas tyre?

Përgjigje: E para: Allahu na ka krijuar, na ka furnizuar dhe nuk na ka lënë pas dore, por ka dërguar te ne një të dërguar, kush i bindet, do të futet në Xhenet dhe kush e kundërshton do të futet në Zjarr.

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Ne, me të vërtet, ju kemi sjellë një të dërguar (Muhamedin a,s) dëshmitarë mbi ju, ashtu siç ia çuam një të dërguar (Musain) Faraonit, por Faraoni nuk iu bind të dërguarit (Musait) kështu që Ne e mbërthyem atë me ndëshkim të ashpër…” (Muzemil, 15-16)

E dyta: Allahu i lartësuar nuk pranon që njerëzit të adhurojnë bashkë me Të ndonjë gjë tjetër, qoftë melek (engjëll), qoftë pejgamber i dërguar.

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Xhamitë janë për adhurimin e Allahut, prandaj mos iu lutni askujt krahas Allahut!” (Xhin, 18)

E treta: “Kush i bindet të dërguarit të Allahut dhe njëson Allahun, nuk i lejohet që të miqësohet me atë që kundërshton Zotin dhe të dërguarin e Tij, qoftë ai edhe njeriu më i afërt i tij.”[1]

Argumenti për këtë është fjala e Allahut: “Nuk gjen njerëz, që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Fundit, që të kenë dashuri ndaj atyre, që kundërshtojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe nëse ata janë baballarët e tyre ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Allahu ka skalitur besim në zemrat e tyre dhe i ka forcuar me ndihmën e Vet. Ai do t’i dërgojë ata në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Allahun. Ata janë Pala e Allahut dhe, vërtet që Pala e Allahut janë të shpëtuarit.” (Muxhadele, 22)

[1] Pohimi i sipërcituar duhet të kuptohet në përputhje me thënien e Allahut: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” (Mumtehine 8). Ne nuk i quajmë vëllezër në fe ata të cilët nuk e besojnë Zotin ashtu siç besojmë ne dhe që nuk janë muslimanë, por nga ana tjetër, ne bashkëjetojmë me ta, nuk u cenojmë jetën dhe pasurinë dhe sillemi në mënyrë njerëzore me ta, pa u bërë asnjë të keqe, madje u bëjmë dhe mirësi kur kemi mundësi.

 

You may also like...