Suneti për një dietë të shëndetshme


Musned e gjetkë shënohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Nuk mbush njeriu enë më të keqe se barku i tij. I mjaftojnë  birit të Ademit disa kafshata për të mbajtur veten. Nëse patjetër duhet të hajë (më shumë), le të lërë një të tretën e barkut për ushqimin, një të tretën për pijen dhe një të tretën për frymëmarrjen.”[i]

Sëmundjet fizike prekin dhe dëmtojnë trupin, madje çrregullojnë edhe funksionimin normal të tij, për shkak të pranisë me tepri të një substance të dëmshme. Shumica e sëmundjeve janë të tilla. Shkak i tyre është ngrënia e tepërt, mbi nevojën që ka trupi për ushqim, ose konsumimi i ushqimeve me dobi të pakët ushqyese dhe të vështira në tretje, ose konsumimi i ushqimeve që kanë një përzierje të ndërlikuar. Nëse njeriu e mbush barkun me të tilla ushqime, dhe kjo është kryesisht gjendja e vazhdueshme e tij, ai kërcënohet nga sëmundje të ndryshme. Prej këtyre, ka sëmundje që shërohen dhe kalojnë shpejt. Por ka edhe prej tyre të cilat e vonojnë shërimin. Nëse njeriu tregohet i kujdesshëm në ushqim, duke konsumuar vetëm aq sa ka nevojë dhe duke përzgjedhur një dietë të mirë në masë dhe cilësi, pa dyshim ai do të përfitojë më shumë sesa po të konsumojë në sasi të madhe.

Ushqimi që ne hamë mund të jetë i domosdoshëm, i mjaftueshëm ose i tepërt. Pejgamberi alejhi selam ka mësuar se birit të Ademit i mjaftojnë disa kafshata për ta mbajtur gjallë, që të mos dobësohet dhe të mos humbasë fuqinë. Nëse patjetër i duhet të kalojë këtë masë, le të hajë aq sa t’i mbushet një e treta e barkut; një të tretën tjetër ta lërë për pijen dhe një të tretën për frymëmarrjen. Kjo dietë e mrekullueshme është më e dobishmja për shpirtin dhe trupin. Nëse barku mbushet plot, në të nuk mbetet vend për pijen. Nëse futet edhe pija, ai ngushton frymëmarrjen, aq sa njeriu lodhet dhe gulçon nga pesha e ushqimit, ashtu sikurse gulçon ai që mbart pesha të rënda. Por, përveç kësaj, ai dëmton edhe zemrën e tij (shpirtin), gjymtyrët i dembelosen, prandaj nuk dëshirojnë të bëjnë adhurime dhe t’i binden Zotit. Me një dietë të rënduar dhe të tepruar, ai është i prirur drejt epsheve të forta.

Mbushja plot e barkut dëmton trupin dhe shpirtin, nëse kjo ndodh në mënyrë të vazhdueshme apo në të shumtën e rasteve. Nëse ndodh rrallë, atëherë nuk është shqetësuese dhe nuk dëmton. Ebu Hurejra, në prani të Profetit alejhi selam, ka pirë aq shumë qumësht njëherë, sa tha: “Betohem në Atë që të dërgoi ty si Profet me të vërtetën e sigurt, se nuk kam ku ta fus më (qumështin)!”[ii] Edhe sahabët, në prani të tij, kanë ngrënë derisa janë ngopur.

Tejngopja e dobëson fuqinë trupore, edhe pse e fryn trupin dhe e shëndosh atë. Fuqia trupore shtohet veçse nëpërmjet ushqimeve të dobishme, dhe jo nga masa e ushqimit që fut në trup.

Trupi i njeriut përbëhet nga tre elemente bazë: uji, të ngurtat (dheu) dhe ajri.[1] Kjo është arsyeja përse Pejgamberi alejhi selam i ka dhënë secilit element vendin e duhur në trup.

Nëse ndonjë pyet për pjesën që zë zjarri në trup, ne themi se mjekët pohojnë që për reaksionet që ndodhin në trup përdoret pikërisht nxehtësia. Ka njerëz që nuk e pranojnë këtë ide, duke thënë se zjarri nuk është pjesë e trupit të njeriut. Ata arrijnë në këtë përfundim duke u nisur nga tezat e mëposhtme:

Së pari, pjesa zjarrmore ose do të zbriste nga ajri dhe do të përzihej me pjesën ujore dhe të ngurtë të trupit, ose do të ekzistonte brenda ujit dhe lëndës së ngurtë (të trupit).

Kështu, mundësia e parë – sipas tyre – është e papranueshme, sepse zjarri, normalisht, ngjitet lart dhe nuk shkon asnjëherë për poshtë, përndryshe ai do të nisej nga qendra e tij e do të ulej në tokë. Përveç kësaj, nëse zjarri vërtet zbret, ai duhet të kalojë së pari nëpër ato sfera të të ftohtit të skajshëm që ekzistojnë mbi tokë, por edhe ashtu do mbetej sërish i paprekur, i pakontaktuar me diçka tjetër. Megjithatë, ajo çfarë vihet re në këtë botë është se një zjarr i madh mund të shuhet qoftë edhe me pak ujë. Kështu që, nëse zjarri do të zbriste nga qendra e tij në tokë, ai do të shuhej për shkak të sferave mjaft të ftohta nga ku do të kalonte.

Mundësia e dytë është që zjarri të formohet brenda lëndëve të ngurta dhe brenda lëngjeve. Kjo është akoma më pak bindëse, pasi trupi që kthehet në zjarr, përveçse i rrethuar nga elemente të tilla, duhet që më parë të ketë qenë ujor, lëndor ose ajror (prej ajri). Kësisoj, elementi që është i rrethuar dhe që ndërvepron me elementet ujore ose të ngurta nuk do të kthehej në zjarr në vetvete. Po të mos prodhonte nxehtësi, trupi vetë do të ishte i ftohtë. Nëse natyra e trupit është e ndjeshme ndaj të ftohtit dhe mjedisi rrethues nuk jep efektin e kundërt, atëherë temperatura e trupit shkon në gradën më të ulët. Në këtë gjendje, trupi nuk do ta ndiente të ftohtin, sepse temperatura e tij do të ulej aq shumë, saqë në realitet do të kishte ngrirë. Për këtë arsye, gjendja e të ftohtit dhe trupi do të ishin në të njëjtën gradë të ulët, prandaj trupi nuk do ta ndiente të ftohtin e as ndonjë dhembje, për shkak të të ftohtit të skajshëm. I njëjti argumentim mund të bëhet për rastin kur trupi është në temperaturë më të ulët sesa vetë substanca e ftohtë. Kështu pra, nëse trupi nuk do të kishte ndonjë pjesë të zjarrtë, ai, normalisht, nuk do ta ndiente të ftohtin ose nuk do të ndikohej prej tij.

Ata thonë gjithashtu: Argumentet tuaja shërbejnë vetëm për të kundërshtuar mendimin se pjesët e zjarrta mbeten si zjarr brenda trupit. Në fakt, ne nuk e mbështesim këtë ide, por themi se zjarri ndryshon kur përzihet me trupin.

Pala kundërshtuese përgjigjet: Pse të mos themi që nxehtësia e diellit përzien dheun, ujin dhe ajrin? Më pas, kur përzierja e përftuar arrin pjekurinë, ajo është gati të marrë forma të reja, qofshin ato bimë, kafshë ose minerale, që zhvillohen në nxehtësi. Pse të mos themi që nxehtësia apo ngrohtësia e brendshme që ka trupi është fryt i disa cilësive dhe forcave që Allahu i krijon nëpërmjet përzierjes së atyre elementeve, dhe jo se trupi ka pjesë të zjarrta? Ju nuk mund t’i mohoni këto mundësi, ashtu siç pranojnë edhe disa nga mjekët më të zotë.

Ç’është e vërteta, fakti që trupi ndien të ftohtët tregon vetëm se në të ndodhet një nxehtësi e brendshme. E cili mund ta mohojë këtë? Nga ana tjetër, çfarë prove dëshmon se kjo nxehtësi prodhohet nga zjarri? Po, është e vërtetë që zjarri prodhon nxehtësi, por jo çdo lloj nxehtësie çlirohet prej zjarrit. Më saktë, pohimi më i drejtë do të ishte se: disa lloje nxehtësish prodhohen nga zjarri.

Përveç kësaj, pohimi se: kur zjarri përzihet me trupin, thelbi e tij ndryshon, nuk mbështetet si nga doktorët më të mirë, edhe nga faktet reale. Madje, njëri nga mbështetësit tuaj më të mirë (Ibn Sina, që thotë se trupi ka një pjesë prej zjarri) ka pranuar në librin e tij Kurimi se katër elementët bazë (uji, zjarri, dheu dhe ajri) i ruajnë cilësitë e tyre thelbësore kur përzihen me diçka tjetër.

 


[1] Ndërsa elementi i katërt është zjarri, sipas grekëve të lashtë.

 


[i] Ahmedi, Tirmidhiu, nr. 1381; Ibn Maxhe, nr. 3349, me sened sahih.

[ii] Buhariu, vëll. 11, 346.

Shkeputur nga libri “Zad el Mead”.
Autor Ibn Kajim el Xheuzije

Perktheu Ismail Bardhoshi