Si falet namazi?

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në një rast hyri në xhami, pas një kohe hyn një person, fal namazin e pastaj vjen te Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i jep selam.
Ai ia kthen selamin e i thotë: “Kthehu e falu, se ti nuk je falur.” Ai shkoi e u fal pastaj erdhi te Profeti dhe i dha selam, ai prap i tha: “Kthehu e falu se ti nuk je falur.” (kështu veproi tri herë)
Herën e tretë personi i tha të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Pasha Atë që ty të dërgoi me të vërtetën unë nuk di të falem më mirë, prandaj më mëso!”

I Dërguari i Allahut i thotë: “Kur të ngritesh për të falur namazin, atëherë thuaje tekbirin fillestar (Allahu ekber), këndo diçka nga Kurani (ndonjë pjesë që di), pastaj bëje rukunë dhe rri derisa të qetësohesh, pastaj shko në sexhde dhe rri derisa të qetësohesh, pastaj ngritu nga sexhdeja dhe rri ulur derisa të qetësohesh, pastaj shko në sexhde dhe rri derisa të qetësohesh e kështu vepro gjatë tërë namazit tënd.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).