Si ta kuptojë një njeri që ka rënë në sprovë apo ndëshkim?

Pyetja:Në qoftë si dikush sprovohet me ndonjë sëmundje apo ndonjë bela që i shkakton diçka të keqe në vete apo në pasuri, si mund ta di që kjo është sprovë apo ndëshkim?

Përgjigja:Allahu i Plotfuqishëm i sprovon robërit e Vet me të mirën dhe me të keqën, me vështirësi dhe lehtësim, ndodh që i sprovon për t’ua ngritur shkallët e tyre, famën e tyre dhe për t’ua shumëfishuar të mirat e tyre, ashtu siç vepron me pejgamberët alejhimus-salatu ues-selam dhe me njerëzit e mirë nga robërit e Allahut.

Siç ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Njerëzit që më së shumti sprovohen janë pejgamberet, pastaj te ngjashmit me ta në devotshmëri”.

Nganjëherë Allahu i Lartësuar e bën këtë për shkak të mëkateve dhe kështu kjo është ndëshkim i shpejtuar, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: وَمَا أَصَابَكُمْ مِنْ مُصِيبَةٍ فَبِمَا كَسَبَتْ أَيْدِيكُمْ وَيَعْفُو عَنْ كَثِيرٍ “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u falë” (Shura 3).

Në të shumtën e rasteve njeriu ka mangësi dhe nuk e përmbush obligimin (vaxhibin). Kurdo që e kaplon ndonjë fatkeqësi, ajo është për shkak të gjynaheve të tij dhe mangësive në përmbushjen e urdhrit të Allahut.

Kur sprovohet dikush nga robërit e Allahut të mirë me sëmundje apo me diçka të ngjashme, atëherë kjo është nga lloji i sprovës së pejgambereve me qëllim për t’ua ngritur gradët dhe për t’ua shumëfishuar shpërblimet, e më pas të jetë shembull për të tjerët në durim dhe në shpresë për të mirë.

Pra, belaja mund të jetë me qëllim për t’ua ngritur gradët dhe për t’ua shumëfishuar shpërblimet, ashtu siç vepron Allahu me pejgamberët dhe me disa njerëz të dalluar; e mund të jetë shlyerje e gjynaheve, siç thuhet në fjalën e të Lartësuarit: مَنْ يَعْمَلْ سُوءًا يُجْزَ بِهِ “…kushdo që bën keq, do të ndëshkohet për të…” (Nisa 123).

Si dhe fjala e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem: “Nuk e godet besimtarin ndonjë e keqe, as lodhje dhe as sëmundje, as pikëllim e as dëmtim, përveç së Allahu ia shlyen mëkatet, qoftë edhe një therje nga gjembi” .

Po ashtu fjala e tij salAllahu alejhi ue selem: “Kujt ia do të mirën Allahu, e sprovon (godet)”.

Ndonjëherë kjo është ndëshkim i shpejtuar si shkak i gjynaheve dhe mos nxitimit për pendim, siç thuhet në hadithin nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Kur Allahu ia do të mirën robit, ia shpejton ndëshkimin në dynja, e në qoftë së Allahu nuk ia do të mirën, ia vonon ndëshkimin deri ne ditën e Kiametit” (Tirmidhiu, Hasen).

Shejh AbdulAziz ibën Baz, Allahu e mëshiroftë!

You may also like...